Sot në Zhabar të Mitrovicës bëhet varrimi i ish-nënkampionit evropian Daut Dautiit

Boksi

Sot në Zhabar të Mitrovicës bëhet varrimi i ish-nënkampionit evropian Daut Dautiit

Më: 21 prill 2018 Në ora: 06:28
Daut Dauti dhe Hysen Ibrahimi

Shikuar shkurtimisht historikun e gjysmës së popullit shqiptar që sot jeton në një shtet të pavarur që quhet Kosovë, ndër të tjera, do të hasim në emra të veçantë, në personalitete që dhanë shumë për këtë tokë të lagur me gjak me shekuj.

Të gjithë i njohim ato figura të shkëlqyera patriotike e atdhetare dhe intelektualët e ndritur.

Kësaj radhe bisedojmë me Daut Dauti, ish boksier i Klubit të boksit “Akumulatori” nga Mitrovica dhe i Klubit të boksit “Prishtina”. Ai shpalos kujtime interesante dhe dramatike për një kohë të largët, por shumë të lavdishme. Ai flet për figura të pashlyeshme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për jetë e mot në gjithë atë gamë të vëshirësive të mëdha që pati populli ynë me shekuj.

Legjendat nuk lindin rastësisht. Ato lindin brenda një populli, krijohen e zhvillohen brenda tij. Një legjendë nuk identifikohet vetëm me një veprim a një vepër. Legjendat kanë emra të mëdhenj, kanë vepra të mëdha, kanë veprimtari të shumëta. Legjenda kanë mbetur edhe disa personalitete të shquara nga fusha e sportit. Si shembull konkret Daut Dauti e merr ngoje një legjendë e sportit kosovar që me vite ia zbardhi fytyrën gjithë shqiptarisë në disiplinën e boksit. Është ky i madhi Lah Nimani, njëri ndër profesorët e parë në lënden e edukatës fizike në Kosovë. Si një kuadër deficitar i asaj kohe, Lahu filloi të punojë në gjimnazin e Mitrovicës dhe shumë shpejt bie në sy si një edukator i denjë por edhe si një talent që po lind në disiplinën e boksit. Ky personalitet i shquar sportiv filloi të tubojë të rinj dhe të ushtrojë me ta në mjeshtrinë e një sport jashtëzakonisht të vështirë, që i thonë sport fisnik - boks. Lah Nimani me djelmoshat e Mitrovicës dhe rrethinës nuk u ndal në asnjë moment dhe sukseset e tij që në fillim ishin evidente dhe sportdashësit me admirim

filluan ta përmendin emrin e këtij mjeshtri të madh të kësaj disipline. Me shkathësitë e treguara profesor Nimani iu desht më shumë se kurrë sportit kosovar dhe kështu nga Mitrovica kaloi në klubin e boksit “Prishtina” të kryeqendrës sonë, së pari si ndihmës trajneri, ndërsa vetëm pas një viti mori timonin dhe në vazhdimësi suk-seset ngarendnin njëri pas tjetrit. Pesë vite me radh ky klub kishte pozi-tën e parë në tabelën e klubeve elite të boksit në ish Jugosllavi, ndë-rsa një numër i madh i boksierë-ve ishin të pa konkurrencë në kategorit e tyre.

Pos që ishin në shumë kategori të parët, boksierët kosovarë morën trofe në shumë gara të nivelit të atëhershem federativ, por edhe në gara ndërkombëtare si dhe në olimpiadat e organizuara në kontinente të ndryshme në gjithë rruzullin tokësor. Ç’ është e drejta, trajneri Lah Nimani iu tregoi popujve sllavë të asaj se përkundër ndërskamcave dhe hileve që iu bënin sportistëve kosovarë, në boks do të jetë krejt ndryshe. Thënë shkurt, ai me një profesionalizëm të pashoq trajnoi boksierët shqiptarë, por edhe të tjerë në atë nivel sa që secilit kundërshtar iu dridheshin këmbët ende pa filluar meçi. Duke parë se si po shkëlqen Klubi i Boksit “Prishtina” trajneri i tij pati oferta nga të gjitha klubet e atëhershme për të kaluar tek ata, por ai refuzoi një gjë të tillë. E ndiente në zemër e shpirt si një obligim patriotik e kombëtar në ngritjen e sportit shqiptar të Kosovës. Ai këtë e arriti. Dhe jo vetëm kaq. Permes sukseseve të njëpasnjëshme Lah Nimani arriti që të sensibilizojë çështjen e shqiptarëve të Kosovës, popull ky i tretë përkah numri i banorëve në ish Jugosllavi, por që fshihej nga udhëheqja e atij shteti. Puna, angazhimi, durimi e sakrifica bënë që në të gjitha kontinentet të dihet se vërtet paska shqiptarë në atë krijesë sllavo-komuniste dhe se ata po dallohen nga të tjerët me mjeshtrinë, forcën, talentin dhe gatishmerinë e tyre që me çdo kusht të dalin fitimtar. Thënë me gjuhën e fakteve, Lah Nimani është legjendë e gjallë e boksit kosovar dhe ai do të mbetet emër i paharruar për jetë e mot dhe figurë e ndritshme e kësaj disipline.

Ambiciet për një karrierë në boks nuk pushonin në asnjë moment

Ambiciet e secilit sportist janë të fitojë, të jetë i pari, të jetë i famshëm. Këtë dëshirë të madhe nuk mund ta arrijnë të gjithë, por vetëm ata që kanë talent, vullnet, disiplinë, mjeshtri e forcë më të madhe se të tjerët. Të tillë sporti kosovar pati mjaft si futbollistë, hendbollistë, basketbollistë, pingpongistë, shenjëtarë, skitiatorë etj. Mirëpo, njëra ndër disiplinat më të ndritshme të sportit kosovar pa dyshim se është boksi, sportistët e të cilit lanë gjurmë të pashlyeshme në gjithë historikun e sportit kosovar.

Një yll që shndriti në disiplinën e boksit shqiptar në vitet e shtatëdhjeta e më pas është Daut Dauti. Ai lindi më 1 shkurt 1956 në Zhabar të Mitrovicës. Shkollën fillore e kreu në Shipol, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Nga ajo kohë dhe nga vitet e rinisë së hershme ai me pietet përmend mësuesit e tij Sejdi Nimanin, veteran i arsimit, Idriz Kamberin e Remzije Nimanin, ish deputete, që i dhanë shpresë e vullnet për jetë e për t’u edukuar në frymën e shqiptarizmit. Posaçërisht me ndjenja të larta vë në spikamë rolin e profesorit dhe trajnerit Lah Nimani, i cili edhe pse ndonjëherë ishte pak më i ashpër se zakonisht, kryesisht për shkak të fajit të tij, kurrën e kurrës nuk do ta harrojë.

Embrioni e familjes së tij rrjedh nga Shllaku i Tropojës, e cila qysh para treqind viteve ishte vendosur në këtë fshat pët t`u rritur e zhvilluar siç është më së miri. Nga kjo familje do përmendur emrat e atyre që u dalluan dhe i njeh jo vetëm opinioni i komunës së Mitrovicës, por edhe më gjerë. Ata janë: Jakup dhe Shaban Idrizi, Ramadan Delija, gjyshi i deputetes së tashme të Kuvendit të Kosovës, Shpresa Osmani, Beqir Sadiku, Kryetar për shumë viti i degës së LDK-së në Suedi etj. Me punën e palodhshme që bënë anëtarët e kësaj familje, ata kishin arritur të krijojnë një pasuri goxha të madhe nga e cila përfituan edhe të tjerët që ishin në gjendje të rëndë ekonomike, por edhe ata që kishin marrë rrugën e çlirimit kombëtar. Thënë konkretisht, anëtarët e vyeshëm të kësaj familjeje kishin arritur të ndërtojnë disa mullinjë, nga të cilët krijonin të ardhura të mira.

Duke parë se kjo punë patriotike po rrezikonte regjimin serb për ta mbajtur kohë të gjatë nën okupim Kosovën, xhandarmëria arreston gjyshin e Dautit, Daut Poterën, të cilin e dënojnë së pari me pushkatim, ndërsa më vonë ia zbresin dënimin me burgim të perjetshëm. Akuzat ishin të pacipa sepse gjyshi i tij asnjëherë nuk i kishte vrarë tre serbë, për çka akuzohej, por e vetmja arsye ishte që t’ i ndërpritet rruga e financimit të patriotëve të asaj kohe. Pas torturimit të vazhdueshëm në Burgun e Lepogllavës ai vdes në vitin 1939. Ndërkaq, babai, Abiti, vdes në vitin 1968 dhe kështu barra e madhe i mbetet nënës Fahrije për të rritur e edukuar fëmijët e mbetur pa baba. Këtë punë të mundimshme ajo arriti ta kurorëzojë me sukses, për çka fëmijët e saj e fanlënderojnë shumë nga zemra.

Interesimi për boksin nga klasa e shtatë e fillores

Interesimi i Daut Dautit për t’u marrë me mjeshtrinë e boksit filloi nga klasa e shtatë e shkollës fillore, atëherë kur gati për çdo ditë përcillte trajnimin e talentëve mitrovicas, punë këtë që e bënte Lah Nimani. Ëndrrat dhe ambiciet e tij për t’u bërë një boksier me karrierë të famshme nuk pushonin edhe pse ai ende nuk ia kishte filluar angazhimit të tij në këtë sport.

Dëshira e Dautit për të bërë emër ishte çelni-kosur atëherë kur fillonin garat dhe kur në lokalet ku zhvilloheshin meçe interesante tuboheshin mbi dhjetë mijë veta dhe brohorisnin për më të mirët. Ishte kjo një kurajo, një vullnet, një shtytje që në moshën pak të tejkaluar 14 vjeçare të inkuadrohet në klubin “Akumulatori” të Mitrovicës, përkatësisht në vitin 1972. Kuptohet trajner kishte Lah Nimanin, i cili kishte vërejtur se ky djalosh ka një talent bukur të madh dhe se një ditë do të shkruhet e flitet shumë për të. Mirëpo, brenda një periudhe të shkurtër trajneri që i jepte shpresa të mëdha këtij të riu me ardhmëri të ndritur, kaloi në Klubin e Boksit “Prishtina” dhe për këtë punë më pas u angazhua Enver Rrustemi, po ashtu, profesor i edukatës fizike. Në klubin ku trajnonte Dauti ishin të inkuadruar edhe boksierët Sefedin Braha, Abit Kaçiku, Milazim Ismajli, Ruzhdi Ibrahimi, Xhevat Aliu, Haki Peci, Ajet Halili, Ruzhdi e Agim Hasani, Mehmet Haxhani, ndërsa Xhevdet Peci, Enver Hajredini dhe Faruk Gërxhaliu së bashku me trajnerin Lah Nimani kishin kaluar në klubin e kyeqendrës së Kosovës. I preokupuar vazhdimisht për të dalë i pari, për t’u dalluar nga të tjerët ky i ri jo vetëm që nuk e humbi asnjë ditë trajnimi por edhe pas kohës së përfunduar vazhdonte të ushtronte për të fituar forcë e kondicion fizik e shpirtëror. Tri vite të një pune të madhe, të një angazhimi nganjëherë edhe përtej mundësive, të një disipline të pashoq ishin të mjaftueshme që Dauti të tregoj¨s tërë atë talent të fituar brenda litarëve me kundërshtarë të fortë, me kundërshtarë që kishin emër në boksin e ish Jugosllavisë.

Image

Viti 1975 për Dautin ishte jashtëzakonisht i suksesshëm

Në vitin 1975 në Prishtinë ishin organizuar gara krahinore individuale në boks edhe ky ishte momenti më i volitshëm për Daut Dautin që të demonstrojë tërë atë shkathtësi që kishte fituar gjatë tri viteve të mëparshme. Dhe vërtet, djaloshi nga Mitrovica ishte bërë një boksier i spikatur dhe pa vështirësi në kategorinë e lehtë zuri vendin e parë. Të njëjtin vit u mbajtën gara federative individuale edhe në Saraj të Shkupit dhe tri meçet e para i fitoi shumë lehtë. Ndërkaq, në meçin e katërt erdhi në shprehje si gjithmonë ajo urrejtja patologjike e njërëzve joprofesionistë e josportistë që kishin ndaj shqiptarëve dhe fitoren e pastër si loti ia dhanë kundërshtarit të Daut Dautit.

Se iu kishte bërë një e padrejtë e madhe u vërejtë edhe në reagimin jashtëzakonisht të ashpër të mijëra simpatizuesve të kësaj loje fisnike, të cilët me brohoritje e fishkëllima përcollën vendimin shumë të padrejtë të gjyqtarëve dhe ngritjen e dorës së fitores së boksierit që në të vërtetë e kishte humbur atë meç. Po ashtu, edhe mjetet e informimit kishin njohtuar opinionin se në Saraj iu kishte bërë një e padrejtë kosovarit Daut Dautit, një talent që po premtonte shumë.. Megjithatë, ky ishte një sukses i jashtëzakonshem i boksierit kosovar, i cili për të parën herë mori pjesë në këtë garë dhe në një konkurencë shumë të fortë ishte i dyti në kategorinë e tij në ish Jugosllavi. Sukses në këtë garë patën edhe kolegë të tjerë të kësaj disipline sportive.

E mira e së mirës ishte se pas kthimit nga Shkupi bashkëvendësit e tij në Mitrovicë e pritën shumë mirë, bile në këtë pritje ishte edhe kryetari i komunës, i cili edhe pse ishte ende në vitin e fundit të shkollës së mesme i kishte premtuar se do ta punësonte. Kjo pritje e përzëmërt, siç thotë Dauti, i dha një kurajo edhe më të fuqishme drejt sukseseve të reja.

Po ashtu gjatë këtij viti u mbajtën edhe gara të klubeve të boksit nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë në Ivangrad të Malit të Zi , me ç’rast edhe atje kishte arritur sukses të shkëlqyer. Nuk shkoi larg dhe Enver Hajredini e Xhevdet Peci organizojnë një takim të ekipit të dytë të “Prishtinës” dhe ekipit të “Trepçës” të Mitrovicës. Edhe në këtë garë triumfon protoganisti i bisedës sonë dhe në këtë mënyrë iu hap rruga që në shtator të vitit 1975 të inkuadrohet në Klubin e Boksit “Prishtina”, ftesë kjo që iu kishte bërë nga trajneri Lah Nimani. Ç’është e drejta, pas meçit në Mitrovicë, që kishte ngritur në këmbë mbi dhjetëmijë spektatorë, Lah Nimani kishte shkuar në godinën e shkollës së mesme, e kishte përqafuar Dautin, ia kishte uruar gjithë atë sukses të arritur dhe ia kishte lënë ftesën që të paraqitet dhe të bëhet pjesë e pandarë e klubit të kryeqendrës sonë.

Image

I pari në Ballkan, i dyti në Evropë

Duke mos pasur përvojën e duhur të një shkalle më të lartë të garave, Daut Dauti në fillim pësoi dy tre humbjet e para që nuk i krijonin ndonjë përshtypje te trajneri Lah Nimani, sepse siç thoshte ai, dikush duhet të humbë. Në të vërtetë ky personalitet i shquar i sportit ia dinte fare mirë talentin e këtij të riu mitrovicas dhe ky besim që kishte në të nuk e mashtroi, përkundrazi vetëm sa shtoheshin trofetë e kupat që ai i fitonte në gara të ndryshme kudo që mori pjesë. Kështu për shkak të një talenti që kishte dhe sukseseve që kishte arritur, në kampionatin europian të boksit për të rinj që u organizua në Dublin të Irlandës të vitit 1978 u zgjodh kapiten i reprezentacionit jugosllav, ndërsa në kryqëzimin e dorëzave me boksierë të dalluar arriti që Daut Dauti të bëhet nënkampion evropian. Po ashtu, gjatë këtij viti ky boksier zuri vendin e parë në garat ballkanike që u mbajtën në Sllavonski Brod të Kroacisë. Ky djalosh arriti që në turneun “Dorëza e hekurt” t’i dërmojë kampionët jugosllavë Shebeshqan dhe Homa, të cilët më nuk i veshën dresat e më të mirëve. Në konkurencën për të rinjë, po ashtu, arriti që ta zë vendin e dytë në ish Jugosllavi.

Sukseset e këtij djaloshi me ambicie të mëdha vetëm sa shtoheshin dhe kështu në vitin 1978 Daut Dauti shpallet njëri ndër dhjetë sportistët më të dalluar në Federatën Jugosllave të Boksit. Në kulmin e karrierës së tij do permendur edhe një meç jashtëzakonisht të vështirë që optimisti më i madh nuk do të kishte besuar se do të përfundonte me atë rezultat. Është fjala për takimin e Daut Dautit me boksierin malazias Perunoviq kampion i shumfishtë shtetëror. Që nga fillimi shkëmbeheshin goditje të forta nga njëri tjetri dhe kështu vazhdoi deri në përfundimin e tij e meçit. Publiku i pranishem brohoriste parreshtur dhe ishte në mbështetje të sportisit të tyre Perunoviq, mirëpo këtë meç nuk e fitoi asnjëri. Rezultati ishte i barabartë. Ishte ky një sukses i madh i boksierit kosovar aq më parë kur dihet se pati një kundërshtar të fortë dhe loja u zhvillua në terren të huaj.

Gjatë karrierës prej një boksieri jashtëzakonisht të talentuar, Dauti ka zhvilluar 187 meçe prej të cilëve mbi njëqind i përfundoi në favor të tij, 37 i humbi (sidomos në fazën e rinisë së hershme dhe kur ishte si fillestar), ndërsa të tjerët i përfundoi baras.

Pesë vjet rresht Klubi “Prishtina” u shpall kampion

Daut Dauti në vazhdim sqaron e plotëson: në saje të një aftësie të pashoq që kishte trajneri Lah Nimani, Klubi i Boksit “Prishtina” nga viti 1975 deri në atë 1980 vazhdimisht shpallej kampion i ish Jugosllavisë. Në këtë triumf, që ishte i paarritshëm për klube të tjera, kontribuan boksierët: Xhevdet Peci, Aziz Salihu, Predrag Jovanoviq, Daut Dauti, Bajram Hashani, Nazif Gashi, Mehmet Bogujevci, Beqir Berisha, Nusret Rexhepi, Xheko Muhoviq, Zoran Dediqi, Haki Peci, Sami Buzolli, Sait Ajdini e të tjerë. Siç thotë bashkëbiseduesi ynë, këto fitore të njëpasnjëshme i gëzuan edhe ish udhëheqësit e Kosovës, të cilët në vitin 1979 i pritën në mënyrë madhështore. Ishte Nebi Gashi, Kryetar i Kryesisë së Kosovës i cili kishte qajtur kur këta djelmosha ia dhanë në dorë kupën e kampionit të Jugosllavisë për herë të katërt. Ndërkaq për Mahmut Bakallin thotë se ka ardhur shumë shpesh deri sa ushtronin në Saraj të Shkupit, duke iu dhënë kështu shtytje të madhe për rezultate edhe më kulminante. Me një fjalë, përkrahja e tyre ishte mjaft e rëndësishme, ngaqë sa i përket ndihmës materiale, ajo asnjëherë nuk vinte në pyetje. Nuk harron të flas edhe për Xhevdet Pecin, për të cilin thotë se ishte boksieri më i mirë gjatë kulmit të suksesit të Klubit “Prishtina” për shkak se në momentet vendimtare sillte triumfin. Ndërkaq, boksierët që më së shumti kanë fituar kupa e medalje, sipas tij, janë Mehmet Bogujevci dhe Sami Buzolli.

Image

“Legjenda nuk vritet lehtë sepse ajo nuk lind lehtë”

Daut Dauti në vazhdim flet për shumë ngjarje të pashlyeshme, të rëndësishme dhe të rrezikshme gjatë dhjetë viteve sa ishte në Klubin "Prishtina"

Posaçërisht vë në spikamë atentatet që ishin organizuar kundër trajnerit Lah Nimani. Tri herë u bë atentat në trajnerin shqiptar Lah Nimani.

Për herë të parë ai ishte gjuajtur me pushkë automatike afër rrjedhës së Lumit Moraça në Mal të Zi para kryqëzimit të dorëzave me klubin malazias “Buduçnost” të Podroricës, që bënte gara në elitën e boksit në ish Jugosllavinë. Për fat të mirë plumbat e shkrepur nuk e kishin goditur dhe Lah Nimani sypatrembur kishte ardhur te boksieret e tij dhe iu kishte thënë: “Mos u frikësoni nga asnjëri. Mua me gjuajtën me automatik, por rrugën time për fitore të reja askush nuk do të mund të ma ndalë!”

Hera e dytë që u tentua të vritet ky sportist i njohur ndërkombëtarisht ndodhi po ashtu në Mal të Zi, në Kollashin. Edhe kësaj radhe shpëtoi. Plumbi nuk e qëlloi edhe herën e tretë. Ky atentat kësaj radhe ishte organizuar në Serbi, përkatësisht në Kiselak. Legjenda nuk vritet lehtë sepse ajo nuk lind lehtë. Ajo jeton deri sa të jeton edhe populli. Për të është krijuar e zhvilluar. Ndaj pa e krye amanetin lëgjenda kurrë nuk vritet, nuk zhbëhet.

Më pas Dauti përkujton se kur Lah Nimani u bë pjesë e pandashme e klubit të kyeqytetit, ai pagëzohej me emrin “Radniçki”. Ky emër e pengonte shumë këtë njëri të madh e atdhetar dhe pasi u zgjodh kryetrajner nuk kaloi shumë kohë dhe ia ndërroi emrin duke e emërtuar në Klubin e boksit me emrin “Prishtina”. Protagonisti i bisedës sonë thekson më tej se Lahu ishte edhe prind, edhe edukator edhe ekspert e profesionalist e disiplinës së boksit. Kur thuhet si prind, atëherë shlirshëm mund të përmenden shembuj të shumtë se sa iu ka ndihmuar djelmoshave që i ushtronte për gati çdo ditë. Ç’është e drejta, ai përveç se iu kishte siguruar të ardhura të mira materiale iu bënte trysni që të shkollohen, sepse sporti është jetëshkurtër, sqaronte ai, ndërsa arsimimi mbetet përgjithmonë.

Gjurmë të pashlyeshme ai la edhe si një mësues i palodhshëm në procesin arsimor që punoi për shumë vite. Ishte përpjekur parreshtur që nxënësit t’i edukojë në frymën patriotike dhe t’ua bëjë me dije se pa arsim nuk ka prosperitet e ardhmëri të lumtur për asnjë popull. Ndërkaq, si ekspert ai dha shumë për boksin kosovar. Nuk e pati leht të arrijë këto rezultete kulminante ngaqë edhe referët edhe publiku jashtë Kosovës nuk ishte korrrekt me boksierët prishtinas. Mirëpo, këta sportistë të dalluar i dërmonin kundërshtarët me goditje të rënda, me nokdaun e nokaut ashtu siç i kishte mësuar e trajnuar Lah Nimani dhe i fiutonin duelet.

Daut Dauti nuk e lë pa përmendë edhe mungesën e institucioneve shtetërore për të cilat konsideron se nuk kanë bërë sa duhet për këtë lëgjendë. Nëse asgjë më shumë deri me tash nuk ka mundur të bëhet, bile një rrugë, një objekt sportiv, një shkollë, një institucion diku ka mundur të mbajë emrin e këtij njeriu të madh, emër ky që do të rrojë për jetë e mot.

Daut Dauti, ky sportist i dalluar mitrovicas, i cili që nga viti 1991 jeton në Suedinë e largët, ka dhënë një kontribut të madh matrial për nevojat shumë të mëdha të popullit të Kosovës. Është krenar që vajza e tij ka arritur që të kryej fakultetin dhe e cila tash punon si oficere e sigurimit në forcat ushtarake suedeze. Ndër emrat e veçantë të politikës ai në zemër ka politikanin, shkrimtarin e diplomatin e vyer Dr. Ibrahim Rugovën, për të cilin thotë se ai trasoi rrugën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

TELEGRAM NGUHËLLIMI FAMILJES DAUTI

E nderuara familje Dauti,

I dashur Lorik dhe ju të afërm të tjerë të familjes Dauti,

Të nderuar sportistë – kolegë të Daut Dautit,

Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI - Albani” në Suedi, mori me pikëllim lajmin për ndarjen nga ne të z. Daut Dauti - anëtar i kësaj shoqate dhe mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Republikës së Kosovës me anë të kontributit të tij nëpërmjet veprimtarisë së tij të pakursyeshme.

Daut Dauti, biri i Abitit dhe nipi i Daut Poterës, një atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare, i cili ishte likuiduar në burgun e Lepogllavës (gjatë viteve 1939-1940) për shkaqe politike dhe se i kishte vrarë tre serbë. Dauti -pinjoll i Daut Poterës, me ekzekutimin e babait, mbetit jetim shumë i ri. Vazhdon rrugën me guxim, duke mbaruar shkollën fillore dhe të mesmen e që më pas, me vullnetin e tij, angazhohet në sport.

Daut Dauti la gjurmë në fushën e sportit në boks, ku ishte renditur në vendin e dytë në Evropë, i pari në Ballkan dhe fitues i shumë medaljeve në këtë sport, që e ngriti lart emrin e Kosovës dhe të popullit shqiptar.

Daut Dauti renditet në mesin e plejadës së boksierëve më të dalluar, me në krye Lah Nimanin, siç qenw Mehmet Bugujevci, Xhevdet Peci, Haki Peci, Aziz Salihu, Bajram Hashani, Nazif Gashi,  Sait Hajdini, Naser Bajrami, Afrim Majanci, Mehmet Axhani, Naser Tupella, Sherif Aliu, Sami Buzolli, Shefki Bugujevci, Faruk Gërxhaliu, Enver Hajredini e shumë e shumë boksierë të tjerë.  Kjo plejadë e boksierëve ka lënë gjurmë në historinë e boksit në ish-Jugosllavi gjatë viteve të shtatëdhjeta, ku, përveç se ishin më të dalluarit, ata ngritën lart emrin e Kosovës dhe të shqiptarëve në tërë botën.

Daut Dauti  do të kujtohet si një njeri i devotshëm i çështjes kombëtare. Ai pat marrë pjesë në secilën protestë në përkrahje të Kosovës dhe çështjes shqiptare dhe ka qenë mbështetës në të gjitha drejtimet, qysh prej ardhjes së tij në Suedi, në vitin 1992, e deri në ditën kur ai ndërroi jetë, duke vepruar dhe mbështetur fuqishëm prof. Beqir Sadikun, i afërm i juaj, që dha kontribut në Suedi për çështjen kombëtare.

Dëshira juaj e fundit, Daut Dauti, ishte që ne – Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi ta botonim një libër kushtuar biografisë suaj. Të premtojmë se ky amanet i yti do të shkojë në vend dhe do ta botojmë, kuptohet, me mbështetjen e familjes suaj.

Të nderuar të pranishëm,

Me këtë rast ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes suaj të nderuar Dauti, të afërmve dhe të gjithë shokëve dhe miqve të tij. Vepra kombëtare e Daut Dautit do të mbetet e pashlyer në mendjen dhe në zemrat e mërgimtarëve shqiptarë në Suedi. Tani pusho i qetë në dheun e Kosovë që aq shumë e deshe, o vëllai ynë - Daut Dauti.

Mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin me shpirtin tënd!

Në emër të Kryesisë dhe Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI -Albani”  nëSuedi, Hysen Ibrahimi - kryetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat