Amerika e fut Rusinë në listë të zezë

Bota

Amerika e fut Rusinë në listë të zezë

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 09:01
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Departamenti i Shtetit i ShBA-së e ka futur zyrtarisht Rusinë në listën e shkelësve më të këqij të lirisë fetare. Në këtë listë ndodhen edhe Irani, Pakistani, Taxhikistani, Turkmenistani e pesë shtete të tjera.

Komisioni për Liri Fetare Ndërkombëtare, organ i pavarur i krijuar nga Kongresi për të dhënë rekomandime rreth lirisë fetare globale, kishte propozuar në raportin vjetor, të publikuar në prill, që Rusia, India, Siria dhe Vietnami të futen në listën e shteteve me shqetësim të posaçëm, kategori e rezervuar për shtetet që kryejnë shkelje “sistematike, të vazhdueshme e tepër të këqija” të lirive fetare.

Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se nga këto katër shtete, Rusia do t’i shtohet listës. India, Siria e Vietnami nuk u cilësuan “shtete me shqetësim të posaçëm”, shkruan Free Europe.

Futja në listën e zezë e hap rrugën për sanksione, nëse shtetet e përfshira nuk e përmirësojnë gjendjen.

Departamenti i Shtetit nuk e mori parasysh rekomandimin e komisionit për t’i futur Afganistanin, Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Uzbekistanin në listën për vëzhgim të veçantë.

Në raportin e prillit, komisioni i Kongresit tha se “kushtet për liri fetare në Kinë janë përkeqësuar vitin e kaluar, pasi qeveria i ka vënë në shënjestër pakicat fetare të cilësuara si jotradicionale me gjoba, ndalime dhe akuza kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat