NBA, Curry shpërthen me 51 pikë ndaj Wizards

Basketboll

NBA, Curry shpërthen me 51 pikë ndaj Wizards

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 09:28
Stephen Curry

Stephen Curry shënoi 11 herë nga distanca e 3-pikëshit në një performancë të shkëlqyeshme prej 51 pikësh gjithsej, në sfidën që Golden State Warriors e fituan 144-122 ndaj Washington Wizards, mbrëmjen e së mërkurës.

Dy herë “MVP”-ja i NBA-së, Curry u ngjit kështu në vendin e pestë të shënuesve të të gjitha kohërave sa u përket 3-pikëshave, ndërkohë që paraqitja e tij u shoqërua me thirrjet “MVP, MVP” nga tifozët më besnikë të Warriors-ave.

Statistikat e tij, veç 11 realizimeve nga 16 tentativa për 3 pikët, përfshijnë edhe 15 gjuajtje dypikëshe nga 24 përpjekje, si dhe 10 realizime nga po kaq mundësi nga vija e gjuajtjeve të lira. Në 32 minuta të luajtura prej tij u shënuan edhe 5 topa në tabelë dhe 3 asiste.

Mes kontribuesve të tjerë ishin Kevin Durant, me 30 pikë, 8 topa në tabelë dhe 7 asiste; si dhe Draymond Green me 12 asiste. Në total, kampionët e dyfishtë në fuqi të NBA regjistruan në këtë sfidë plot 37 asiste.

Curry ka shënuar mbi 30 pikë në 4 prej 5 përballjeve të këtij sezoni, ndërkohë që ekipi i Golden State shënoi fitoren e katërt radhazi ndaj Wizards-ave. Për këta të fundit ra në sy Bradley Beal me 23 pikë, ndërsa Kelly Oubre erdhi nga stoli për të shënuar 17 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat