Zymberi: Një pjesë e fajit bie te Bogujevci, ky i fundi i përgjigjet

Boksi

Zymberi: Një pjesë e fajit bie te Bogujevci, ky i fundi i përgjigjet

Nga: Kemajl Goca Më: 17 prill 2018 Në ora: 17:12
Musli Zymberi

Boksi po kalon periudhë jo të mirë! Ka vite që mezi po mbijetojnë dhe janë prej sporteve me kushte shumë të këqija. Rezultatet mungojnë, po ashtu edhe niveli i boksierëve që duhet përfaqësuar Kosovën në garat e nivelit më të lartë. Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Boksit të Kosovës, Musli Zymberi, njëherësh anëtar i bordit të Federatës së Boksit të Kosovës, shprehet kritikë dhe më shumë e thumbon sekretarin e përgjithshëm të federatës, Mehmet Bogujevcin. “Në Kampionatin Europian në boks për të rinj, pjesëmarrës janë: Shpejtim Bajoku (60 kg), Erdonis Maliqi (64 kg) dhe Besart Pireva (75 kg). Kjo është pjesëmarrja e dytë e Kosovës në këtë kampionat për këto grupmosha.

Image

Mehmet Bogujevci

Anomalia e këtyre pjesëmarrjeve është se edhe herën e kaluar dhe tani Kosova merr pjesë pa asnjë ditë përgatitje të përbashkëta. Shtrohet pyetja: Pse? Nëse kjo bëhet rutinë atëherë diçka nuk është duke funksionuar ashtu siç duhet. Në këtë situatë, mendoj se një pjesë shumë e madhe e fajit i bie sekretarit të përgjithshëm z. Mehmet Bogujevcit, sepse i njëjti ka qenë nënkampion bote, dhe sigurisht se e din se në çfarë përgatitje, dhe sa kohë kanë zgjasin ato përgatitje.

E dyta, vërejtje është: ekipi që ka udhëtuar për në Itali, selektori Shefki Bogujevci me dy garues, sepse i treti ishte në përgatitje me investime vetanake (familjare), dhe i pret në Itali. Vërejtja ime është, pse nuk ka edhe një trajner me ekip, pse nuk ka fizoterapeut, pse nuk ka kadem (personi që kuron plagët në pauzën në mes rundës), pra, prezantimi i kombëtares në këtë mënyrë është jo serioze. Një përfaqësim i dinjitetshëm mendoj që është i domosdoshëm. Deri kur ne do vazhdojmë me këtë ritëm?”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Zymberi. 

Ai thumbon edhe ata që drejtojnë federatat sepse sipas tij, duhet të kenë një qasje më të mirë. “Mendoj se për këtë duhet seriozisht të mendojnë ata që janë në krye të federatave, unë tani fjalën e kam për atë të boksit. Nëse dëshirojmë rezultate atëherë duhet të mundësohen kushtet, t’i dërgojnë në përgatitje së paku një muaj, t`ju sigurojnë veshmbathje kualitative, edhe atë komplet me valixhe, ekipi të jetë komplet (selektori, trajneri, mjeku, fizoterapeuti, kademi, udhëheqësi i rrugës dhe garuesit). Kur këto kusht plotësohen është shumë normale të kërkohet edhe rezultati. Tani është koha që një herë e përgjithmonë ta fshijmë nga fjalori fjalën: ‘Me rëndësi është pjesëmarrja’, kjo duhet të zëvendësohet me rezultate.

Është koha e rezultateve dhe e sukseseve”, tha Zymberi. Bogujevci i përgjigjet Zymberit, duke e fajësuar atë që nuk mbledhë para për boks.  “Përgatitjet bëhen sipas kushteve. Me paratë e huazuara marrim pjesë në Itali dhe asnjë centi nuk na është lëshuar deri me tash nga ministria. E kemi të nënshkruar memorandumin me ministrinë, por nuk kemi ende mjete. Para një muaji kemi qenë në përgatitje dhe nuk mundem tërë vitin të rrijmë në përgatitje.

Janë klubet ato që duhet përgatisin boksierët, jo federata. Federata mund t’i dërgojë në përgatitje speciale 10-15 ditë, por në mungesë të mjeteve ka qenë e pamundur. E mira ish kanë me shkuar në një kamp ndërkombëtar, bashkë me boksierët më të mirë të Evropës, por nuk ka mjete. Zymberi është me përgjegjës se unë, se ai është kryetar shoqate dhe anëtar i Bordit, ai duhet të bjerë mjete, unë jam argatë me rrogë. Planin e kemi,  por duhet mjetet për me realizuar”, tha Bogujevci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat