Makolli: Në KOK me rroga 1500 euro, ata duhet ngritur zërin për t’i ndalë garat ilegale të Serbisë në Kosovë!

Boksi

Makolli: Në KOK me rroga 1500 euro, ata duhet ngritur zërin për t’i ndalë garat ilegale të Serbisë në Kosovë!

Nga: Kemajl Goca Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 12:03
Fatmir Makolli

Klubet nga Serbia vijnë e shkojnë sikurse në bahçe të babës në shtetin e Kosovës dhe zhvillojnë aktivitetet ilegale, pa u penguar nga askush, si në futboll, në basketboll, në hendboll, volejboll etj.  Klubet si Mokra Gora nga Zubin Potoku, futboll e hendboll, Trepça fantome në futboll e basketboll, Partizani i Lypjanit e Graçanica në volejboll e shumë klube tjera, garojnë në garat e Serbisë. Komiteti Olimpik i Kosovës, Ministria e Sportit e Kosovës, federatat, të gjitha heshtin karshi aktiviteteve ilegale të klubeve nga Serbia.

Fatmir Makolli, kryetar i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, tha se duhet urgjentisht të ndalohen ato. “Kjo punë është shumë e lehtë, sepse ne kemi treguar veten qysh në vitin 1990, kur është pavarësuar sporti ynë dhe nuk kemi pranuar të garojmë me ta. Tash e kemi shtetin dhe nuk e di se si i lejojnë klubet nga Serbia t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre në territorin e shtetit tonë. Pse ministria dhe KOK-u nuk merren me këtë çështje e mi ndaluar aktivitetet e tyre. A jeni Ju që i respektoni logot, simbolet dhe himnin e Kosovës?

Me çfarë sporte merreni? KOK i ka dy njerëz që marrin rroga 1500 euro. Është kryetari i KOK-ut me rrogë 1500 euro dhe sekretari i përgjithshëm me 1500 euro. Pse i marrin ato rroga? Për këto punë paguhen ata. KOK-u është piramida e sportit dhe duhet të kërkojë rreptësishtë të ndalohen garat e Serbisë në Kosovë. Edhe shteti, edhe ministria, edhe KOK-u dhe organet me të mëdha, duhet gjithqysh me vepruar e mi ndalë garat ilegale. Këto gjëra dihen, prej atij momenti që u pranua KOK në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, as himnin, as flamurin, as simbolet nuk mund t’i ndalojë askush, e kemi të drejtën e barabartë me të gjitha shtetet dhe të drejtën t’i ndalojmë aktivitetet ilegale të Serbisë në shtetin tonë. Nuk është Serbi këtu, prandaj shko e organizo gara të Republikës së Kosovës në Serbi, nuk ki asnjë mundësi dhe as që të lejojnë.  Duhet mi respektuar simbolet e shtetit dhe logot e federatave, ndryshe le të vijnë klubet serbe që veprojnë në Kosovë dhe të garojnë në aktivitetet që i organizojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Sepse si veprojnë ato, është mos njohja e shtetit të Kosovës. Federatat tona, për çka e kanë kryetarin, bordin dhe organet dhe duhet të veprojnë, ndërsa sikurse në kick-box të mbahet një aktivitet ilegal nga Serbia, nuk do ta kisha lejuar kurrë dhe as që do të flija tërë natën, nuk do të lejoja ata të vijnë në Prishtinë a Zubin Potok, të mbajnë kësi lloji aktivitete. Do të ngritja zërin në mekanizmat ndërkombëtar”, tha Makolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

 A mendoni se po frikësohen të reagojnë KOK me federatat tjera ndaj aktiviteteve ilegale serbe? “Këta nuk frikësohen dhe bëhen se nuk i shohin, e nuk po dëgjojnë asgjë, por ata nuk duhet mi mbyllë sytë. Ne i kemi organet tona dhe nuk duhet lejuar paralelizmat. KOK, i pari duhet me ngritë zërin, pastaj ministria, federatat dhe të shkojnë mënyrë zinxhirore,  të kërkojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria të ndërhyjnë, pra të dalin mekanizmat përkatës në vijën kufitare, t’i pyesin klubet nga Serbia, ku po shkoni? Përse dhe për çfarë aktiviteti”, tha Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat