Putini është “çmendur” pas rrëzimit të urës, sa larg shkon hakmarrja e tij?

Bota

Putini është “çmendur” pas rrëzimit të urës, sa larg shkon hakmarrja e tij?

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 14:47
Ura në Krime

Prej disa javësh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka përsëritur deklaratën se “lufta ka nisur dhe do të përfundojë në Krime”. Një synim që sigurisht i pëlqen një grupimi të madh ligjvënësish nga të dyja partitë në Kongresin Amerikan, por që nxit dyshime në administratën e presidentit Joe Biden.

Gjatë fundjavës presidenti amerikan nuk e komentoi sulmin mbi urën që e lidh Rusinë me gadishullin ukrainas, të cilin ai e pushtoi dhe aneksoi në vitin 2014. A u befasua sërish qeveria amerikane nga ukrainasit? Është interesant fakti që me kalimin e orëve, këshilltarët e Zelensky e ndryshuan qëndrimin e tyre.

Ata kaluan nga ngazëllimi, i ngjashëm me atë që shfaqën kur u fundos pas një goditje me raketa luftanija ruse “Moskva”, tek një sjellje me e matur, deri në atë pikën që në fund mohuan çdo lloj përfshirjeje në këtë sulm. Aktualisht ka elemente konkretë, për ta lidhur heshtjen e Shtëpisë së Bardhë me ndryshimin e dukshëm të sjelljes së Kievit.

Megjithatë, është një fakt se Ura e Kerçit ndodhet pikërisht në kufijtë e perimetrit të luftës që autorizon Uashingtoni. Që nga muajit prill e në vazhdim, Pentagoni dhe CIA vazhdojnë të këshillojnë ukrainasit të mos godasin objektivat në territorin rus.

Sepse Putin, që është gjithnjë e më në vështirësi, mund të kundërpërgjigjet me armë bërthamore taktike, gjë që do të ndryshonte në mënyrë dramatike rrjedhën e konfliktit. Presidenti amerikan Biden e risolli në vëmendje këtë skenar të enjten e 6 tetorit, gjatë fjalimit që mbajti në një takim për një mbledhje fondesh për senatorët demokratë në Nju Jork.

Ai përmendi qartë termin “Armagedon”, apokalipsin bërthamor. Natyrisht, zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nxituan të theksojnë se “nuk ka asnjë informacion të ri që të tregojë përgatitjet në kampin rus për lëshimin e armëve të tilla”. Megjithatë, askush nuk e përjashtoi dhe s’mund ta përjashtojë skenarin e një lufte bërthamore.

Njëkohësisht, duhet theksuar se nuk ka ndonjë rishikim të mbështetjes amerikane për Ukrainën. Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris biseduan gjatë në telefon me presidentin ukrainas Zelensky të martën e kaluar më 4 tetor, duke i premtuar atij një furnizim tjetër me armë, me vlerë 625 milionë dollarë.

Shifrat flasin vetë. Që nga fillimi i konfliktit, SHBA-ja ka dhënë 16.8 miliardë dollarë për Ukrainën, ose më shumë se 1/3 e shumës totale të ndihmës ushtarake që japin amerikanët në një 1 vit dhe në kohë normale tek dhjetëra vende aleate.

Strategjia, e cila bëri të mundur zmbrapsjen e sulmit të Vladimir Putinit, bazohet ende tek 2 supozime të përcaktuara që në shkurt të këtij viti. Së pari: Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk duhet të përfshihen në konflikt. Së dyti:i takon Zelensky të vendosë nëse dhe kur do të negociojë me Putin.

Mediat amerikane kanë zbuluar zemërimin e Shtëpisë së Bardhë me disa “akte të tepruara” nga ana e ukrainasve, siç është vrasja në Moskë e Darya Dugina, vajzës së ultra-nacionalistit Alexander Dugin; apo kërkesa drejtuar aleatëve perëndimorë për të bombarduar bazat raketore ruse”, e mohuar më vonë nga vetë Zelensky.

Por shkatërrimi i pjesshëm i Urës së Kerçit shtron sërish pyetjen bazë, e cila rishfaqet rregullisht në Uashington në momentet e tensioni maksimal midis palëve, siç është ky i fundit: deri ku mund të shkojë kundërofensiva ukrainase?

Është një dilemë, të cilën administrata Biden nuk e ka zgjidhur ende. Ka nga ata, veçanërisht në Departamentin e Shtetit, që argumentojnë se ukrainasit kanë të drejtë të sulmojnë të gjitha infrastrukturat e përdorura nga rusët për të furnizuar forcat pushtuese. Problemi tjetër është vetë Krimea.

Deri më tani, diplomacia amerikane dhe ajo evropiane, e marrin si të mirëqenë në bisedimet jozyrtare, se një marrëveshje paqeje nuk do të ndikonte aspak në statusin e gadishullit, të paktën për një periudhë të caktuar.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur kurrë vlefshmërinë e referendumit, që në vitin 2014 kur sanksionoi aneksimin e Krimesë nga Federata Ruse. Por askush, madje as Zelensky në fillim, nuk e hodhi poshtë hipotezën e kthimit të territorit nën kontrollin e Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat