Peci, i pavendosur për të ardhmen!

Basketboll

Peci, i pavendosur për të ardhmen!

Nga: Kemajl Goca Më: 23 gusht 2018 Në ora: 19:26
Peci, i pavendosur për të ardhmen!

Rinor Peci është prej basketbollistëve që po dëshmohet gjithnjë e më shumë dhe si rrjedhojë e kësaj është ftuar edhe në listën e gjerë nga përzgjedhësi i ri i kombëtares së Kosovës, Damir Mulaomeroviç. Megjithatë Peci është i pavendosur për të ardhmen e tij dhe nuk dihet se a do të mbetet apo do të ikë nga klubi me renome Sigal Prishtina.  Organizatori i lojës shprehet se nuk do të ngutet, por do të vendos gjatë ditëve në vijim dhe në anën tjetër shprehet i lumtur që është në listën e kombëtares për sfidën kualifikuese të Kampionatit Evropian, kundër Maqedonisë. 

“Ndihem mjaft i gëzuar, pasi që të përfaqësosh shtetit tënd është një nder”, tha Peci për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Basketbollisti tha se është motiv shtesë të jesh pjesë e kombëtares dhe shprehet me optimizëm për përballjen me maqedonët: “Sfida nuk është e lehtë por e kemi përparësinë e terrenit, pasi që tifozët janë të mrekullueshëm”. Më tutje flet edhe për karrierën e tij se a do të mbetet në Sigal Prishtinë apo jo. “Nuk e di, ende nuk kam vendos”, tha ai. Por e pranon se ka oferta, mirëpo ende nuk ka asgjë: “I kam disa oferta, por ende nuk ka kurrgjë konkrete, fatkeqësisht”. Si e sheh basketbollin në vendin tonë, ka rritje të nivelit në përgjithësi? “Në fakt në vitin e kaluar ka pas rënie sipas mendimit tim, por besoj që kthehet niveli”, përgjigjet Peci.

A i frikësoheni konkurrencës së fortë në KB Sigal Prishtina apo kjo iu motivon më shumë? “Jo, nuk i frikësohem vetëm se konkurrenca të shtyn të bëhesh më i mirë”, thotë Peci, ndryshe është djali i ish boksierit të mirënjohur, Xhevdetit.  Basketbollisti tha se gjithçka do të shihet në parket sa përket formës së tij: “Besoj se nëse jam në formën më të mirë, mund ta shoh në parket”.

Çfarë premton Rinori? “Gjatë tri viteve kam mësuar nga shumë lojtar e trajnerë dhe pjekuria ime ndaj lojës së basketbollit është rritur, kështu që besoj se këtë vit të kem mundësinë ta paraqes në ndeshje”, përfundoi Peci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat