Rihapen shkollat ​​për vajza në Herat të Afganistanit

Bota

Rihapen shkollat ​​për vajza në Herat të Afganistanit

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 15:24
Foto ilustrim

Shkollat ​​për vajza nga klasa e shtatë deri në klasën e 12-të janë rihapur në Herat, qyteti i tretë më i madh në Afganistan, thanë vendasit.

Talibanët kanë qenë nën presionin e komunitetit ndërkombëtar që kur morën pushtetin pothuajse tre muaj më parë për të lejuar të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë.

Zyrtarët talebanë nuk komentuan hapjen e shkollave, por prindërit në Herat, të cilët kanë fëmijë femra, thanë se vajzat e tyre kishin ndjekur mësimet për dy ditët e fundit. 

Të paktën 26 shkolla për vajza mbi klasën e gjashtë janë rihapur në qytetin e Heratit, thanë familjet.

Mohamed Rafik Sediki, një banor i Heratit, tha se dy vajzat e tij, të cilat ndjekin klasën e tetë dhe të nëntë, janë të gëzuara që shkojnë sërish në shkollë. Ai tha se ndjeu lehtësim pas disa javësh shqetësimesh.

“Unë kam vuajtur dhjetë herë më shumë se vajzat e mia kur ato nuk mund të shkonin në shkollë”, tha ai.

Gjatë qeverisë talebane nga viti 1996 deri në vitin 2001, vajzave dhe grave u ndalohej të shkonin në shkollë, të punonin dhe të shfaqeshin në publik. Që nga marrja e pushtetit më 15 gusht, talebanët janë përpjekur të bindin popullatën dhe komunitetin ndërkombëtar se ata kanë ndryshuar dhe se regjimi i tyre do të jetë më pak brutal se ai i mëparshmi.

Komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar të njohë qeverinë talebane derisa ajo të përmbushë një listë kërkesash, duke përfshirë respektimin e të drejtave të grave dhe edukimin e vajzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat