​Lukashenko paralajmëron se Bjellorusia mund të përdorë armë bërthamore në rast "agresioni”

Bota

​Lukashenko paralajmëron se Bjellorusia mund të përdorë armë bërthamore në rast "agresioni”

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Bjellorusia do të ishte e gatshme të përdorte armët bërthamore të dhëna nga aleati i ngushtë Rusia përballë "agresionit" të huaj, tha të enjten presidenti Aleksander Lukashenko, ndërsa tensionet rriten rreth kufijve të vendit me vendet e NATO-s.

Minsku ka luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, me Moskën duke përdorur Bjellorusinë si një nga pikat e saj të nisjes për pushtim në fillim të vitit 2022, ndërsa stërvitjet e përbashkëta ushtarake Rusi-Bjellorusi gjatë vitit të kaluar kanë nxitur shqetësimet se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse.

Sipas presidentit rus Vladimir Putin, në qershor, kokat bërthamore ruse thuhet se iu dorëzuan Bjellorusisë për "parandalim", shkruan cnn.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko pohoi se Bjellorusia "nuk do të përfshihej kurrë në këtë luftë" nëse ukrainasit nuk do e kalonin kufirin e saj. Por ai shtoi: “Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Rusinë, ata janë aleati ynë”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse provokohet – veçanërisht nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia, Lituania dhe Letonia – Bjellorusia “do të përgjigjet menjëherë me gjithçka që kemi”, përfshirë armët bërthamore.

Nuk është e qartë se sa nga arsenali bërthamor i Rusisë u transportua në Bjellorusi kohët e fundit, dhe zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë nuk e kanë konfirmuar publikisht se ndonjë armë është transferuar – megjithëse zyrtarë të lartë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA) thanë se nuk kishin "asnjë arsye për të dyshuar" në pretendimin e Putinit.

Gjatë intervistës, Lukashenko tha se nëse Bjellorusia do të sulmohej, “ne nuk do të vonojmë, të presim, e të tjerë. Ne do të përdorim të gjithë arsenalin e armëve tona për parandalim.”

"Ne nuk sollëm armë bërthamore këtu për të trembur dikë", shtoi ai. “Po, armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fortë parandalues. Por këto janë armë bërthamore taktike, jo strategjike. Kjo është arsyeja pse ne do t'i përdorim ato menjëherë nëse do të nisë agresioni kundër nesh."

Zyrtarët e lartë të DIA-s thanë në korrik se nuk besojnë se Lukashenko do të kishte ndonjë kontroll mbi arsenalin, i cili me shumë gjasa do të kontrollohej tërësisht nga Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat