Humbje e ngushtë e Kosovës

Basketboll

Humbje e ngushtë e Kosovës

Nga: Kemajl Koca Më: 13 shtator 2018 Në ora: 22:36
Foto nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës i nisi me humbje parakualifikimet për Eurobasket (Kampionatin Evropian). Kosova pësoi humbje të ngushtë si vendas me rezultat 76:73 (20:16, 14:13, 14:20, 28:24) nga Maqedonia, në kuadër të xhiros së parë të grupit B, shkruan "Bota sot".

Ndeshje me kthesa në rezultat, për t'u mbajtur mend nga rivaliteti i madh në fushë sidomos në dy çerekët e fundit, lojë e fortë dhe atmosferë e zjarrtë në tribunat e Qendrës së Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Angazhim i madh i të dyja ekipeve, por Kosova e pafat. Djelmoshat tanë e nisën keq ndeshjen! Fillimisht rivali udhëhoqi me 0:2, pastaj u barazuan shifrat në 2:2, por në minutën e 4-të Maqedonia shkëputet në epërsi me 10 pikë (2:12).

Epërsi e dukshme, por në asnjë formë kombëtaren e Kosovës nuk e dekoncetroi, e cila gradualisht mori veten dhe duke ngushtuar rezultatin. Në minutën e 10-të të takimit rezultati në semafor 16:20 në favor të Maqedonisë, por minutat vijues ishin drithëruese dhe rezultat i ngushtë. Në minutën e 20-të, maqedonët në epërsi me pesë pikë (29:34). Pas pushimit gjithçka ndryshoi në favor të kombëtares së Kosovës, pra në çerekun e tretë, kur këndellen dhe ishin më energjikë. Me mbrojtje agresive, por edhe me saktësi në repartin e sulmit arritën të barazojnë rezultatin në 34:34 në minutën e 24-të, pastaj shënohet nga një tresh qoftë të Kosova qoftë të Maqedonia dhe 37:37.

Kosova në epërsi me 41:39, 44:41, por sërish barazohet rezultati në 44:44, 46:46. Maqedonët në epërsi me 46:48, kurse Kosova sërish avancon me 49:48 në minutën e 30-të. Lojë me ngarkesë e me emocione të mëdha veçmas të tifozët "Dardanët". Gjithçka e paqartë, çdo gabim ishte fatal për secilën skuadër.

Çereku i fundit drithërues, aty edhe ku përcaktohej fituesi i këtij takimit. Përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq, kërkonte qetësinë të djelmoshat e tij, të jenë të kujdesshëm në mbrojtje dhe preciz qoftë në dypikësh apo edhe në gjuajtjen për trepikësh. Dhjetë minutat e fundit të ankshme sepse nuk kishte kohë edhe për përmirësime të gabimeve. Në minutën e 31-të, Maqedonia sërish në epërsi me 49:51 falë një treshe.

Sërish barazohet rezultati 51:51. Kosova me një trepikësh kalon në epërsi me 54:53, por maqedonët sërish avancojnë me 54:57. Në minutën e 35-të, 54:61 rezultati në favor të Maqedonisë. Në minutën e 37-të, ngushtohet rezultati në 60:64, por në fund fitoi Maqedonia me rezultat të ngushtë 76:73.

Çereku i fundit ishte fatal për Kosovën dhe e nisin me humbje në hapje të garave parakualifikuese. Në palestër ishin rreth 3 mijë shikues dhe krijuan atmosferë të zjarrtë./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat