LIVE: Hakmarrje ukrainase? Sulm i madh në aeroportin rus, raketat godasin edhe në këtë vend

Bota

LIVE: Hakmarrje ukrainase? Sulm i madh në aeroportin rus, raketat godasin edhe në këtë vend

Nga: Bota sot Më: 16 tetor 2022 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 22:42 më 16.10.2022
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ushtria ruse rekruton tartarët në Krimenë e aneksuar

Që prej 21 shtatorit, Rusia po zbaton atë që e quan mobilizim të pjesshëm dhe qytetarët në Krimenë e aneksuar po thirren për të ndihmuar në luftë. Por ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se tartarët indigjenë të Krimesë më së shumti po rekrutohen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets sjell materialin në vijim.

Udhëheqësit pro-rusë të Krimesë thonë se i ashtuquajturi mobilizim i trupave në gadishullin e aneksuar ka përfunduar. Por një udhëheqës i të drejtave të njeriut që mbështet tartarët indigjenë të Krimesë, i cili ka pranuar të flasë vetëm ne kushtet e anonimatit, thotë se njoftimet për rekrutim vazhdojnë ende.

“Sipas asaj që më kanë thënë, thirrjet për luftë po u dërgohen njerëzve në shtëpi. Njerëzit e dine se jo cilido që u troket në derë është një mik, ndaj jo të gjithë e hapin derën. Por autoritetet po shtiren sikur janë njerëz në nevoje dhe sapo dera hapet, lëshohet thirrja për luftë”, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut.

Rekrutimin për luftë i tartarëve, një grup mysliman indigjen në Krime, e konfirmon edhe Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Situata në Krimenë e aneksuar është katastrofike. Informacionet se tartarët e Krimesë po rekrutohen janë plotësisht të konfirmuara. Shumica e thirrjeve që po lëshohen atje po u jepen tartarëve të Krimesë”, tha Presidenti Zelenski.

Aktivistë të të drejtave të njeriut po u bëjnë thirrje njerzve të injorojnë thirrjet, të mos paraqiten para komisariateve ushtarake dhe nëse është e mundur, të largohen.

E mira është të shmangen grumbullimet publike për të mos rënë pre e komisariateve ushtarake ruse. Ka linja të kuqe, përfshirë edhe ato të Shëbimeve të Sigurisë së Ukrainës, që i mundësojnë njerëzve që përfundojnë në vijën e parë të frontit, të telefonojnë dhe të gjejnë një mënyrë për t'u dorëzuar”, thotë Serhiy Parkhomenko, nga qendra e burimeve të tartaravë të Krimesë.

Shumë tartarë të Krimesë po përpiqen të largohen nga gadishulli, sa e kanë ende këtë mundësi.

Meshkujt e moshës nga 18-50 vjeç po përpiqen të ikin. Ata që kanë para dhe kontakte kanë tentuar të ikin jashtë, përmes Gjeorgjisë ose Kazakistanit”, shpjegoi në kushtet e anonimatit aktivisti për të drejtat e njeriut, tartar i Krimesë.

Anëtarë nga Qendra e Burimeve të Tartaravë të Krimesë besojnë se i ashtuquajturi mobilizim i pjesshëm i Rusisë është një mënyrë për të shkatërruar lëvizjen e rezistencës së tatarëvë në Gadishullin e Krimesë.

Rusia po kërkon të shkatërrojë tartarët e Krimesë duke përdorur Ukrainën. Kjo është mënyra më e volitshme për ta. Ata i dërgojnë tartarët në vijat e para, në vendet më të rrezikshme”, thotë Serhiy Parkhomenko, nga qendra e burimeve të tartarave të Krimesë

Mbetet e paqartë, se sa është numri i njerëzve të rekrutuar në Krime. Por aktivistë ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut këmbëngulin se vetë akti i rekrutimit është i paligjshëm.

Rusia është e detyruar të respektojë konventat e Gjenevës në të cilat është palë. Dhe ndër këto konventa është rregulli se një fuqie pushtuese nuk i lejohet të rekrutojë njerëz në zonat që po pushton”, thotë Rachel Denber, zëvendës drejtore e Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Përfaqësues të kësaj organizate dhe grupe të tjera po dokumentojnë këtë akt dhe si edhe të tjera krime lufte, të mundshme të ndërmarra nga Rusia./VOA

Mbledhja Ukrainë-Turqi: Marrëveshja për “korridoret e grurit” mbetet në fuqi edhe pas 22 nëntorit

Marrëveshja e brishtë e Detit të Zi për grurin do të vazhdojë edhe pas 22 nëntorit, kur edhe pritej të përfundonte. Lajmin e bëri të ditur ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov të dielën.

Kubrakov, komentet i bëri gjatë një mbledhjeje me ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Stamboll.

Deklaratat vijnë në një kohë kur zyrtarët rusë, duke përfshirë këtu edhe presidentin Vladimir Putin, kanë vënë në dyshim të ardhmen e marrëveshjes.“Palët e përfshira në këtë iniciativë, OKB, Turqia dhe Ukraina, shprehën gatishmërinë e tyre për ta vijuar operacionin dhe siguruan se do të bëhet gjithçka për ta zbatuar me sukses. Nuk ka asnjë dyshim se korridori i grurit do të vijojë të jetë funksional edhe pas 22 nëntorit,” tha Kubrakov.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e inspektimeve më të shpejta të anijeve nga Qendra e Përbashkët Koordinuese. Kjo lejon “një rritje të konsiderueshme të vëllimit të eksporteve të grurit në vendet e Afrikës, Azisë dhe Evropës dhe parandalon formimin e radhëve të inspektimit,” tha ai.

Iniciativa për grurin e Detit të Zi, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia, u nënshkrua nga përfaqësues nga Rusia dhe Ukraina në korrik.

​Përpjekje të reja për të çliruar Khersonin nga kontrolli rus

Forcat ukrainase filluan një përpjekje të re për të çliruar provincën Kherson nga kontrolli rus, megjithëse nuk është ende e qartë se sa të ashpra janë luftimet për rajonin.

Zëvendëskreu i Khersonit, i instaluar nga Rusia, Kirill Stremousov raportoi zjarr artilerie, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte shmangur një sulm.

Megjithatë, blogerët ushtarakë rusë raportuan për luftime të vazhdueshme dhe të ashpra për kontrollin e territorit, ndërkohë që shtuan se pala ukrainase kishte vendosur tanke dhe automjete të blinduara.

Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar në përpjekjet për të kontrolluar Dudchany dhe Mylove, si dhe brigjet veriperëndimore të lumit Dnipro, aktualisht nën kontrollin rus.

”Kherson ka qenë një ndër objektivat e sulmeve raketore dhe ajrore të Moskës gjatë gjithë ditës”, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas.

”Avionët sulmuan 17 herë ndërsa forcat ruse vendosën raketahedhës 10 herë duke goditur më shumë se 20 vendbanime, përfshirë Ivanivka në rajonin Kherson. Moska hapi zjarr edhe në Zaporizhia”, tha ai.

Sulmet ajrore të së shtunës ishin më pak intensive se në fillim të javës, kur më shumë se 80 raketa ruse goditën objektivat në mbarë vendin.

Sirenat e sulmit ajror dëgjohen në gjithë Ukrainën

Sirenat e sulmit ajror kanë rënë të dielën në pothuajse të gjitha rajonet e Ukrainës, sipas komandave ushtarake rajonale, pasi ata besojnë se bombardimet janë të pashmangshme.

Në veçanti, paralajmërimet për sulmet ajrore dhe thirrjet për të shkuar në strehimore u publikuan në kanalet Telegram të komandave ushtarake rajonale në Poltava, Chernihiv, Cherkasy, Chernivtsi, Odessa, Ivano-Frankivsk, Rivne, Sumy, si dhe rajonet Khmelnytskyi.

Më herët, sirenat kanë rënë në Kiev dhe rajonin e Zaporizhia, në territoret e kontrolluara nga ushtria ukrainase.

Në të njëjtën kohë, Ministria ukrainase e Riintegrimit të territoreve të Ukrainës të pushtuara nga Rusia u dha këshilla banorëve se si të mbroheshin nga sulmet me dron kamikaze.

“Mjetet ajrore pa pilot (UAV) sulmuese të armikut po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në objektet tona kritike të infrastrukturës.

Ato paraqesin gjithashtu një rrezik të konsiderueshëm për civilët: dronët kamikaze mund të mbajnë disa dhjetëra kilogramë eksploziv dhe të krijojnë një valë të fuqishme tronditëse kur godasin.

Për fat të mirë, mbrojtja jonë ajrore arrin të rrëzojë shumicën e UAV-ve të armikut, por siguria jonë është e para”, thuhet në mesazh.

11 të vrarë në një bazë ushtarake ruse

Rusia ka hapur një hetim penal pasi persona të armatosur qëlluan për vdekje 11 persona në një zonë stërvitjeje ushtarake pranë kufirit ukrainas, thanë autoritetet të dielën, ndërsa luftime të ashpra vazhduan në Ukrainën lindore dhe jugore.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar ministrinë e mbrojtjes, tha se dy persona të armatosur kishin hapur zjarr gjatë një stërvitjeje me armë zjarri të shtunën, duke vënë në shënjestër një grup që kishte dalë vullnetar për të luftuar në Ukrainë. Vetë "terroristët" siç i cilësoi ai, u qëlluan për vdekje.

Incidenti vjen një javë pasi një shpërthim dëmtoi një urë që lidh Rusinë kontinentale me Krimenë, gadishullin që ajo aneksoi nga Ukraina në 2014.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmuesit ishin nga një ish-republikë sovjetike, pa dhënë detaje. Një zyrtar i lartë ukrainas, Oleksiy Arestovych, tha se dy personat ishin nga republika kryesisht myslimane e Taxhikistanit, në Azinë Qendrore dhe kishin hapur zjarr ndaj të tjerëve pas një debati për fenë.

Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte menjëherë komentet e zyrtarit, ose të verifikonte në mënyrë të pavarur numrin e viktimave dhe detaje të tjera.

"Si rezultat i incidentit në një poligon në rajonin e Belgorodit, 11 persona vdiqën nga plagët me armë zjarri dhe 15 të tjerë u plagosën," tha Komiteti Hetimor i Rusisë, duke njoftuar për hapjen e një hetimi penal, por pa dhënë detaje të tjera.

Disa media të pavarura ruse raportuan se numri i viktimave ishte më i lartë se shifrat zyrtare.

Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se mes të vrarëve apo të plagosurve nuk kishte banorë vendas.

Dy dëshmitarë i thanë më pas agjencisë Reuters se kishin parë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të zmbrapsnin sulme ajrore në Belgorod. Guvernatori Gladkov tha se dy persona ishin plagosur pas bombardimeve, sipas raporteve paraprake.

Ndërkohë në 24 orët deri në mëngjesin e së dielës, forcat ruse vunë në shënjestër më shumë se 30 qytete dhe fshatra në të gjithë Ukrainën, duke ndërmarrë sulme ajrore dhe me raketa, tha të dielën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Si përgjigje, forcat ajrore të Ukrainës kryen 32 sulme, duke goditur 24 objektiva ruse.

Luftimet kanë qenë veçanërisht intensive këtë fundjavë në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, dhe në rajonin me rëndësi strategjike Kherson në jug, tre nga katër provincat që presidenti rus Vladimir Putin i shpalli në mënyrë të paligjshme si pjesë të Rusisë muajin e kaluar./VOA

Putin ‘tërheq’ Bjellorusinë në konflikt, kërcënimi i fundit i Rusisë po shpërndahet me shpejtësi në rrjet

Rusia ka kërcënuar se do të pajisë avionët luftarakë bjellorusë me aftësi raketore bërthamore pasi ushtarët rusë u stacionuan në vendin mik të Kremlinit para disa ditësh.

Edhe pse Kremlini ka pretenduar se masa ishte pjesë e një operacioni mbrojtës, disa komentues besojnë se Putini po përpiqet të tërheqë Bjellorusinë – një vend që kufizohet me Rusinë dhe Ukrainën – në luftën e tij.

Ministria ruse e mbrojtjes deklaroi se vendimi për të dërguar ushtarë në Bjellorusi, për herë të parë që nga marsi, ishte ‘diktuar nga aktiviteti i vazhdueshëm në zonat në kufi me ne’.

Bjellorusia dhe Rusia thuhet se filluan të kombinojnë disa nga forcat e tyre ushtarake menjëherë pas shpërthimit në Urën e Kerçit – duke bashkuar Krimenë e pushtuar nga Rusia me kontinentin rus , sipas liderit bjellorus, Alexander Lukashenko.

Kufiri i Bjellorusisë, i cili shtrihet 140 milje nga Kievi, u përdor si pikënisje për pushtimin e Ukrainës nga Putini në shkurt të këtij viti.

Të shtunën, Ministria e Jashtme ruse tha se do të pajisë avionët luftarakë Su-25 me aftësinë për të transportuar raketa me aftësi bërthamore, por se ende nuk po armatoste Minskun, kryeqytetin bjellorur me raketa.

Me një ushtri prej afërsisht 50,000, Bjellorusia aktualisht nuk ka asnjë raketë bërthamore të sajën dhe nuk konsiderohet si një forcë ushtarake efektive nga ekspertët e mbrojtjes.

Papa Françesku lëshon thirrjen e fortë: Në emër të Zotit, ndaloni çmendurinë e luftës në Ukrainë

Lufta në Ukrainë vjen në ditën e 235-të. Papa Françesku kërkon “në emër të Zotit që çmendurisë mizore të luftës t’i jepet fund”.

Ati i Shenjtë pohon se konflikti në Ukrainë ka vënë ndërgjegjen e miliona njerëzve në qendër të Perëndimit përballë realitetit të ashpër të një tragjedie humanitare që ekzistonte prej disa kohësh dhe njëkohësisht në vende të ndryshme.

Ndërkohë Kremlini denoncon një “sulm terrorist” në një poligon ushtarak në Belgorod.

Numri i viktimave ka shkuar në 11 dhe 15 persona janë plagosur.

Ukrainasit bombarduan edhe në Donetsk

Pasi 11 ushtarë rusë u vranë dje në Belgorod të Rusisë, mëngjesin e sotëm ka ndodhur një sulm ajror në zonën në kufi me aeroportin. 

Deri më tani nuk ka të dhëna për viktima dhe as për dëmtime në infrastrukturë.

Predhat e lëshuara nga forcat ukrainase dëmtuan ndërtesën e administratës së qytetit në Donetsk të dielën në mëngjes. 

Reuters raportoi, përmes kanalit të tij Telegram, se hyrja kryesore e ndërtesës u godit, si dhe se disa makina aty pranë u dëmtuan.

Nuk pati asnjë reagim nga Ukraina për sulmin në Donetsk, e cila gjithashtu është selia e rajonit të Republikës Popullore të Donetskut, e panjohur nga Perëndimi, i cili është nën kontrollin e forcave të mbështetura nga Rusia.

Cili është kërcënimi për Perëndimin?

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, foli me tone të ashpra këtë javë mbi politikën e jashtme evropiane, në kohën kur bota po përjeton, sipas tij, një "pasiguri radikale", pasi ngjarje të paimagjinueshme "po ndodhin njëra pas tjetrës".

Gjatë një fjalimi vjetor drejtuar diplomatëve të BE-së që kishte për qëllim "të shkundte themelet” e diplomacisë evropiane, Borrell veçoi disa nga dobësitë emergjente të Evropës në aspektin diplomatik dhe atë demokratik.

Ai, gjithashtu, vlerësoi veçanërisht figurën e Olivier Schmitt, profesor në qendrën për studime të luftës në Universitetin e Danimarkës (SDU), për identifikimin e varësisë ekonomike dhe energjetike nga Rusia dhe Kina në prosperitetin e BE-së dhe varësinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi sigurinë, si pjesë të problemit.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Zelensky: Rusët po na godasin, por ne mbajmë kontrollin në qytetet e Donetskut

Ushtria ukrainase ka ende nën kontrollin e qytetit të rëndësishëm strategjik të Bakhmut në rajonin e Donetskut, pavarësisht sulmeve të përsëritura ruse, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili megjithatë pranoi se situata në Donbass mbetet shumë e vështirë.

Në një video-mesazh, Zelensky tha se raketat ruse dhe dronët vazhdojnë të godasin qytetet e Ukrainës, duke përhapur vdekje dhe shkatërrim.

Edhe pse ushtria ukrainase ka rimarrë mijëra kilometra katrorë territor falë një kundërofensivë të madhe që ka nisur në lindje dhe jug të vendit, zyrtarët theksojnë se përparimi nga forcat e Kievit mund të ngadalësohet ndërsa ata fillojnë të përballen me rezistencë më të fortë nga pushtuesit.

Luftimet vazhdojnë të pandërprera në provincat lindore të Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë rajonin më të madh industrial të Donbasit, në kufi me Rusinë.

Forcat ruse janë përpjekur vazhdimisht të kapin Bakhmutin, i cili ndodhet në një rrugë kryesore që çon në qytetet Sloviansk dhe Kramatorsk.

“Luftimet vazhdojnë në zona të ndryshme të frontit. Situata mbetet shumë e vështirë në rajonet Donetsk dhe Luhansk” , tha presidenti i Ukrainës dhe shtoi se “vështirësitë më të mëdha ndodhen në drejtim të Bakhmutit, si në ditët e mëparshme. Ne mbajmë pozicionet tona”.

Nga ana e tij, shtabi i përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës tha në një postim në Facebook se ushtria ukrainase zmbrapsi 11 sulme të veçanta nga pushtuesit rusë pranë qyteteve Kramatorsk, Bakhmut dhe Avdifka (në veri të Donetsk).

Zelensky vuri në dukje se forcat ruse kanë goditur shtatë lokacione të ndryshme në 48 orët e fundit.

“Disa nga raketat dhe dronët u rrëzuan, por për fat të keq jo të gjitha. Fatkeqësisht ka dhe viktima ”, tha presidenti ukrainas.

Kievi tha të premten se pret sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania këtë muaj.

Zelensky gjithashtu pohoi se rreth 65,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, një shifër shumë më e lartë se vlerësimi zyrtar i Moskës (që nga 21 shtatori) për 5,937 të vdekur.

Në gusht, Pentagoni Amerikan vlerësoi se pushtuesit rusë numëruan 70-80,000 viktima (duke iu referuar shumës së të vdekurve dhe të plagosurve).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat