Analisti ushtarak Sean Bell: "Llogaritet se Putini do ta humb këtë luftë"

Bota

Analisti ushtarak Sean Bell: "Llogaritet se Putini do ta humb këtë luftë"

Nga: SH.Ramabaja Më: 30 korrik 2023 Në ora: 11:50
Vladimir Putin

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon, por ka shenja në rritje se baza e pushtetit të Putinit po shkatërrohet. Sipas analistit ushtarak Sean Bell, Putini po perceptohet gjithnjë e më shumë në Rusi si një problem, që Rusia duhet ta zgjidhë.

Ndërsa presioni po rritet mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të vazhduar më tej me ofensivën ukrainase, kurse gjithashtu edhe presidentit rus Vladimir Putin po i shtohet presioni brenda rradhëve të veta. Analisti ushtarak Sean Bell tha për Sky News se fuqia dhe autoriteti i presidentit rus po bie, pasi zbulohen të çara në themelet e sundimit të tij.

Sipas Bell, Putini gjithashtu perceptohet gjithnjë e më shumë në Rusi si një problem, që Rusia duhet ta zgjidhë. Elita ruse, për mbështetjen e së cilës Putin ka nevojë, po i ndjen gjithnjë e më shumë efektet e sanksioneve perëndimore.

Ekonomia ruse vazhdon të tkurret

Pavarësisht të ardhurave të fuqishme nga nafta dhe gazi, ekonomia ruse po tkurret pasi më shumë se një milion rusë të aftë për punë kanë ikur nga vendi për të shmangur rekrutim, tha Bell. Sipas Bell, edhe lajmet pro Putinit në media ruse, nuk mund ta shmangnin gjithnjë këtë problem.

Besimi i Putinit në forcat e tij të armatosura gjithashtu duket se po pakësohet. Suksesi i kufizuar ushtarak i Rusisë në Ukrainë u arrit kryesisht nga paraushtarakët e grupit Wagner, por Putini nuk mund t'u besonte më atyre. Kjo mungesë besimi, e kombinuar me nevojën për të forcuar sigurinë e tij të brendshme, do të ushtronte presion të mëtejshëm mbi burimet e kufizuara ushtarake të Putinit, tha Bell për Sky News.

Koha po punon në favor të Ukrainës

Në fillim të luftës, Putin supozonte se koha ishte në anën e Rusisë dhe se uniteti dhe vendosmëria perëndimore do të zbehej me kalimin e kohës, analizon Bell. Megjithatë, sot koha duket se po shkon në favor të Ukrainës, pasi Rusia vazhdon të humbasë terren. "Putin ndoshta duhet të gjejë një rrugëdalje nga konflikti pa e humbur fytyrën, në mënyrë që të konsolidojë fuqinë e tij në rënie," tha Bell.

Përveç kësaj, në Moskë pati raportime për problemet e brendshme politike të Putinit në rritje, veçanërisht pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit nga shefi i Wagner, Prigozhin. Bell thotë se aktakuza e Putinit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të ketë implikime afatgjata për rimëkëmbjen e Rusisë pas konfliktit. Për më tepër, çështja nëse Prigozhin veproi vetëm, ose nëse veprimet e tij ishin një barometër i pakënaqësisë së përhapur, është gjithashtu i një rëndësie të madhe.

Ditët e Putinit si president, mund të jenë të numëruara

Bell vazhdon duke thënë se Putini do të bënte thirrje në mënyrë proaktive për një armëpushim, vetëm nga një pozicion dobësie. Megjithatë, nëse komuniteti ndërkombëtar do ta detyronte atë të negocionte, ai mund të shfrytëzonte mundësinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke pranuar përfitimet. Sipas Bell, përmes negociatave ai përfundimisht mund të përpiqet që ta mbante Krimenë dhe pjesë të Donbasit, të dorëzonte urën tokësore dhe kështu të shpallte fitoren për "operacionin e tij special ushtarak" - të paktën për audiencën vendase.

Por edhe pa negociata, ditët e Putinit si president rus mund të jenë të numëruara. Përpjekja e paligjshme e Pushtimit të Ukrainës ka njollosur kredibilitetin e Rusisë, ka dëmtuar ekonominë e saj dhe ka ekspozuar gjendjen e pasigurt të aftësive të saj ushtarake.

"Putini tashmë e ka humbur këtë luftë"

Në këtë sfond, është më e rëndësishme që Perëndimi të vazhdojë presionin ndërkombëtar mbi regjimin e Putinit dhe të vazhdojë të mbështesë luftën e Ukrainës kundër pushtuesve rusë, shpjegon Bell. Mungesa e përparimit në fushën e betejës në Ukrainë mund të jetë shqetësuese nga këndvështrimi perëndimor, por fitorja strategjike e Ukrainës në këtë konflikt nuk duhet domosdoshmërisht të bazohet në sukseset ushtarake, sipas analistit ushtarak: "Putini ndoshta e ka humbur tashmë këtë luftë dhe e sheh të ardhmen e tij gjithnjë e më të paqëndrueshme.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat