Sekretari Blinken fillon takimet në Pekin me zyrtarët kinezë

Bota

Sekretari Blinken fillon takimet në Pekin me zyrtarët kinezë

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 16:51
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken duke shtrëguar duart me ministrin e jashtëm kinez Qin Gang (Pekin, 18 qershor 2023)

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nisi sot takime me zyrtarët kinezë në kuadër të një vizite dy ditore me pritshmëri të larta për uljen e tensioneve mes Pekinit dhe Uashingtonit. Ai u takua me ministrin e jashtëm kinez Qin Gang për të diskutuar rreth shqetësimeve të rëndësishme që kanë Shtetet e Bashkuara për një seri çështjesh të sigurisë dhe për t’u siguruar se konkurenca me Kinën nuk do të shndërrohet në një përplasje apo konflikt.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Pekin. Ai është kryediplomati i parë amerikan që viziton Kinën që nga viti 2018, për takime me ministrin e jashtëm kinez Qin Gang, kryediplomatin kinez Wang Yi, dhe ndoshta edhe me Presidentin kinez Xi Jinping.

Ministri i jashtëm kinez Qin Gang e mirëpriti të dielën Sekretarin Blinken dhe delegacionin që e shoqëron në hyrjen e vilës qeveritare Diaoyutai në Pekin. Ata shkëmbyen përshëndetje të shkurtra në anglisht, ndërsa shtrënguan duart përpara flamurit kinez dhe atij amerikan.

Image
Nga takimi dypalësh në Pekin (18 qershor 2023, Reuters/CCTV)

Pasi u drejtuan tek salla e takimit, as Sekretari Blinken dhe as zoti Qin nuk bënë komente për gazetarët, të cilët u lejuan për pak momente të filmonin në sallë.

Ndihmës ministri i jashtëm kinez, i cili mori pjesë në takim, ndërsa postoi në Twitter një foto të takimit të dy zyrtarëve shkruajti se shpresonte që ky takim t'i rikthente marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën që ranë dakord dy presidentët kur u takuan në Bali.

Zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë kanë pranuar nevojën për të stabilizuar marrëdhënien mes dy vendeve dhe për të patur kanale komunikimi mes zyrtarëve të lartë.

Por, pritshmëritë janë të ulëta për shkak të marrëdhënieve të tensionuara në lidhje me të drejtat e njeriut, Tajvanin, teknologjinë dhe çështje të tjera të sigurisë.

Pak përpara se të nisej për në Kinë, zoti Blinken tha gjatë një konference për shtyp në Uashington se delegacioni amerikan do të bisedonte në mënyrë të drejtpërdrejtë me palën kineze për “shqetësime shumë reale” për një seri çështjesh.

Gjatë një vizite të mëparshme në Singapor dhe ndërsa gjendej përkrah ministrit të jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Sekretari Blinken u shpreh se Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen që “konkurenca që kemi me Kinën nuk do të kalojë në përplasje apo konflikt”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin tha përpara vizitës se “Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si një ‘rivale parësore’ dhe si ‘sfidën më domethënëse gjeopolitike’. Ky është një gjykim i gabuar strategjik”, tha zëdhënësi kinez.

Presidenti amerikan Joe Biden tha dje përpara nisjes për një takim elektoral në Filadelfia, se shpreson të takohet me Presidentin kinez Xi Jinping gjatë muajve të ardhshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat