Grumbullohet Shqipëria

Basketboll

Grumbullohet Shqipëria

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 16:26
Mirza Alibegaj

Ekipi Kombëtar i Basketbollit të Shqipërisë U-18 i vajzave është grumbulluar në Tiranë prej disa ditësh. Nën drejtimin e trajneres Mirza Alibegaj dhe asistentes së saj, Denisa Nelaj, vajzat kuqezi janë duke u stërvitur për Kampionatin Europian të Basketbollit, grup-mosha U-18, që do të zhvillohet nga data 3 deri më 12 gusht në Austri. Trajnerja Mirza Alibegaj theksoi faktin se vajzat e grumbulluara me kombëtaren U-18 të basketbollit vijnë nga ekipet zinxhir kuqezi dhe e njohin mirë njëra-tjetrën. Ajo tha se ky grup do të shërbejë edhe për ekipin e parë kombëtar të femrave.

Atmosfera është e mirë dhe vajzat janë të motivuara për të bërë më të mirën e tyre në Kampionatin Europian. Këtë e konfirmon për mikrofonin e “Telesport” kapitenia e ekipit, Bernada Rreshpja. Shefi i delegacionit shqiptar, që do të udhëheq ekipin në Kampionatin Europian të Austrisë, Bashkim Milo, u shpreh se në ekip janë grumbulluar vajza që luajnë në kampionatin vendas, por edhe nga disa ekipe nga vende të rajonit. Përgatitja e ekipit kombëtar të basketbollit U-18 po kryhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Seanca e kësaj të premteje është ndjekur nga afër dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat