Kina me ndihmën e marinsave spiunoi SHBA-në

Bota

Kina me ndihmën e marinsave spiunoi SHBA-në

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 21:16
Marina

Dy marinsa amerikanë janë arrestuar nga autoritetet, pasi i kanë ofruar Kinës informacione të rëndësishme të luftanijeve të SHBA-së dhe planin e veprimeve të ushtrimeve detare që SHBA-ja planifikonte t’i realizonte me aleatët në Indo-Paqësor. Të dy marinsat kanë prejardhje kineze, mirëpo nuk dihet nëse janë shfrytëzuar nga i njëjti agjent i Kinës

Dy marinsa amerikanë janë akuzuar për ofrimin e informacioneve të ndjeshme ushtarake për Kinën. Dy marinsat nga Kalifornia i kanë ofruar Kinës detaje të ushtrimeve ushtarake, operacioneve detare dhe materialeve të rëndësishme teknike.

Mirëpo, dy rastet janë të ndara dhe nuk është e qartë nëse dy marinsat janë paguar nga zyrtari i njëjtë i inteligjencës kineze si pjesë e një skeme më të madhe të spiunimit.

Zyrtarët federalë në një konferencë për media në San Diego nuk kanë treguar nëse dy marinsat ishin në dijeni të veprimeve të njëri-tjetrit.

Jinchao Wei, 22-vjeçar, i angazhuar në luftanijen amerikane USS Essex, ishte arrestuar të mërkurën pasi hipi në anije.

Ai është akuzuar se ka transferuar informacione për sistemin e armëve dhe aeroplanët në anije dhe anije të tjera luftarake që janë pjesë e USS Essex.

Prokurorët kanë thënë se Wei, i lindur në Kinë, ishte njoftuar nga një zyrtar kinez i inteligjencës në shkurtin e vitit 2022, kur po aplikonte për t’u bërë shtetas amerikan dhe e dinte se do të ndikonte në aplikimin e tij.

Ani pse në dijeni, me kërkesë të zyrtarit kinez, Wei, ka siguruar fotografi dhe video të anijeve amerikane, përfshirë edhe USS Essex.

Departamenti amerikan i Drejtësisë gjithashtu ka akuzuar edhe Wenheng Zhao, 26-vjeçar, që ishte i angazhuar në bazën detare në San Diego. Ai besohet se ka marrë 15 mijë dollarë ryshfet nga një zyrtar kinez në këmbim të detajeve të ushtrimeve ushtarake, urdhrave operacionalë dhe fotografi të sistemit elektrik. Këto informacione i kishte ofruar nga gushti i vitit 2021 deri në majin e këtij viti.

Informacionet ishin rreth planeve operacionale të ushtrimit të madh ushtarak në rajonin e Indo-Paqësorit. Pjesë e informacioneve të ofruara ishin lokacioni dhe koha e të gjitha lëvizjeve ushtarake të forcave detare të SHBA-së.

Në fillim të vitit 2023, SHBA-ja dhe Kina tensionuan marrëdhëniet si pasojë e një balone kineze, e cila fluturoi pothuajse në të gjithë territorin amerikan. Sipas raportimeve, balona ka arritur të mblidhte të dhëna nga bazat ushtarake me ditë të tëra, para se ajo të rrëzohej. Balona ishte në gjendje t’i dërgonte në kohë reale të dhëna Pekinit. Kjo balonë kishte kapur sinjale elektronike, e nuk ka bërë foto, thuhet nga zyrtarët. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë arritur të kufizojnë aftësinë e balonës për të marrë të dhëna teksa kishte fluturuar mbi territorin e SHBA-së.

Autoritetet amerikane përcollën balonën mbi Alaska dhe Kanada, para se të rifutej në hapësirën ajrore amerikane në fillim të shkurtit. Balona u rrëzua në afërsi të Karolinës së Jugut më 4 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat