Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

Bota

Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 16:29
Miguel Fontes

Rreth dy muaj pas fillimit të pilot projektit të javës katërditore të punës, Sekretari i Shtetit për Punën, po bën një vlerësim pozitiv të projektit, duke thënë ai ka indikacione se punëtorët dhe organizatat janë të kënaqur.

Bilanci përfundimtar i përvojës që mbulon 39 kompani dhe rreth 1000 punëtorë, e cila filloi më 5 qershor, do të bëhet vetëm në fund të gjashtë muajve të projektit, por sekretari i Shtetit për Punën, Miguel Fontes, i cili po vizitonte një nga kompanitë pjesëmarrëse, Crioestaminal, në Cantanhede, tha për Lusën se ai kishte, për momentin, "indikacione pozitive" nga pjesëmarrësit.

“Informacioni që na vjen është shumë pozitiv, në të cilin personat që po punojnë katër ditë në javë janë veçanërisht të kënaqur me këtë mundësi, ata mendojnë se cilësia e punës dhe e jetës së tyre është përmirësuar”, tha ministri, raporton Lusa.

Sipas Miguel Fontes, përvoja në këto kompani mund të tregojë se, me javën katërditore të punës, “ulen mungesat në punë, rritet niveli i atraktivitetit të këtyre kompanive”, duke u bërë kështu më konkurruese.

“Nga këndvështrimi i organizatave, ajo që na dëshmojnë është se kjo i ka detyruar të ridizajnojnë proceset e punës, të riorganizojnë metodologjitë e punës, por që tani për tani nuk mendojnë se ka ndonjë rezultat më pak pozitiv për shkak se i janë bashkuar projektit të javës katërditore”, ka shtuar ai, duke theksuar megjithatë se “është ende herët” për një vlerësim përfundimtar.

Pilot projekti filloi më 5 qershor, me 39 kompani dhe rreth 1,000 punëtorë që iu bashkuan nismës.

Projekti synon të vlerësojë zbatimin e javës katërditore, me uljen përkatëse të numrit të orëve të punës, pa ulur pagën dhe ka për qëllim punëdhënësit dhe punonjësit që dëshirojnë të bashkohen vullnetarisht, sipas urdhëresës së publikuar në Diario da Republica, gazeta zyrtare e qeverisë.

Parashikohet që subjektet që regjistrohen në programin pilot do të vlerësohen para, gjatë dhe pas programit, nëpërmjet treguesve që lidhen me kompaninë, si produktiviteti dhe kostot e ndërmjetme, si dhe me punëtorët, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien.

IEFP - Instituti i punësimit dhe trajnimit profesional merr përsipër kostot dhe shpenzimet që lidhen me zhvillimin e programit pilot deri në një shumë të përgjithshme maksimale prej 350,000 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat