Mbi 10 mijë mercenarë rus të grupit Wagner janë vrarë në Ukrainë, shumica të dënuar për krime

Bota

Mbi 10 mijë mercenarë rus të grupit Wagner janë vrarë në Ukrainë, shumica të dënuar për krime

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 18:46
Foto ilustrim

Në një vizitë të realizuar së fundi në Bakuskaja shihen varre të reja dhe objekte të ndërtuara për djegien e trupave të pjesëtarëve të grupit Wagner, që kanë vdekur në luftë.

Në një vizitë të realizuar së fundi në Bakuskaja shihen varre të reja dhe objekte të ndërtuara për djegien e trupave të pjesëtarëve të grupit Wagner, që kanë vdekur në luftë.

Në një fshat të vogël në jugperëndim të Rusisë, trupat e luftëtarëve të grupit mercenar rus Wagner, janë duke u djegur në një varrezë specifike e cila po vazhdon të rritet, duke vënë në pah rritjen e numrit të viktimave të këtij grupi në Ukrainë.

Sipas të intervistuarve, incizimeve dhe vizitës së një korrespodenti të Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë në atë zonë, më shumë se 300 luftëtarë janë varrosur në këtë qendër prej kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Sipas të dhënave, varrezat janë duke u zgjeruar shpejt muajve të fundit.

Kjo rritje është raportuar në kohën kur ka ndodhur ofensiva e përgjakshme ruse në lindje të Ukrainës, ku grupi mercenar ka luajtur rol kyç.

Përafërsisht 50.000 luftëtarë nga kompania mercenare Wagner besohet se janë në Ukrainë.

Qeveria amerikane ka vlerësuar që më shumë se 10.000 pjesëtarë të këtij grupi kanë vdekur në luftë, krahas pjesëtarëve të ushtrisë ruse.

Pjesa më e madhe e këtyre mercenarëve janë të burgosur që janë rekrutuar për të luftuar në këmbim të lirimit nga burgu.

Grupi rus për të drejta të njeriut, Rusia mbrapa grilave, beson që rreth 40.000 të burgosur janë rekrutuar për të luftuar për grupin deri më tani, derisa Qeveria amerikane beson se 90 për qind e mercenarëve janë të burgosur.

Gjatë një udhëtimi të realizuar së fundi në Bakuskaja, gjurmët e varrezave të sapohapura kanë qenë lehtë të vërejtshme, ashtu sikurse hapësirat ku dërgohen mbetjet e djegura.

Para shumë varrezave shihen çmimet e ndara dhe lule.

Ndonëse në një pjesë të madhe të varrezave ka kryqe ortodokse, në disa tjera shihen edhe gjysmëhëna islame.

Varre të reja hapen në këtë zonë gati çdo ditë.

Përveç shenjave të zisë, banorët lokalë kanë thënë se nuk kanë parë shërbime të organizuara të funeraleve në këtë zonë.

“Ata varrosin 16 persona brenda ditës në varrezë… Ata i djegin trupat ditë e natë”, ka thënë Andrei, banor në Bakuskaja, mbiemri i të cilit nuk është publikuar për çështje sigurie.

“Nuk ka pasur vend për t’i varrosur (në fshat apo zonat fqinje), prandaj (luftëtarëve) të Wagnerit u është ndarë një varrezë e posaçme”.

Një analizë e kryer nga Radio Evropa e Lirë, duke identifikuar emrat dhe datat e lindjes së personave të vdekur, dhe duke i krahasuar me të dhënat e proceseve gjyqësore, ka gjetur se shumica e personave të varrosur kanë qenë të dënuar për krime.

Një hapësirë shtesë për varrosjen e luftëtarëve të grupit Wagner është ndarë edhe në rajonin Krasnodar në Rusi.

Varreza nuk është shumë larg prej Molkinit, një fshat ku gjenden hapësira për trajnimin e pjesëtarëve të Wagnerit.

Wagner udhëhiqet nga Yevgeny Prigozhin, oligark rus që njihet si “shefi i kuzhinës së Putinit”, për shkak të kontratave që kanë nënshkruar kompanitë e tij për të përgatitur ushqimet në ceremoni të rëndësishme të Kremlinit, në të cilat ka marrë pjesë presidenti rus, Vladimir Putin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat