Diplomatët e BE-së kërkojnë rritjen e prodhimit të municionit për Ukrainën

Bota

Diplomatët e BE-së kërkojnë rritjen e prodhimit të municionit për Ukrainën

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 11:54
Sefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan të hënën se duhet të gjenden mënyra për të ofruar shpejt mijëra predha artilerie për Ukrainën ose BE-ja do të duhet të përballet me mundësinë e humbjes së luftës kundër Rusisë.

Kjo deklaratë erdhi gjatë së hënës kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bëri një vizitë të papritur në Ukrainë dhe përderisa po raportohet për pakësim të rezervave të municioneve në Evropë.

“Sot, çështja më e rëndësishme dhe urgjente për ushtrinë ukrainase është të ketë një fluks të vazhdueshëm municionesh”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të jashtëm të bllokut.

“Nëse dështojmë në këtë, me të vërtetë, rezultati i luftës është në rrezik”.

Borrell tha se forcat ruse gjuajnë rreth 50.000 fishekë artilerie çdo ditë dhe se furnizimet e Ukrainës duhet të ngrihen në të njëjtin nivel. Vlerësime të tjera sugjerojnë se Ukraina po gjuan 6.000 deri në 7.000 predha artilerie në ditë, rreth një e treta e totalit të Rusisë.

Borrell tha se diskutimi brenda BE-së do të përqendrohet në gjetjen e mënyrave për të bërë blerje të përbashkëta municionesh dhe përdorimin e një fondi të posaçëm të BE-së për të siguruar financim shtesë.

Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se koha e pritjes për furnizimin e “municioneve të kalibrit të madh është rritur nga 12 në 28 muaj” dhe se “porositë e bëra sot do të dorëzoheshin vetëm dy vjet e gjysmë më vonë”.

Estonia, e cila ndan një kufi dhe histori të gjatë me Rusinë, po shtyn BE-në dhe aleatët e saj të NATO-s të ofrojnë 1 milion predha artilerie, që, sipas vlerësimeve, do të kushtonin rreth 4 miliardë eurosh.

Rusia përdor çdo ditë [atë që] Bashkimi Evropian e prodhon brenda një muaji dhe, me kapacitetet aktuale të industrisë ushtarake, ne mund t’i plotësojmë nevojat e Ukrainës pas rreth gjashtë vjetve, kështu që kjo është plotësisht e papranueshme”, u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm estonez Urmas Reinsalu.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë thirrje aleatëve të tij perëndimorë që të shpejtojnë mbështetjen e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se vonesat do të jenë në dobi të Rusisë tani që po afrohet përvjetori i parë i nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

NATO beson se Rusia ka nisur një ofensivë të re në javët e fundit, duke rritur intensitetin e sulmeve në Ukrainën lindore, ndërkohë që edhe po shton forcat në pjesën jugore. Zyrtarët kanë thënë se Ukraina ka të ngjarë të nisë kundërofensivën e saj në pranverë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat