Rifati: Nuk jemi befasi e elitës

Basketboll

Rifati: Nuk jemi befasi e elitës

Nga: Kemajl Goca Më: 2 tetor 2018 Në ora: 18:16
Rifati: Nuk jemi befasi e elitës

Ekipi i Ponte Prizrenit është befasia më e këndshme e elitës së basketbollit të Kosovës (meshkujt). Debutuesi i ligës ka dy fitore në po aq ndeshje, duke e mundur Lipjanin vendas me rezultat 87:74, kurse në Prizren e mposhti me 73:67 Borean. Kryetrajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, këto fitore i merr me qetësi, por edhe si motiv shtesë para sfidave të radhës, sidomos para derbit të qytetit, kundër ekipit me renome Bashkimi. Rifati tha se këto rezultate nuk janë befasi. 

“Nuk besoj që është befasi, por një vazhdimësi e një menaxhimi të mirë dhe implementim i programit tonë, duke ju falënderuar gjithmonë sponsorit gjeneral ‘Ponte’”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Rifati. Në javën e ardhshme kundër rivalit vendor, Bashkimi, a jeni në presion? “Nuk jemi nën presion assesi, ne do të japim maksimumin për një ndeshje rutinore”, theksoi ai. Harta e Superligës ka ndryshuar, Z Mobile Prishtina, Rahoveci, Golden Eagle Ylli e Ponte Prizreni me nga dy fitore, çuditërisht Trepça, Bashkimi, pastaj Borea e Lipjani janë me nga dy humbje në dy javët e para, si i komentoni këto?

“Z Mobile Prishtina momentalisht ka skuadër për një klas më të mirë se gjithë, Ylli po tregon lojë të pëlqyer sikurse Rahoveci. Befasi është me dy humbje Bashkimi, ndërsa Trepça pritet të këndellet pasi kanë lojtarë vendorë kualitativ, ndërsa Borea dhe Lipjani besoj se do të jenë pretendentët kryesorë për të rënë nga elita”, përgjigjet Rifati. Kryetrajneri i Pontes është i matur në synimet dhe tregon se a ka fuqi ekipi i tij për vend të dytë: “Besoni se nuk kemi aso ambicie apo target, ne pretendojmë si debutues të jemi mesin e 6 skuadrave që do të përmbush qëllimin e klubit”. Ponte Prizreni është i kompletuar. “Kemi gati çdo pozitë ka dy lojtarë, po nëse ekziston mundësia do të përforcohemi edhe me një lojtarë të pozitës 2/3”, ka thënë Rifati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat