Joshua-Wilder, në Angli apo në Amerikë?

Boksi

Joshua-Wilder, në Angli apo në Amerikë?

Më: 15 maj 2018 Në ora: 19:37
Joshua-Wilder, në Angli apo në Amerikë?

Eddie Hearn, menaxheri dhe promotori i boksierit britanik Anthony Joshua, ka rrëfyer sot se bisedimet mes tij dhe stafit të boksierit amerikan Deontay Wilder po vazhdojnë rregullisht dhe gjasat janë që dy boksierët kampionë bote të duelojnë këtë vit mes tyre, në një përballje që do të unifikonte titujt kampionë bote në peshat e rënda. Duket se një ngëç në mbylljen e marrëveshjes është vendi se ku do të zhvillohet sfida, në Britaninë e Madhe apo në Amerikë.

“Joshua dëshiron që të duelojë në Angli, në një stadium të madh dhe para shumë shikuesve. Por edhe ideja për të zhvilluar duelin e parë në Amerikë është tërheqëse. Tashmë ka ardhur koha që të marrim vendimet e para, pasi e dimë që të dyja palët e duan këtë sfidë. Kjo sfidë është një mundësi e artë për të dy boksierët, të dy janë të pamposhtur në ring dhe në fund do të kemi një kampion të vetëm, gjë që e dëshirojnë të gjithë”, tha Hearn.

“Komunikimet mes nesh janë të shpeshta, të përditshme dhe kjo është e rëndësishme. Të shohim se ku do ta zhvillojmë duelin. Nëse ai do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do ta organizojmë në shtator, nëse vendosim për në Amerikë, atëherë ka shumë gjasa që të zhvillohet në nëntor. Gjithsesi, mendoj se kjo do të jetë sfida e radhës për të dy boksierët”, u shpreh Eddie Hearn, që javën e kaluar ka qenë në Amerikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat