Lideri bjellorus Lukashenko dyshohet se është shtruar në spital

Bota

Lideri bjellorus Lukashenko dyshohet se është shtruar në spital

Më: 15 maj 2023 Në ora: 10:05
Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko.

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, më 14 maj nuk mori pjesë në ngjarjet për të shënuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Stemës dhe Himnit, derisa po qarkullojnë thashetheme që ai është në gjendje të keqe shëndetësore.

Kryeministri bjellorus, Raman Halouchanka, lexoi një fjalim në emër të Lukashenkos.

Gjatë tri javëve të fundit, janë organizuar disa ngjarje publike, në të cilat Lukashenko ka munguar. Megjithatë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të 68-vjeçarit. Më 13 maj, një raport i paverifikuar pretendonte se ai ishte dërguar në një spital në Minsk.

Lukashenko mori pjesë në festimet e Ditës së Fitores së 9 majit në Moskë, ku nuk dukej mirë dhe dora e tij e djathtë ishte mbuluar me një fashë.

Një anëtar rus i Dumës së Shtetit u citua nga mediat ruse më 14 maj të ketë thënë se Lukashenko ishte i sëmurë, por nuk është asgjë e pazakontë dhe se nuk është COVID-19.

"Pavarësisht se u sëmur, ai vendosi të vinte në Moskë, dhe më pas në mbrëmjen e së njëjtës ditë mori pjesë në një ngjarje në Minsk. Ai ndoshta ka nevojë për pak pushim, kjo është e gjitha", tha zyrtari rus Konstantin Zatulin.

Ai tha se ai e di se nga çfarë vuan Lukashenko, por nuk tregoi diagnozën.

Shërbimi për shtyp i Lukashenkos nuk ka komentuar në mënyrë specifike për ndonjë sëmundje, por tha se ai vazhdon të punojë "me dokumente".

Raportet e lajmeve në mbrëmjen e 13 majit thanë se Lukashenko mbërriti në Qendrën Mjekësore Klinike Republikane në Minsk. Rrugët për në spital u bllokuan, ndërsa autokolona e tij po afrohej dhe forcat e sigurisë qëndruan përgjatë rrugës.

Lukashenko ka qenë në pushtet që nga viti 1994.

Komisioni zgjedhor i vendit e shpalli atë fitues të zgjedhjeve të vitit 2020, por rezultatet u kundërshtuan, më shumë që besonin se procesi ishte manipuluar dhe se fituesja e vërtetë e zgjedhjeve ishte politikania e opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya.

Regjimi i Lukashenkos shtypi brutalisht protestat masive kundër rezultatit në muajt që pasuan, duke burgosur figura të opozitës dhe duke i shtyrë të tjerët në mërgim.

Udhëheqësi autoritar më pas mbështeti presidentin rus, Vladimir Putin, në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke lejuar forcat ruse të përdorin territorin bjellorus si një terren për ndërhyrjen e Rusisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat