Lukashenko ‘i sëmurë’ rishfaqet pas një jave – por ka dy detaje që tregojnë se ai ishte në gjendje të keqe shëndetësore

Bota

Lukashenko ‘i sëmurë’ rishfaqet pas një jave – por ka dy detaje që tregojnë se ai ishte në gjendje të keqe shëndetësore

Më: 16 maj 2023 Në ora: 15:11
Aleksander Lukashenko

Autoritetet bjelloruse kanë publikuar fotografi dhe video të Aleksandër Lukashenkos, duke u përpjekur t’i japin fund një jave spekulimesh për shëndetin e liderit autoritar.

Sipas mediave të huaja, pamjet treguan Lukashenkon duke vizituar një pikë kontrolli të ushtrisë, por krahu i fashuar dhe zëri i ngjirur dhe i rraskapitur i sundimtarit dukej se konfirmonte thashethemet se ai ishte në gjendje të keqe shëndetësore.

Lukashenko nuk ishte parë në publik që nga e marta e kaluar, kur mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë.

Dhe si pasojë, qarkulluan thashetheme se ai ishte shtruar në spital pas kthimit të tij në Minsk.

Udhëheqësja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila u largua nga vendi pas një goditjeje të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve në vitin 2020, u tha mbështetësve të saj të hënën që të jenë “të përgatitur mirë për çdo skenar”.

Menjëherë pas kësaj, një kanal në Telegram i lidhur me administratën e Lukashenkos publikoi një fotografi të liderit bjellorus, me sa duket duke vizituar një qendër komande ushtarake, i veshur me rrobe ushtarake dhe me krahun e majtë të fashuar.

Më vonë, kanali publikoi pamjet video të Lukashenkos, me sa duket në të njëjtën vizitë, duke mbajtur një takim për situatën e sigurisë në vend.

“Siç e kuptoj, situata nuk është kritike, por gjithsesi shqetësuese”, citohet të ketë thënë ai, duke folur me vështirësi në një takim me gjeneralët.

Lukashenko ka sunduar Bjellorusinë që nga viti 1994.

Një ish-menaxher i fermave kolektive, ai është përmendur shpesh si “diktatori i fundit në Evropë” dhe regjimi i tij mori një kthesë edhe më represive pas protestave masive në 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat