James nuk mjafton, Lakers nuk e njohin shijen e fitores!

Basketboll

James nuk mjafton, Lakers nuk e njohin shijen e fitores!

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 10:32
LeBron nuk mjafton, Lakers nuk e njohin shijen e fitores!

As basketbollisti më i mirë i momentit në NBA nuk zgjidh dot problemet e Los Angeles Lakers. 3 ndeshje dhe 3 humbje për skuadrën kaliforniane në këtë fillim sezoni me LeBron James që në sfidën e fundit ndaj San Antonio Spurs nuk arriti të bënte dot liderin me Los Angeles Lakers që u mposhtën në shtëpi nga skuadra teksane pas kohës shtesë me rezultatin 142-143. Mbreti James këtë herë u bë protagonist në aspektin negativ pasi gaboi goditjen e fundit të Lakers-ave që në rast se e realizonte mund t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Minutat e fundit ishin vërtet të tmerrshme për Lebron që humbi edhe dy gjuajte të lira edhe pse statistikat në tërësi ishin pozitive për numrin 23 të kalifornianëve i cili e mbylli ndeshjen me 32 pikë 14 asiste dhe 8 rebound. Lakers-ave nuk u mjaftoi për të evituar disfatën e tretë radhazi as paraqitja mbreslënëse e Kyle Kuzma, autori i 37 pikëve. Në krahun tjetër meritat më të mëdha në fitoren e Spurs i kishte dyshja Aldridge-DeRozan. 37 pikë realizoi i pari ndërsa ish lojtari i Torontos shtoi 32 të tjera për të udhëhequr San Antonion drejt suksesit të dytë sezonal.

U rikthye te fitorja Golden State. Në shtëpi kampionët në fuqi të NBA nuk mund të gabonin përballë Phoenix Suns. Një fitore e thjeshtë dhe e thellë për Warriors me rezultatin 123-103, me Stephen Curry-in që ishte më i miri mbi parket për të tijët me 29 pikë 8 asiste dhe 4 rebound.  Skuadra e momentit në këtë fillim sezoni në NBA është padyshim Toronto Raptors. Kanadezët nuk kanë rivalë në konferencën e Lindjes dhe këtë e treguan edhe në sfidën e fundit ndaj Charlotte Hornets të cilën e fituan 127-106, duke regjistruar suksesin e 4-t në po aq takime.Kaëhi Leonard me 22 pikë ishte lojtari që spikati më shumë te Raportos në këtë duel edhe pse pikëshënuesi më i mirë ishte Kemba Walker i Hornets. Në sfidat e tjera të mbrëmjes spikat humbja në shtëpi e Boston Celtics përballë Orlando Magic me rezultatin 90-93.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat