Rusia prodhon armë të posaçme për të dëmtuar tubacionet dhe kabllot nënujore perëndimore

Bota

Rusia prodhon armë të posaçme për të dëmtuar tubacionet dhe kabllot nënujore perëndimore

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Forcat detare perëndimore duhet të përshtaten tashmë me një lloj të ri rreziku. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, disa vende rivale, kryesisht Rusia, po zhvillojnë kapacitete të reja ushtarake, për të goditur infrastrukturën jetike në thellësi të deteve, siç janë gazsjellësit dhe kabllot nënujorë.

Sasi të mëdha gazi natyror u çliruan në Detin Baltik kur në muajin shtator, gazsjellësi ‘Nord Stream’, që lidh Rusinë me Gjermaninë, u ça.

Filmimet nënujore treguan se të paktën 50 metra tubacion ishin dëmtuar dhe në shtratin e detit u vunë re copa të mëdha të tij. Hetuesit suedezë gjetën gjurmë eksplozivi dhe Perëndimi dyshon se kjo mund t ë ket ë qenë një akt sabotazhi nga Rusia. Vetëm pak ditë pas incidentit, Britania njoftoi se do të rrisë kapacitetet për mbrojtjen nënujore.

“Rusia nuk i fsheh kapacitetet që ka për të goditur këtë infrastrukturë. Pra, për këtë arsye, mund të njoftoj se kemi angazhuar rishtazi dy anije të specializuara që mund t’i mbajnë kabllot dhe tubacionet tona të sigurta”, tha Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

E para nga këto anije po pajiset nga marina britanike, e cila thotë se do të ketë rolin e një “anijeje mëmë” që do të drejtojë nga distanca sisteme autonome për të mbikëqyrur dhe për të luftuar në shtratin e detit.

Miliona kilometra kabllo nënujore dhe tubacione mbartin karburant që mbajnë në lëvizje ekonominë globale.

“Disa prej rivalëve të Perëndimit, Rusia më tepër, po zhvillojnë kapacitete të posaçme për të sulmuar pikërisht këto pika të dobëta, me mjete si nëndetëse të projektuara me një qëllim të caktuar”, thotë Sidharth Kaushal, analist në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Rusia mohon të ketë sabotuar gazsjellësin ‘Nord Stream’. Por vëzhguesit thonë se Kremlini e shikon gjithnjë e më shumë infrastrukturën nënujore perëndimore si një pikë të dobët. Në fund të dhjetorit, Rusia përuroi katër luftanije të reja, përfshirë dy nëndetëse me energji bërthamore.

“Ato kanë armë shumë të sakta dhe sisteme robotike”, tha Presidenti rus Putin.

Të përballur me këtë rrezik, NATO dhe Bashkimi Evropian krijuan muajin e kaluar një grup pune të përbashkët për mbrojtjen e infrastrukturës jetike. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s informoi në tetor për gjendjen e gatishmërisë ushtarake të aleancës, pas shpërthimeve në gazsjellësin ‘Nord Stream’.

“Sulmet e qëllimshme ndaj infrastrukturës jetike të aleatëve do të priten me një përgjigje të bashkuar dhe të vendosur. Sulmet hibride dhe ato kibernetike mund të aktivizojnë Nenin 5 (për mbrojtjen kolektive) dhe mund të përbëjnë një sulm të armatosur ndaj një vendi të NATO-s”, tha zoti Stoltenberg.

Perëndimi duhet të qartësojë rregullat për angazhimin në luftime, thotë analisti Kaushal.

“Çfarë bën kur vëren p.sh. se një nëndetëse po dëmton infrastrukturën jetike kombëtare, por jo në një mënyrë që shkakton humbje të menjëhershme jetësh? Pra realisht çështja është më tepër se si mund të ndryshohen praktikat organizative për t’u përballur me një aktivitet të këtij lloji”, thotë zoti Kaushal.

Analistët thonë se forcat detare duhet të përshtaten me shpejtësi për të mbrojtur infrastrukturën jetike nën det, ndërkohë që kundërshtarët po zhvillojnë kapacitete të reja ofensive për luftë hibride./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat