​Papa Françesku ftoi të gjithë të krishterët të luten së bashku në sheshin e Shën Pjetrit

Bota

​Papa Françesku ftoi të gjithë të krishterët të luten së bashku në sheshin e Shën Pjetrit

Më: 15 janar 2023 Në ora: 16:28
Papa Françesku

Në fjalimin e sotëm drejtuar besimtarëve, Papa Françesku ftoi të gjithë të krishterët të marrin pjesë në një lutje të përbashkët në shtator në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Lutja ekumenike do të mbahet më 30 shtator.

“Ftoj vëllezërit dhe motrat e të gjitha besimeve të krishtera të marrin pjesë në këtë tubim të popullit të Zotit”, tha Papa Françesku.

Papa theksoi se Zoti “e udhëheq popullin e Tij me përkushtim dhe durim drejt bashkimit të plotë” të besimtarëve të krishterë.

Këtë muaj, Papa do të mbajë një meshë të veçantë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në kuadër të javës së lutjes për bashkimin e krishterë, e cila do të mbahet këtë vit nga data 18 deri më 25 janar.

Ekumenizmi është një përpjekje bashkëkohore për pajtimin, bashkëpunimin, afrimin dhe unitetin e kishave të krishtera dhe fillimet e tij lidhen me kishat protestante të shekullit të 19-të.

Vatikani u hap pjesërisht me idenë e ekumenizmit pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, i cili u mbajt midis 1962 dhe 1965.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat