Shefat e mbrojtjes nuk arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen për tanket për Ukrainën

Bota

Shefat e mbrojtjes nuk arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen për tanket për Ukrainën

Më: 21 janar 2023 Në ora: 00:27
Foto ilustrim

Ministrat e mbrojtjes që u takuan në një bazë ajrore të SHBA-së në Gjermani të premten dështuan të zgjidhnin mosmarrëveshjet për të furnizuar Ukrainën me tanke të avancuara, pas më shumë se pesë orë diskutimesh për dërgimin e më shumë ndihmave ushtarake për vendin në luftë me Rusinë.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, i cili ka premtuar 14 tanke të tipit Leopard me kusht që edhe vendet e tjera të dërgojnë tanke të tilla, tha se 15 vende që kanë tanket e prodhimit gjerman diskutuan këtë çështje, por nuk arritën të merrnin vendime.

Ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak e quajti takimin një "diskutim të mirë midis aleatëve" dhe tha se çështja do të diskutohej përsëri në bisedimet e ardhshme.

Gjermania do të duhet të pranojë që tanket t'i jepen Ukrainës, e cila nuk është anëtare e NATO-s. Pavarësisht lutjeve të zyrtarëve ukrainas, Gjermania deri tani i ka rezistuar presionit në rritje për të furnizuar Kievin menjëherë me tanket Leopard 2, ose të paktën t'u hapur rrugën vendeve të tjera, si Polonia, për t'i dhënë ato nga rezervat e tyre.

Shtetet e Bashkuara i kanë rezistuar ofrimit të tankeve të tyre M1 Abrams Ukrainës, duke përmendur mirëmbajtjen komplekse dhe sfidat logjistike me automjetin e teknologjisë së lartë. Uashingtoni beson se do të ishte më produktiv dërgimi i tankeve Leopardë gjermanë pasi shumë aleatë i kanë ato në rezervat e tyre dhe trupat ukrainase do të kishin nevojë për më pak trajnim sesa me tanket Abrams.

Një zyrtar amerikan i njohur me pozicionin e Shtëpisë së Bardhë për këtë çështje përsëriti se Gjermania ka shprehur hezitim për të siguruar tanket e saj pa u dërguar tanke Abrams nga SHBA-ja. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se kishte një konfuzion në administratë mbi pozicionin gjerman, pasi Britania, një tjetër aleat i NATO-s, tashmë ka pranuar të sigurojë tanke.

Por Steffen Hebestreit, një zëdhënës i qeverisë gjermane, mohoi që Berlini po kërkonte që SHBA të furnizonte tanke Abrams për çdo dërgesë të Leopardëve.

Në një konferencë shtypi të premten, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vuri në dukje mohimin e Gjermanisë se kishte lidhje mes dërgimit të tankeve të të dy llojeve.

Udhëheqësit ukrainas dhe mbështetësit e Kievit e kanë kritikuar vazhdimisht Gjermaninë për atë që ata e shohin si frenim të ndihmës kritike në luftë. Shefi amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mbrojti drejtuesit gjermanë pas takimit të së premtes. I pyetur nga një gazetar nëse Gjermania po bënte mjaftueshëm për të treguar "lidership të vërtetë" në Evropë, zoti Austin u përgjigj: "Po, por ne të gjithë mund të bëjmë më shumë".

"Ata janë një aleat i besueshëm dhe kanë qenë të tillë për një kohë shumë, shumë të gjatë," tha ai. "Dhe unë me të vërtetë besoj se ata do të vazhdojnë të jenë një aleat i besueshëm në të ardhmen."

Zoti Austin minimizoi gjithashtu rëndësinë e menjëhershme të tankeve, duke vënë në dukje se automjetet luftarake Stryker dhe automjetet e blinduara Bradley që po dërgohen për herë të parë do t'i jepnin Ukrainës aftësi të reja në luftë. "Kjo nuk ka të bëjë me një platformë të vetme," tha ai.

Duke folur para gazetarëve pranë sallës së konferencave në mesditë, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se megjithëse nuk ka ende një zgjidhje, "ne do të marrim vendimet tona sa më shpejt të jetë e mundur".

Ai tha se kishte urdhëruar ministrinë të shqyrtonte rezervat e tankeve që ka Gjermania, në mënyrë që të përgatitet për një dritë të mundshme jeshile.

Ministrat e Mbrojtjes e hapën ditën e tyre duke dëgjuar një lutje të pasionuar për më shumë ndihmë ushtarake nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Duke folur drejtpërdrejt përmes videos, ai tha se "terrori nuk lejon diskutim” dhe se “lufta e nisur nga Rusia nuk lejon vonesa”.

Ndërkohë, një zëdhënës i Kremlinit tha se vendosja e tankeve perëndimore do të shkaktonte pasoja "të paqarta negative".

"Të gjitha këto tanke do të kërkojnë mirëmbajtje dhe riparime, e kështu me radhë, kështu që dërgimi i tyre do t'i shtojë probleme Ukrainës, dhe nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me arritjen e qëllimeve nga pala ruse," tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp të premten./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat