Me rekord personal, LeBron James i jep fitoren e parë LA Lakers në shtëpi

Basketboll

Me rekord personal, LeBron James i jep fitoren e parë LA Lakers në shtëpi

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 09:06
LeBron James

LeBron James arriti statistika dyshifrore në pikë, topa në tabelë dhe asiste, apo “triple-double” në fitoren e tij të parë në “Staples Center”, teksa Los Angeles Lakers përmbysën rezultatin ndaj Denver Nuggets për të fituar 128-111 mbrëmjen e së enjtes.

James shënoi 28 pikë, dha 11 asiste dhe kapi 11 topa në tabelë, duke udhëhequr kështu kalifornianët që bënë gjithçka në fundin e takimit për të mposhtur Nuggetsat, që deri më dje ishin të pamposhtur.

Kjo ishte fitorja e dytë për Lakersat në dy ditë, duke e marrë disi veten pas nisjes me 3 humbje radhazi të sezonit të ri. Një kontribut të veçantë dha edhe Lance Stephenson, i cili shënoi vetëm 12 pikë, por ajo që vlen është se këto ishin gjuajtje tripikëshe njëra pas tjetrës në periodën e katërt, kur u shënua edhe një rezultat i pjesshëm 15-2 për LA Lakers.

Kyle Kuzma shënoi 22 pikë dhe JaVale McGee, 21 të tjera, statistika këto që i shtohen “triple-double”-it të James, e para me ekipin e tij të ri.

Jashtë ndeshjes, Kobe Bryant ishte i pranishëm në “Staples Center” për herë të parë që prej ardhjes së LeBron James, i cili udhëhoqi ekipin kur kishin mbetur edhe 3 minuta e 31 sekonda për t’u luajtur.

Për Nuggetsat, Nikola Jokiç shënoi 24 pikë, por ecuria më e mirë e tyre që prej sezonit 2009-2010 u ndal në Kaliforni.

Në ndeshjet e tjera, Damian Lillard shënoi 41 pikë teksa Portland Blazers fitoi 128-114 me Orlando Magic. Në Oklahoma, Jayson Tatum shënoi 24 pikë dhe Boston Celtics përmbysi diferencën 16 pikëshe pas pushimit për të mposhtur City Thunder 101-95.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat