Volkov mposht Werdum me “KO” dhe synon një sfidë për titull

Boksi

Volkov mposht Werdum me “KO” dhe synon një sfidë për titull

Më: 18 mars 2018 Në ora: 17:32
Volkov mposht Werdum

Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë Fabricio Werdum është mundur me “KO” në raundin e katërt nga Alexander Volkov, në eventin e UFC Fight Night 127 të zhvilluar në stadiumin “O2 Arena” të Londrës. Një fitore e vështirë e 29-vjeçarit Volkov, që korri suksesin e katërt radhazi në eventet zyrtare të UFC, ende i pamposhtur, ndërsa rekordi i tij në artet marciale mikse është prej 30 fitoresh dhe 6 humbjesh. Një sukses që e afron edhe më shumë rusin me përballjet e mëdha, ndaj dhe Volkov kërkoi nga UFC-ja që të ketë mundësi të duelojë për titullin kampion bote.

Për sa i përket duelit, ai nisi mirë për Werdum, që e dominoi atë në dy raundet e para, por duket se i mungoi goditja finale për ta mbyllur sfidën. Në moshën 41-vjeçare, kjo mund të jetë sfida e fundit për kampionin brazilian, që pësoi humbjen e tretë në gjashtë përballjet e fundit, tashmë larg më të mirëve dhe me pak shanse për t’u rikthyer kampion. “Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në gjithë këto vite. Jam i trishtuar, por shoh përpara me kokën lart i vetëdijshëm se jeta është e bërë me ulje e ngritje”, tha Werdum pas duelit të humbur ndaj Volkov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat