NBA, bien kryesuesit e Golden State dhe Torontos

Basketboll

NBA, bien kryesuesit e Golden State dhe Torontos

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 09:22
Lou Williams

Lou Williams erdhi nga stoli dhe shënoi 25 pikë, në një superparaqitje që ndihmoi Los Angeles Clippers të befasojë kampionët në fuqi dhe kryesuesit e Konferencës së Perëndimit, Golden State Warriors, në një sfidë të fituar 121-116 në “Staples Center” vetëm pas kohës shtesë.

Williams realizoi 10 prej pikëve të tij në shtesë për t’i dhënë fitoren “Clippers”-ave, pasi këta të fundit kishin rikuperuar një diferencë prej 14 pikësh në periodën e katërt, përpara se të bënin gjithçka për triumfin.

Veterani 32-vjeçar pati përkrahjen edhe të Montrezl Harrel, që realizoi 23 pikë duke ardhur gjithashtu nga stoli, me “Clippers”-at që përmirësojnë bilancin në 8 fitore e 5 humbje, ndërsa Golden State shënon kështu disfatën e tretë sezonale, kur numërojnë edhe 11 fitore.

Kevin Durant udhëhoqi kampionët në fuqi me 33 pikë të shënuara, ndërsa ra në sy edhe Klay Thompson me 31 pikë, nga të cilat 15 pikë si pasojë e gjuajtjeve tripikëshe.

Më herët gjatë mbrëmjes së të hënës, humbja e “Warriors”-ave u reflektua gjithashtu nga humbja e kryesuesve të Konferencës së Lindjes, Toronto Raptors. Ekipi kanadez shënoi disfatën e dytë sezonale, pasi u dorëzua përballë New Orleans Pelicans në Toronto, ku u mposhtën 126-110.

Anthony Davis shënoi 25 pikë dhe kapi 20 topa në tabelë, duke udhëhequr kështu një paraqitje tejet sulmuese të “Pelicans”, por nuk ishte vetëm ai. New Orleans pa 4 lojtarë titullar që të arrinin shifra dyfishe realizueshmërie, duke regjistruar fitoren e 7 (edhe 6 humbje këtë sezon).

Nga ana tjetër, Moore shënoi 30 pikë, ndërsa Holiday 29 të tjerë dhe 14 asiste, duke ngazëllyer fansat vendas në “Scotiabank Arena”. Por, “Pelicans” frenuan njerëzit më të rrezikshëm si Kawhi Leonard dhe Pascal Siakam, që arritën vetëm 20 dh 22 pikë respektivisht.

Në ndeshjen tjeër, Philadelphia 76ers festoi rrëmbimin e Jimmy Butler nga Minnesota Timberwolves me një fitore 124-114 përkundrejt Miami Heat, edhe pse ai nuk mund të luajë deri ditën e mërkurë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat