Biden, Yoon paralajmërojnë Korenë e Veriut për armët bërthamore; paraqesin plan parandalues

Bota

Biden, Yoon paralajmërojnë Korenë e Veriut për armët bërthamore; paraqesin plan parandalues

Më: 27 prill 2023 Në ora: 00:48
Presidenti Biden dhe ai i Koresë së Jugut Yoon (26 prill 2023)

Presidenti Joe Biden dhe ai i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol paraqitën të mërkurën një plan për të përballuar rrezikun bërthamor nga Koreja e Veriut, me një paralajmërim të hapur nga udhëheqësi amerikan se një sulm i tillë do të “përfundojë me fundin e çfarëdo regjimi” që ndërmerr një veprim të tillë.

Planet e reja për të parandaluar sulmet bërthamore parashikojnë ankorimin periodik të nëndetëseve amerikane me armatim bërthamor në Korenë e Jugut për herë të parë pas dekadash, shtimin e stërvitjeve mes dy vendeve, etj. Kjo u bë e ditur ndërsa Presidenti Biden mirëpriti Presidentin Yoon për një vizitë shtetërore në një moment ankthi në rritje për shkak të ritmit të shtuar të provave me raketa balistike nga Koreja e Veriut.

“Një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut kundër Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve është i papranueshëm, dhe do të rezultojë me fundin e çfarëdo regjimi që do të ndërmerrte një veprim të tillë”, tha Presidenti Biden gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zotin Yoon, në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.

Image
Presidenti Biden dhe ai i Koresë së Jugut Yoon (26 prill 2023)

Presidenti koreanojugor Yoon tha se angazhimi i ri i “aleancës së drejtë” përmban plane për konsultime dypalëshe presidenciale në rast të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut, krijimin e një grupi konsultativ bërthamor dhe përmirësimin e ndarjes së informacionit për planet operacionale për armët bërthamore dhe strategjike.

“Paqja e qëndrueshme në Gadishullin Korean nuk ndodh automatikisht”, tha zoti Yoon.

Image
Presidenti Biden dhe ai i Koresë së Jugut Yoon (26 prill 2023)

Ndihmësat e Presidentit Biden dhe të Presidentit Yoon kanë punuar për detajet e planit për muaj të tërë dhe ranë dakord që "demonstrime të rastësishme" dhe "shumë të qarta të fuqisë" së kapaciteteve të zgjeruara parandaluese të Shteteve të Bashkuara duhej të ishin një aspekt thelbësor i marrëveshjes, sipas tre zyrtarëve të lartë të administratës së Presidentit Biden që informuan gazetarët përpara njoftimit.

Zyrtarët thanë se e ashtuquajtura Deklarata e Uashingtonit ishte hartuar për të zbutur frikën e Koresë së Jugut mbi programin agresiv të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe për ta ndaluar vendin të rifillojë programin bërthamor, nga i cili hoqi dorë gati 50 vjet më parë kur nënshkroi Traktatin për Mospërhapjen Bërthamore. Zoti Yoon në fillim të këtij viti tha se vendi i tij po shqyrtonte mundësinë e prodhimit të armëve të veta bërthamore, ose po kërkonte nga Shtetet e Bashkuara që t'i dislokonte ato sërish në Gadishullin Korean.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut gjithashtu do të koordinojnë më thellë strategjinë e reagimit bërthamor në rast se Veriu sulmon Jugun – por kontrolli operacional i armëve të tilla do të mbetet nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe asnjë armë bërthamore nuk do të vendoset në brigjet e Koresë së Jugut.

“Nuk do të vendosim armë bërthamore në gadishull”, nënvizoi Presidenti Biden.

Presidenti amerikan tha se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut mbetet vendimtar përballë kërcënimeve në rritje të Koresë së Veriut dhe shkeljes së hapur të sanksioneve ndërkombëtare. Presidenti Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për bisedime “konkrete” me Veriun pa vendosur parakushte.

Kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut, së bashku me shqetësimet për vendosmërinë ushtarake dhe ekonomike të Kinës në rajon, e kanë shtyrë administratën e Presidentit Biden të zgjerojë aleancën e saj me vendet aziatike. Për këtë qëllim, Presidenti Biden i ka kushtuar shumë vëmendje Presidentit Yoon si dhe Kryeministrit japonez Fumio Kishida. Javën e ardhshme, Presidenti Biden do të presë Presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. për bisedime në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin e kaluar, Koreja e Veriut ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj bërthamor, ndërsa Kina dhe Rusia në mënyrë të përsëritur bllokojnë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet ndaj Veriut për morinë e provave të ndaluara të raketave.

Provat e shtuara nga Koreja e Veriut përfshijnë edhe një raketë balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë, provë e bërë për herë të parë në fillim të këtij muaji. Prova e fundit shihet si një përparim i mundshëm në përpjekjet e Koresë së Veriut për të patur një armë më të fuqishme, më të vështirë për t'u zbuluar dhe që synon të arrijë deri në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara.

Presidentët Biden dhe Yoon, si dhe ndihmësat e tyre, diskutuan edhe për luftën në vazhdim të Rusisë në Ukrainë. Administrata e Presidentit Biden ka lavdëruar Korenë e Jugut për dërgimin e rreth 230 milionë dollarëve ndihma humanitare në Ukrainë, por Presidenti Biden do të mirëpriste që Seuli të merrte një rol edhe më të madh për të ndihmuar ukrainasit të zmbrapsnin Rusinë.

Vizita e Presidentit Yoon vjen vetëm disa javë pas zbulimit të një sërë dokumentesh tepër sekrete që kanë komplikuar marrëdhëniet me aleatët, përfshirë Korenë e Jugut.

I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp nëse rrjedhja e informacionit u diskutua gjatë takimit, Presidenti Yoon u përgjigj: "Jemi duke komunikuar mes dy vendeve tona"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat