Përplasja mes guvernatorëve dhe zyrtarëve lokalë mbi urdhërin për maskat

Bota

Përplasja mes guvernatorëve dhe zyrtarëve lokalë mbi urdhërin për maskat

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 23:14
Foto ilustrim

Dy drejtori arsimore në Teksas po sfidojnë një urdhër të lëshuar nga guvernatori Greg Abbott që ndalon qeveritë vendore të marrin vendime për përdorimin e maskave, ndërsa shteti jugperëndimor amerikan përballet me një rritje dramatike të infeksioneve të reja me COVID-19.

Michael Hinojosa, shef i drejtorisë arsimore në Dallas, njoftoi të hënën se të gjithë studentët dhe mësuesit duhet të mbajnë maska. Urdhëri vjen vetëm disa ditë pasi drejtori i shkollave publike të Hjustonit, distrikti më i madh shkollor në Teksas, njoftoi se do të kërkonte nga bordi drejtues i arsimit që të miratonte një mandat të ngjashëm.

Kreu i bordit drejtues të komisionerëve të qarkut Dallas, gjyqtari Clay Jenkins, ka ngritur një padi kundër urdhrit ekzekutiv të guvernatorit Abbott.

Organizata jofitimprurëse për mbrojtjen e fëmijëve “South Center for Child Advocacy” po ashtu ka ngritur një padi në qarkun Travis, ku bën pjesë edhe kryqyteti Austin, duke kërkuar ndalimin e përkohshëm të urdhërit të guvernatorit.

Mes kundërshtimeve në rritje ndaj urdhrit të tij, guvernatori Abbott bëri thirrje të hënën që spitalet në të gjithë shtetin të shtyjnë në mënyrë vullnetare të gjitha proceset kirurgjikale jo urgjente dhe procedura të tjera mjekësore për të përqendruar të gjitha përpjekjet e tyre në trajtimin e numrit në rritje të pacientëve me COVID-19.

Shumë spitale kanë arritur kapacitetet ose tejkaluar ato, ndërsa dy spitale të mëdha në qytetin Houston kanë ngritur çadra për të përballuar numrin e lartë të pacientëve me koronavirus.

Guvernatori Abbott gjithashtu u ka dhënë urdhër agjencive shtetërore që të kërkojnë personel mjekësor shtesë jashtë Teksasit për të ndihmuar në përballimin e shtimit të pacientëve.

Guvernatori i Floridsë, Ron DeSantis, ka thënë se nuk do ta bëjë të detyrueshme përdorimin e maskës në shkolla ndërsa ai shtet po përballet me shtimin e rasteve me koronavirus. Por disa drejtori arsimore në disa qarqe kanë thënë se do ta bëjnë të detyrueshme përdorimin e maskës nga nxënësit dhe mësuesit. Guvernatori DeSantis ka kërcënuar se do të ndalojë fondet për drejtoritë arsimore dhe do të ndalojë pagat e drejtuesve të arsimit që kundërshtojnë urdhrin e tij.

Ashtu si Teksasi, edhe shteti i Floridës po përballet me një valë të re infektimesh në rritje, ndërsa më shumë se 40% e shtretërve në pavionet e kujdesit intensiv në spitalet e Floridës janë të mbushura me pacientë me COVID-19./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat