Gjetan Keta synon sërish majat, sfidon gjermanin Feigenputz

Boksi

Gjetan Keta synon sërish majat, sfidon gjermanin Feigenputz

Më: 8 prill 2018 Në ora: 15:39
Gjetan Keta

Në sport, por edhe në jetë nuk është e rëndësishme nëse rrëzohesh, rëndësi ka forca për t’u ringritur, aty ndahet kampioni nga ai që dorëzohet dhe Gjetan Keta është një kampion. Luftëtari shqiptar i cili dy vite më parë nuk arriti të fitonte titullin interkontinental IBF, duke u mposhtur nga gjermani Vincent Feigenputz, ka gjetur forcën për t’u ngritur në këmbë.

Në fakt nuk ishte boksieri nga Karlsruhe ai që i shkaktoi humbjen “Iron Mike Ketës”, por një problem me “veshin e mesit” të cilin e mbartte prej javësh, por që vendosi të mos e bënte publik dhe në të njëjtën kohë nuk kërkoi ta anulonte sfidën, edhe pse fizikisht nuk ishte në maksimum.

Ai problem vijoi edhe më tej, 34-vjeçari fillimisht e pati të vështirë të stërvitej dhe për një kohë mjekët i’a ndaluan të boksonte sepse mund të rrezikonte shumë. Tashmë pas dy vitesh Keta është ringjitur në ring dhe nën përkujdesjen e trajnerit që është njëkohësisht vëllai i tij, Ismailit, ka rigjetur formën ideale.

Është nga të paktat raste që një boksier i cili ka vuajtur nga “veshi i mesit”, rikthehet në ring me dëshirën për të kapur sërish majat dhe këtë po synon të bëjë Gjetani duke sfiduar menjëherë Vincent Feigenbutz.

Në raste të tilla vendoset të boksohet fillimisht me kundërshtarë të nivelit të dytë, por djaloshi nga Bulqiza e ka bërë të qartë që kërkon përballë pikërisht gjermanin. Ky i fundit ka një rekord të përsosur prej 28 fitoresh dhe asnjë disfate, megjithatë kjo duket se nuk e ka trembur aspak Ketën. Për momentin menaxherët e Feigebutz nuk e kanë pranuar ende ftesën, megjithatë Gjetani është aty, gati për t’u ngjitur në ring.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat