LIVE: Ndizen tensionet/ Diversantët ukrainas futen në dy fshatra ruse, ka të vrarë - Putin me vendim urgjent

Bota

LIVE: Ndizen tensionet/ Diversantët ukrainas futen në dy fshatra ruse, ka të vrarë - Putin me vendim urgjent

Nga: Bota sot Më: 2 mars 2023 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 21:49 më 02.03.2023
Ukrainë

Lufta në Ukrainë/ Putin reagon i indinjuar pas sulmit ukrainas në Rusi: Nuk do t’ia dalin. Do t’i shtypim!

Presidenti rus Vladimir Putin shprehu besimin se drejtuesit e qeverisë ukrainase, të cilët i konsideroi si neo-nazistë nuk do t’i kushtojnë vëmendje një sulmi të kryer ditën e sotme në rajonin Bryansk të Rusisë.

“Unë jam i bindur se udhëheqësit neonazistë ukrainas do ta harrojnë sulmin e sotëm. Askush nuk do t’i kushtojë vëmendje këtij rasti,” u shpreh ai.

Në të njëjtën kohë, duke folur për situatën e përgjithshme sa i përket konfliktit të armatosur, ai deklaroi i bindur: “Nuk do t’ia dalin, do t’i shtypim”.

Më herët të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj veprimeve të konsideruara terroriste nga ana e Ukrainës.

Gjenevë, Blinken akuzon Rusinë për shtypje sistematike të kritikëve

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Moskën për shtypjen e kritikëve në vend dhe u bëri thirrje hetuesve të mandatuar nga OKB-ja, që të vazhdojnë të dokumentojnë të dhëna, rreth dyshimeve për abuzime të kryera nga Moska në Ukrainë. Komentet Sekretari Blinken i bëri sot gjatë një fjalimi me video, drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë. Kryediplomati amerikan ngriti gjithashtu shqetësimeve mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, Iran dhe Kinë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Rusia po shtyp dhe në mënyrë sistematike po i mbyll gojën shoqërisë civile në vend.

“Qeveritë që kryejnë mizori jashtë vendit, ka të ngjarë gjithashtu të shkelin të drejtat e njeriut në vendin e tyre dhe kjo është pikërisht ajo që po bën Rusia. Qeveria ruse mban tashmë më shumë se 500 të burgosur politikë. Në janar, ajo shkatërroi Grupin e Helsinkit të Moskës, një prej organizatave të fundit të të drejtave të njeriut, që lejohej të funksiononte në këtë vend. Shtypja sistematike e zërave të pavarur nga qeveria, shtypja e shoqërisë civile ruse, e bën punën e raportuesit special për të drejtat e njeriut në vend, edhe më të rëndësishme".

Gjatë fjalimit të tij me video për Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Sekretari Blinken tha se ky organizëm ka luajtur një rol vendimtar për të hedhur dritë mbi abuzimet e tmerrshme dhe të vazhdueshme të Moskës në Ukrainë. Ai solli në vëmendje krijimin e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar që po heton krimet e kryera në Ukrainë.

“Raporti i parë i komisionit, dalë në tetor, arriti në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte dhe shkelje të ligjeve ndërkombëtare që rregullojnë sjelljen gjatë konflikteve të armatosura. Për sa kohë që Rusia vazhdon të të luftojë, komisioni duhet të vazhdojë të dokumentojë abuzime të tilla, duke ofruar të dhëna të paanshëm të asaj që po ndodh, e duke krijuar një bazë për përpjekjet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare, që autorët të mbahen përgjegjës", tha ai.

Kryediplomati amerikan ngriti gjithashtu shqetësimeve mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, Iran dhe Kinë. Sipas gjetjeve të një raporti të OKB-së, publikuar vitin e kaluar, ndalimi i ujgurëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera myslimane nga Kina mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit. Organizata po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në këshill për të rritur kontrollin ndaj Pekinit, por ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat për abuzime.

"Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar për gjenocidin e vazhdueshëm dhe krimet kundër njerëzimit që Kina po kryen kundër ujgurëve myslimanë dhe anëtarëve të tjerë të grupeve minoritare në Xinjiang. Raporti i lëshuar vitin e kaluar nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pohoi abuzime serioze të kryera nga Kina, sikurse zhveshja në shkallë të gjerë e anëtarëve të komunitetit ujgur dhe komuniteteve të tjera kryesisht myslimane, nga e drejta e tyre për liri. Po kështu ka akuza të besueshme për torturë, dhunë seksuale, e dhunë me bazë gjinore".

Shtetet e Bashkuara u rikthyen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, një organizëm me 47 vende, vitin e kaluar, pasi ish-Presidenti Donald Trump vendosi ta largojë Uashingtonin nga këshilli për shkak të dyshimeve për qëndrime kundër Izraelit. Këshilli, ku Kina dhe vendet autokrate, po fitojnë ndikim, është i vetmi organ ndërqeveritar që mbron të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe ka kompetenca për të nisur hetime ndërkombëtare./VOA

Kremlini mohon se Putini ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit

Kremlini ka hedhur poshtë raportet se presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë një takim urgjent të këshillit të sigurisë të vendit më vonë sot, përcjell Bota sot.

Në postimin tonë të orës 10:33, ne raportuam se një ligjvënës rus konfirmoi se mbledhja emergjente do të bëhej më vonë sot, pas pretendimeve të zyrtarëve rusë se diversantët ukrainas depërtuan në rajonin kufitar Bryansk.

Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putin planifikoi të mbante një takim të këshillit të premten.

Peskov tha se presidenti po merrte përditësime të rregullta nga agjencitë e sigurisë dhe ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu mbi situatën.

Spekulimet po rriten se sulmi i supozuar nga një grup operativësh ukrainas mund të ishte organizuar nga Moska si pjesë e një operacioni me flamur të rremë.

Rusia thotë se sabotuesit ukrainas kanë sulmuar fshatra ruse

Zyrtarët rusë thanë të enjten se sabotuesit ukrainas kaluan kufirin me Rusinë perëndimore dhe sulmuan fshatrat lokalë. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se luftimet me njësinë e sabotazhit po zhvilloheshin në rajonin rus e Bryanskut.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët ukrainas dhe rrethanat e sakta të incidentit janë ende të paqarta.

Nëse konfirmohet, do të ishte një tjetër tregues, pas sulmeve me dron në fillim të kësaj jave, se Kievi mund ta çojë luftën në territorin rus, duke ekspozuar dobësitë mbrojtëse ruse, duke vënë në siklet Kremlinin dhe duke mbjellë shqetësim mes civilëve rusë.

Shërbimi Federal i Sigurisë u citua nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass të ketë thënë se "aktivitetet për të eliminuar nacionalistët e armatosur ukrainas që shkelën kufirin shtetëror" ishin duke u zhvilluar.

Tass, duke cituar forcat ruse të zbatimit të ligjit, raportoi më herët se ukrainasit po mbanin peng deri në gjashtë persona. Guvernatori lokal tha se grupi kishte qëlluar mbi një automjet atje, duke vrarë një burrë dhe plagosur një 10-vjeçar.

Dronët që Kremlini tha se ishin nisur nga Ukraina fluturuan thellë brenda territorit rus të martën, duke përfshirë një që arriti 100 kilometra afër Moskës.

Tass raportoi, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, se dy fshatra në rajonin e Bryansk - Sushany dhe Lyubechane - u sulmuan nga "disa dhjetëra luftëtarë të armatosur".

Në Ukrainë të enjten, tre persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe në një qytet juglindor.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se Rusia “dëshiron ta kthejë çdo ditë për popullin tonë në një ditë terrori”.

"Por e keqja nuk do të mbretërojë në tokën tonë", shtoi ai.

Ndërkohë, një betejë e ashpër vazhdoi për kontrollin e Bakhmutit, një bastion kyç lindor ku zyrtarët ukrainas thonë se mund të tërhiqen strategjikisht.

Kievi zyrtar raportoi se Rusia ka intensifikuar sulmin e saj ndaj Bahmutit gjatë 24 orëve të fundit, duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi mbrojtësit ukrainas në rajonin lindor të Donjeckut.

Për më tepër, zyrtarët rajonalë të Ukrainës deklaruan se granatimet gjatë natës në Zaporizhja kishin vrarë të paktën tre civilë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishin zmbrapsur mbi 170 aksione ofensive ruse në lindje dhe verilindje, që është më shumë se dyfishi i numrit krahasuar me 24 orët e mëparshme./REL

U raportua për sulme të ukrainasve në rajonin rus, Putin merr vendimin urgjent

Putin ka anuluar udhëtimin në Stavropol për shkak të raporteve për inkursion ukrainas në rajonin Bryansk të Rusisë. Mediat ruse pretendojnë se forcat ukrainase kanë hyrë në territorin rus në rajonin Bryansk, i cili kufizohet me Ukrainën në veri.

Tass raporton se kreu i rajonit Aleksandër Bogomaz dha lajmin dhe se sipas informacioneve të fundit, ata kanë hyrë në dy fshatra, ku po zhvillohet një betejë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti raportoi në kanalin e saj Telegram se zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, në konferencën e tij të përditshme për media, tha se presidenti rus Vladimir Putin anuloi një udhëtim të planifikuar në Stavropol “për shkak të situatës në rajonin e Bryansk”.

Në konferencën e tij për media, Peskov tha se incidenti ishte një sulm nga “terroristët”. Tass sugjeron se “diversantët sulmuan Lyubechan dhe Sushany” dhe se “forcat ukrainase qëlluan në një automjet, duke vrarë një person dhe duke plagosur një tjetër, një fëmijë 10-vjeçar”.

“FSB konfirmoi për TASS se në zonën kufitare të rajonit Bryansk po merren masa për të shkatërruar nacionalistët e armatosur ukrainas që kanë shkelur kufirin shtetëror”.

Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Scholz i bën thirrje Kinës të mos i japë armë Rusisë

Kancelari gjerman Olaf Scholz të enjten i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj.

Në një fjalim në parlamentin gjerman, prej ku foli për vitin e parë të pushtimit rus të Ukrianës, Scholz tha se ishte zhgënjyese që Pekini ishte përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, megjithëse ai përshëndeti përpjekjet e tij për të mos lejuar përshkallëzim bërthamor.

“Mesazhi im për Pekinin është i qartë: përdorni ndikimin tuaj në Moskë për të nxitur tërheqjen e trupave ruse”, tha ai. "Dhe mos i dorëzoni asnjë armë Rusisë agresore".

Vërejtjet e Scholz-it nënvizuan se si reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë theksoi ndarjet globale, me Kinën dhe Indinë që përmbahen nga dënimi i pushtimit rus.

SHBA po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Kinës

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës nëse Pekini ofron mbështetje ushtarake për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters këtë javë.

Konsultimet, të cilat janë ende në një fazë paraprake, synojnë të mbledhin mbështetje nga një sërë vendesh, veçanërisht ato të grupit të G7, për të koordinuar mbështetjen për çdo kufizim të mundshëm.

Nga ana e saj, Kina ka nxjerrë një dokument prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës që u prit me skepticizëm në Perëndim.

Diversantët ukrainas futen në dy fshatra ruse në Bryansk – raportohet për të vrarë dhe plagosur

Një grup i sabotuesve ukrainas janë futur në rajonin Bryansk pak mbi kufirin verior më Rusinë, duke realizuar një sulm të befasishëm – kështu të paktën pretendojnë rusët.

Agjencia ruse e lajmeve TASS raporton se agjencitë e zbatimit të ligjit po raportojnë për përleshje me diversantë ukrainase dhe se ka të vrarë dhe të plagosur.

Mediat ruse raportojnë se një grup ukrainas prej rreth 40 anëtarësh janë futur në fshatin Sushany, ku ka pasur shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri.

Agjencia e lajmeve RIA raporton se po ndodhin pengmarrjet në fshatin Liubechan, duke mos specifikuar për këtë saktë bëhet fjalë.

Një trafo e energjisë elektrike dhe një pikë karburanti është hedhur në erë në Sushany, kurse deri më tani akoma nuk e kanë marrë përgjegjësinë zyrtarisht nga Kievi. 

Rusia kërkon rishikimin e marrëveshjes për eksportin e grurit

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se do të konsiderojë zgjatjen e marrëveshjes për grurin në Detin të Zi, vetëm nëse adresohen shqetësimet e prodhuesve të saj bujqësorë.

Marrëveshja e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, do të përfundojë këtë muaj, por Rusia ka sinjalizuar se është e pakënaqur me disa aspekte të marrëveshjes, dhe mund të mos e nënshkruajë përsëri.

“(Pala) ruse theksoi se vazhdimi i marrëveshjes së paketës për grurin është i mundur vetëm nëse merren parasysh interesat e prodhuesve bujqësorë rusë dhe të ketë akses të papenguar në tregjet botërore”, thuhet në deklaratë.

Kjo marrëveshje, cila lejon eksportin e sigurt të grurit nga portet e Ukrainës, u arrit në muajin korrik të vitit të kaluar.

Përmes saj, u krijua një korridor i mbrojtur transiti detar dhe u projektua për të lehtësuar mungesat globale të ushqimit duke lejuar rifillimin e eksporteve nga tri porte në Ukrainë.

Ukraina është prodhuesi i shtatë më i madh i grurit në botë dhe parashikohet të jetë eksportuesi i pestë më i madh për vitet 2021 - 2022.

Në vitin 2021, eksportet ukrainase të grurit u vlerësuan në 5.1 miliardë dollarë, me Egjiptin, Indonezinë, Turqinë, Pakistanin dhe Bangladeshin si destinacionet kryesore.

Deri në shkurt të vitit 2022 kur filloi pushtimi rus, Ukraina kishte dërguar afërsisht 95 përqind të eksporteve të pritura të grurit për atë vi./REL

Ushtria e Ukrainës numëron dëmet që ia shkaktoi Rusisë

Ushtria e Ukrainës thotë se që nga fillimet e luftimeve e deri sot, kanë vrarë rreth 150605 persona, si dhe ka shkatërruar 3397 tanke.

Sipas një njoftimi të ushtrisë, po ashtu kanë shkatërruar 6658 makina të blinduara luftarake, 2398 sistemet të artilerisë, 247 sisteme të luftës kundërajrore dhe 300 aeroplanë.

Gjithashtu theksohet se që nga 24 shkurti i vitit 2022, ata kanë shkatërruar 288 helikopterë, 18 anije dhe 5264 pajisje të automobilave dhe autocisterna.

Polonia shkurton mbështetjen për ukrainasit që qëndrojnë në këtë vend

Një ndryshim në një akt ekzistues të hyrë në fuqi që nga sot sipas të cilit refugjatët ukrainas që jetojnë në ambiente akomodimi kolektiv në Poloni, qëndrimi i të cilit në vend tejkalon 120 ditë, do të duhet të mbulojë 50% të kostos së akomodimit dhe vakteve, ose mbi 9 euro në ditë.

Nga 1 maj, refugjatët, qëndrimi i të cilëve tejkalon 180 ditë, do të mbulojë 75% të këtyre kostove, ose mbi 13 euro në ditë.

Rregullat e reja nuk zbatohen për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, njerëzit në moshën e pensionit, gratë shtatzëna dhe ata që sjellin fëmijë deri në moshën e një. Gjithashtu, nënat ose kujdestarët e tjerë që kujdesen për tre ose më shumë fëmijë të vegjël vetëm në Poloni nuk kanë pse të paguajnë tarifa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat