Shumë rezultate të papritura gjatë ndeshjeve të së dielës në basketbollin amerikan.
Kampionët në fuqi të Golden State Warriors pësuan humbjen e parë sezonale pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para.
Në Pepsi Center të Colorados, Denver Nuggets konfirmoi momentin pozitiv që po kalon duke mposhtur me rezultatin e ngushtë 100-98 skuadrën e Steve Kerr. 30 pikë nga ylli i Warriors Stephen Curry ishin të pamjaftueshme që mysafirët të shënonin fitoren e tretë rresht në këtë fillim sezoni të NBA.
Tek Denveri që iu gëzua fitores së tretë në po kaq takime shkëlqyen Gary Harris me 28 pikë dhe Nikola Jokiq autori i 23 pikëve.
Houston Rockets dështoi në udhëtim përballë Los Angeles Clippers me rezultatin e ngushtë 115-112.
Në Staples Center më i miri mbi parket ishte i përhershmi James Harden me 31 pikë dhe 14 asistime, por që nuk patën vlerë për ekipin e Rockets.
Vijon kriza e Cleveland Cavaliers. Pa Lebron James skuadra nga Ohio nuk ka më një lider dhe këtë herë u thye në shtëpi me rezultatin e thellë 133-111 nga Atlanta Hawks. Disfata e tretë kjo në 3 takime për Cavaliers të cilët edhe pse e nisën shumë mirë sfidën, pësuan humbje të thellë në fund falë edhe lojës së mirë të Tree Young i cili realizoi 35 pikë për skuadrën nga Georgia.