LIVE: Putin mori vendimin e “frikshëm” për armët bërthamore, reagon ashpër SHBA-ja

Bota

LIVE: Putin mori vendimin e “frikshëm” për armët bërthamore, reagon ashpër SHBA-ja

Nga: Bota sot Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 06:16 Përditësuar në ora: 16:54 më 21.02.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

OKB regjistron mbi 8.000 civilë të vrarë në Ukrainë

Mbi 8.000 civilë të vrarë janë regjistruar në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin pothuajse një vit më parë, tha zyra për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara.

OKB tha se kjo shifër është vetëm “maja e ajsbergut” pasi besohet se mijëra të tjerë kanë vdekur.

Kjo shifër është më e lartë krahasuar me shifrat e paraqitura më herët nga OKB lidhur me numrin e viktimave të konfirmuara në mesin e civilëve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Rreth 90 për qind e viktimave, sipas OKB-së, janë vrarë nga armët shpërthyese.

“Të dhënat tona janë vetëm maja e ajsbergut. Vuajtjet e civilëve janë të mëdha”, tha komisionari i lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Matlida Bigner, drejtuesja e misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, tha se beson që mijëra vrasje të civilëve ende nuk janë konfirmuar, shumica prej të cilëve në qytetin jugor ukrainas të Mariupolit, që tani është nën kontrollin rus.

Në shifrat e prezantuara nga OKB-ja janë përfshirë edhe 2.000 civilë të vrarë në Mariupol, i cili para luftës ishte shtëpi e rreth 450.000 milionë banorëve. Ky qytet ishte i rrethuar për tre muaj dhe ka pësuar shkatërrime të mëdha.

“Ne kemi informacione të pakonfirmuara që lënë të kuptohet se numrat janë për mijëra më të lartë sesa që ne kemi dokumentuar dhe një pjesë e madhe e tyre janë në Mariupol”, tha Bogner.

Rusia mohon se qëllimisht shënjestron civilët në pushtimin e Ukrainës, që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.

Blinken reagon pas vendimit të Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka komentuar vendimin e Rusisë që të pezullojë pjesëmarrjen në në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore “NEW START”, raporton CNN.

Blinken për këtë vendim të Rusisë tha se është “thellësisht për t’u ardhur keq dhe i papërgjegjshëm”.

Ai tha se administrate e Biden mbetet e gatshme të flasë për traktatin e armëve bërthamore “në çdo kohë me Rusinë, pavarësisht se çka ndodh në botë”.

“Ne do të shikojmë me kujdes se çfarë bën Rusia”, tha Blinken, derisa shtoi se SHBA-ja do të sigurojë që “po vendoset siç duhet për sigurinë e vendit tonë dhe të aleatëve tanë”.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi në këtë fushë, është gjithashtu diçka që pjesa tjetër e botës pret nga ne,” tha Blinken.

“Perëndimi nxori xhindin nga shishja”, çfarë po paralajmëron Putin?

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka mbajtur fjalimin e tij kryesor mbi planet e tij për luftën në Ukrainë. Putin tha se Rusia po përballet me një moment “shumë të vështirë” .

Putin tha se Ukraina kishte kërkuar ndihmë, ajo më pas ia punoi “pas shpinës” dhe “po përgatiste një skenar krejtësisht tjetër”.

“Udhëheqësit perëndimorë po diskutonin furnizimin me armë bërthamore në Ukrainë përpara se të fillonte ‘operacioni special ushtarak’ i Rusisë një vit më parë”, pretendoi Vladimir Putin.

Ai tha se Perëndimi kishte dërguar tashmë pajisje të rënda ushtarake, avionë dhe sisteme mbrojtëse në Ukrainë.

“NATO po krijonte baza ushtarake dhe laboratorë biologjikë në kufijtë rusë.

Ata po thoshin gënjeshtra të neveritshme kur flisnin për marrëveshjet e Minskut”, deklaroi Putin.

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan në 2014 dhe 2015 dhe u përpoqën të siguronin një armëpushim midis qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Duke iu kthyer SHBA-së, ai thotë se “asnjë vend tjetër në botë” nuk ka aq shumë baza ushtarake të huaja.

“Ata kanë qindra baza ushtarake në mbarë botën, i gjithë planeti është i mbushur me bazat e tyre”.

Vladimir Putin tha se Perëndimi “e liroi xhindin nga shishja” në 10 vitet para luftës. Ai tha gjithashtu se akuzat në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih janë bërë për të mbuluar këtë të vërtetë.

Sipas tij, Perëndimi po krijon imazhin e Rusisë si një armik për të larguar vëmendjen nga korrupsioni në vendet e tyre dhe problemet socio-ekonmike.

Presidenti rus shtoi se vendet perëndimore po përpiqen ta kthejnë konfliktin e Ukrainës në një konfrontim global me Rusinë dhe se ekzistenca e Rusisë ishte në rrezik.

SHBA i kthen përgjigje Putinit, që akuzoi Perëndimin për armët që ia dërgon Ukrainës

Vladimir Putin mbajti një fjalim në kuadër të përvjetorit të luftës.

Presidenti i Rusisë akuzoi Perëndimin për armët dhe pajisjet ushtarake të dërguara në mbështetje të Ukrainës.

Ai citoi se Perëndimi po përgatitej ta kthente Ukrainën në një platformë lëshimi për të sulmuar Rusinë.

Në lidhje me këtë ka reaguar “Shtëpia e Bardhë” duke thënë se deklarata e tij është absurde.

I të njëjtit mendim ishte dhe këshilltari presidencial ukrainas Mychailo Podolyak, sipas të cilit kreu i Kremlinit ka demonstruar publikisht konfuzionin e tij.

“Ai nuk ka zgjidhje premtuese dhe nuk do të ketë”, tha ai.

Fjalimi i Putinit, analisti i mbrojtjes: Ky është fillimi i një lufte të tretë botërore

Analisti i mbrojtjes Michael Clarke ka ndarë mendimet e tij për fjalimin e Vladimir Putin me Sky News.

Ai tha se presidenti rus “me të vërtetë e bëri atë” në deklaratën e tij, duke mos lënë “asnjë copëz të hapësirës së bërrylit diplomatik”.

Ai shtoi se lideri 70-vjeçar beson se konflikti në Ukrainë është “në fakt pjesë e një lufte që Perëndimi po bën kundër Rusisë për ta shkatërruar atë”.

“Putin tha se Rusia është përpjekur të negociojë, por Perëndimi ka gjithmonë një axhendë sekrete. Për të, ky është fillimi i një lufte të tretë botërore”, tha profesor Clarke.

Pushtimi i Moskës nuk ka shkuar siç ishte planifikuar për zotin Putin dhe tani popullit rus duhet të bëjë disa sakrifica më të mëdha, shpjegoi ai.

“Ato sakrifica mund të justifikohen vetëm nëse lufta ka të bëjë me diçka më të madhe se Ukraina, dhe kështu është një luftë për mbijetesë.

Ne i kemi dëgjuar të gjitha këto më parë, por ju i keni bashkuar të gjitha në një rrëfim mjaft koherent dhe nuk lë asnjë vend për diskutim", përfundoi ai.

Pas Ukrainës, synimi i radhës i Putinit është Ballkani - opozitari rus nxjerr skenarët tronditës

Opozitari rus Mihail Khodorkovsky, i cili ka qenë një ndër oligarkët më të pasur në Rusi, ku pasuria e tij e madhe u krijua përmes privatizimeve të shumta në viti 90, por për shkak të një konflikti me Vladimir Putin u burgos më pas, dha një intervistë për Der Standart të Vjenës.

Gjatë kësaj interviste mes të tjerash ai foli për planet e tij, si dhe për lëvizjet e Kremlinit  për të zbatuar interesat dhe synimet e politikës së jashtme veçanërisht në lidhje me Austrinë dhe Serbinë. Khodorkovsky paralajmëroi se synimi i radhës i Putinit është Ballkani. Ndër të tjera ai theksoi se politikanët austriakë dhe kompanitë austriake veçanërisht në sektorin bankar dhe energjetik në 20-30 vitet e fundit kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta me Kremlinin.

Pyetjes se si i vlerëson marrëdhëniet e Austrisë dhe Rusisë, Khodorkovsky u shpreh se ai ndjek rregullisht politikën austriake dhe theksoi se mund të theksoje me siguri se ndikimi i Putinit në Austri është i madh. Një fakt i tillë është vënë re dhe tek rezultatet e qendrës së dosjeve e cila shqyrton ndikimin e paligjshëm të Putinit në vendet e tjera.

Kujtojmë historinë e gazetarit bullgar Bellingcat Christo Grozew i cili u detyrua të largohej nga Austria për arsye se jeta e tij kërcënohej nga Putini. Kjo nënkupton se për Putin është shumë më e lehtë të kryeje një vrasje në Austri sesa në ndonjë vend tjetër. Më pas ai kujtoi rolin e Austrisë në  Luftën e Ftohtë ku kryeqyteti i kësaj të fundit ishte qendra e ndërveprimit të inteligjencës si dhe vendi ku sanksionet dhe kontrollet e eksporteve drejt Bashkimit Sovjetik u anashkaluan.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Fjalimi i Putinit, reagojnë nga kampi i presidentit të Ukrainës

Nga: A. Zh

Një ndihmës i lartë ukrainas, thotë se Vladimir Putini ka "demonstruar parëndësinë dhe konfuzionin e tij" në fjalimin e sotëm.

Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë në një postim në Twitter se Federata Ruse nuk ka "zgjidhje premtuese" për ngërçin në të cilin Putin thotë se vendi është tani.

Podolyak i tha agjencisë së lajmeve Reuters:

"Ai është në një realitet krejtësisht tjetër.

Ai nuk ka asnjë mundësi për të zhvilluar një dialog për drejtësinë dhe ligjin ndërkombëtar."

E pabesueshme se kë fajëson Putin për luftën në Ukrainë, ja si reagon publiku rus

Nga: A. Zh

Presidenti rus Vladimir Putin, ka fajësuar në mënyrë të parashikueshme Perëndimin për luftën në Ukrainë.

Deklarimet ai i bëri gjatë fjalimit të tij, vetëm disa ditë para përvjetorit të një viti të pushtimit rus, shkruan Sky News, përcjell Bota sot.

Ai e quajti ndërhyrjen perëndimore ndër vite një "fushatë terrori".

"Unë dua të përsëris se janë ata që janë fajtorë për luftën dhe ne po përdorim forcën tonë për ta ndalur atë", tha Putin.

Ky rresht i fundit u prit me duartrokitje nga publiku rus.

Putin merr vendimin: Rusia do të pezullojë pjesëmarrjen në traktatin e kontrollit të armëve

Nga: A. Zh

Presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi se Rusia po pezullon pjesëmarrjen në New Start - një traktat strategjik për reduktimin e armëve midis SHBA dhe Rusisë.

“Jam i detyruar të njoftoj sot se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e armëve sulmuese strategjike”, tha ai, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Ai gjithashtu deklaroi se Rusia duhet të jetë e gatshme të testojë armë bërthamore nëse SHBA-ja e bën këtë fillimisht.

New Start është marrëveshja e fundit e mbetur e armëve bërthamore midis Rusisë dhe SHBA-së dhe u zgjat për pesë vjet në vitin 2021.

Fillimisht i nënshkruar në 2010, traktati kufizon secilën palë në 1550 koka bërthamore me rreze të gjatë, një numër më i ulët se në marrëveshjen e mëparshme Start.

SHBA paralajmëron Kinën për pasoja nëse furnizon me armë Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën se ai është “i shqetësuar” se Kina po shqyrton mundësinë e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë përmes furnizimit me armë.

“Jemi të shqetësuar se Kina po shqyrton mundësinë për të mbështetur Rusinë në Ukrainë me ndihmë vdekjeprurëse. Ne po e ndjekim nga afër situatën. Theksova, njësoj siç tha Presidenti Biden kur bisedoi me Presidentin Xi Jinping kur nisi agresioni në Ukrainë, se do të kishte pasoja për marrëdhëniet mes dy vendeve tona nëse Kina furnizon me armë Rusinë ose e ndihmon në mënyrë sistematike për shmangien e sanksioneve”, tha Antony Blinken , Sekretari Amerikan i Shtetit .

Një përshkallëzim i tillë do të nënkuptonte “pasoja reale” për Kinën, u tha zoti Blinken gazetarëve në Ankara.

“Nga bisedimet me përfaqësues të vendeve të tjera, përfshirë gjatë konferencës së Mynihut, di se shumë vende të tjera do ta merrnin shumë seriozisht nëse Kina ofronte një mbështetje të tillë për Rusinë. Dhe ky do të ishte një problem real për Kinën në marrëdhëniet e saj me shumë vende të tjera, jo vetëm Shtetet e Bashkuara. Kështu që ne shpresojmë dhe presim që ata të tregohen të duruar për të përshkuar atë udhë”, tha zoti Blinken.

Zoti Blinken nuk tha konkretisht se çfarë masash do të merrte SHBA-ja për t’iu përgjigjur mbështetjes ushtarake kineze për Rusinë.

Kina reagoi menjëherë duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në pozita për të bërë kërkesa të tilla ndaj Kinës.

“Partneriteti i bashkëpunimit të Kinës me Rusinë bazohet tek parimet e pavarësisë, moskonfrontimit dhe mosvënies në shënjestër të palëve të treta dhe është çështje e sovranitetit të dy vendeve të pavarura”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës

Deri më tani, mbështetja e Kinës ndaj Rusisë ka qenë politike, Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara.

Por në një kohë që Shtetet e Bashkuara lëshuan paralajmërimin për autoritetet kineze, diplomati më i lartë i Kinës, Wang Yi po viziton sot Moskën, në kuadër të një turi 8 ditor në Europë. Ai pritet të takohet me zyrtarët rusë disa ditë pasi u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetiti, Antony Blinken, gjatë punimeve të konferencës së Mynihut. Pas takimit me diplomatin e lartë kinez, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara se Kina mund të furnizonte me armë Rusinë. Po ashti ai i bëri të qartë zotit Wang Yi se lëshimi i balonës kineze në Shtetet e Bashkuara ishte i papranueshëm dhe nuk mund të përsëritej. Kina deri tani nuk ka kërkuar falje. Media shtetërore kineze raportoi se Pekini u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndryshonin qëndrim dhe të riparonin dëmet që i janë shkaktuar marrëdhënieve mes dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat