NBA, “Mbreti” largohet nga Cavaliers. I lirë për bisedime me rivalët - Bota Sot
NBA, “Mbreti” largohet nga Cavaliers. I lirë për bisedime me rivalët

Basketboll

NBA, “Mbreti” largohet nga Cavaliers. I lirë për bisedime me rivalët

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 21:33
LeBron James

Një lajm i bujshëm nga kampionati më spektakolar i basketbollit në botë, NBA. LeBron James do të jetë një lojtar i lirë, e rrjedhimisht më i kërkuari i kësaj vere.

Sipas faqes zyrtare të Clevelandit në internet, basketbollisti më i fortë i planetit ka informuar Cavaliersat se nuk do të shfrytëzojë klauzolën që i ofron atij 35.6 milionë dollarë për sezonin e ri 2018-2019, siç ishte parashikuar, në kontratën e tij.

Kështu, nga ora 6 e mëngjesit të së dielës, ai do të jetë i lirë të kërkojë një ekip të ri, duke nxitur kështu një “gjueti” fenomenale, që për momentin përfshin në konkurrencë Lakersat, Sixers, Rockets dhe vet Cavaliersat.

Largimi i LeBron ishte parashikuar dhe në Cleveland, pikërisht gjatë periudhës së finaleve të NBA-së nisi pikëllimi nga frika për të parë të largohej një fenomen, i cili vetëm dy vite më parë i dha fund “mallkimit” sportiv të një qyteti të tërë.

E megjithatë, edhe nëse do të kishte shfrytëzuar opsionin në kontratë, James sërish do të mund të largohej në formë këmbimi, në një mënyrë të ngjashme me Chris Paul, i cili vitin e kaluar kaloi nga Clippers te Rockets. Por, zgjedhja e tij për të qenë lojtar i lirë eliminon nga gara destinacionin Boston, pasi Celtics do të mund të siguronin shërbimet e tij vetëm përmes këmbimit.

LeBron është sportisti i shtatë më i paguar i botës, ndaj për këtë arsye nuk janë paratë ato që kanë ndikuar në vendimin e tij. Por, familja e tij dhe dhe dëshira që në moshën 33-vjeçare të vazhdojë të luftojë për titullin kampion mes pranimit se është më i forti në qarkullim, edhe pse e pranon se do të vijë koha që do të tërhiqet.

Ajo që mund t’i ofrojnë Cavaliersat tashmë është një kontratë maksimumi 5-vjeçare, për 207.3 milionë dollarë në total, ndërsa pretendentët e tjerë një kontratë 4-vjeçare për 152 milionë dollarë.

Edhe pse LeBron është me pushime dhe për bisedimet me skuadrat e tjera do të impenjohet agjenti i tij, Rich Paul, vendimi i tij duhet të merret shumë shpejt, ndoshta përpara 6 korrikut, atëherë kur të gjitha ekipet do të nisin të zyrtarizojnë kontratat me lojtarët e lirë në qarkullim. Por, nga vendimi i LeBronit varet edhe e gjithë merkatoja e basketbollit amerikan, që mund të sjellë shumë ndryshime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test