OKB dënon “përkeqësimin e shpejtë” të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor

Bota

OKB dënon “përkeqësimin e shpejtë” të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 18:59
Ushtria izraelite gjatë një operacioni në Xhenin në Bregun e pushtuar Perëndimor. Fotografi nga arkivi.

Një raport i Kombeve të Bashkuara i publikuar të enjten dënon atë që e quajti një "përkeqësim të shpejtë" të të drejtave të njeriut në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe u kërkoi autoriteteve izraelite t'i japin fund dhunës kundër popullatës palestineze atje.

Sipas raportit të Zyrës së Komisionerit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), 300 palestinezë ishin vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori, në ditën kur Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - kreu një sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit dhe mori pengje në enklavën palestineze.

Të paktën 105 vdekje mund t'iu atribuohen operacioneve izraelite që përfshijnë sulme ajrore ose taktika të tjera ushtarake në kampet e refugjatëve ose zona të tjera të populluara. Të paktën tetë persona u vranë nga kolonët hebrenj, tha raporti.

Tal Heinrich, një zëdhënëse e Zyrës së kryeministrit izraelit, e hodhi poshtë raportin dhe e quajti "mjaft qesharak".

"Ai nënvlerëson plotësisht kërcënimet kryesore të sigurisë për izraelitët që dalin nga Judea dhe Samaria," tha ajo, duke iu referuar Bregut Perëndimor me emrat e tij biblikë hebraikë.

"Po, ne arrestuam qindra të dyshuar për terrorizëm në atë zonë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që duhet për të ruajtur sigurinë tonë”, tha ajo.

Volker Turk, komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se përdorimi i forcës së panevojshme ose joproporcionale kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor ishte "jashtëzakonisht shqetësues".

“I bëj thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa të menjëhershëm, të qartë dhe efektivë për t'i dhënë fund dhunës së kolonëve kundër popullatës palestineze, për të hetuar të gjitha incidentet e dhunës nga kolonët dhe forcat izraelite të sigurisë, për të siguruar mbrojtje efektive të komuniteteve palestineze”, tha ai.

OHCHR tha se kishte regjistruar gjithashtu ndalime arbitrare, ndalime të paligjshme, raste të raportuara të torturave dhe forma të tjera të keqtrajtimit të të burgosurve palestinezë dhe shtoi se rreth 4.785 palestinezë ishin arrestuar në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.

“Disa i zhveshën lakuriq, me sy të lidhur dhe u mbajtën për orë të tëra me pranga dhe këmbë të lidhura, derisa ushtarët izraelitë i shkelën në kokë dhe kurriz, i pështynë, përplasën për mure, i kërcënuan, ofenduan, poshtëruan dhe në disa raste ata kanë qenë subjekt i dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore”, thuhet në një deklaratë të OHCHR në lidhje me raportin.

Ushtria izraelite ka thënë se operon kundër militantëve të dyshuar në Bregun Perëndimor dhe se ka nisur hetimet mbi rastet e keqtrajtimit të mundshëm të të ndaluarve.

Lufta në Gazë ka shpërthyer pas Hamasi ka vrarë 1.200 njerëz dhe i ka marrë 240 pengje në sulmet në jug të Izraelit, më 7 tetor – njëherësh sulmi më i rëndë në historinë e shtetit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 21.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 55.000 janë plagosur si pasojë e ofensivës izraelite.

Deri më tani besohet se të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës janë detyruar të largohen prej shtëpive të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat