SHBA dënon konfiskimin e anijes së transportit të naftës nga Irani

Bota

SHBA dënon konfiskimin e anijes së transportit të naftës nga Irani

Më: 11 janar 2024 Në ora: 22:07
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara dënuan Iranin për konfiskimin e një anijeje cisternë të tranportit të naftës pranë brigjeve të Omanit dhe bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të saj dhe të ekuipazhit të saj, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.

“Nuk ka asnjë justifikim për konfiskimin e saj. Ata duhet ta lirojnë atë”, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

Anija që u konfiskua nga marina e Iranit në të kaluarën ka qenë në epiqendër të një krize të madhe midis Teheranit dhe Uashingtonit, thanë zyrtarët. Konfiskimi i anijes cisternë përshkallëzon më tej tensionet në rrugët ujore të Lindjes së Mesme.

Anija dikur quhej “Suez Rajan” dhe ishte përfshirë në një mosmarrëveshje njëvjeçare, që përfundimisht bëri që Departamentiamerikan i Drejtësisë të sekuestronte 1 milion fuçi naftë bruto iraniane në bordin e saj.

Konfiskimi pason sulmet disa javore ndaj anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani, duke përfshirë një breshëri me raketa dhe drone të kryer të martën në mbrëmje.

Kjo ka rritur rrezikun e sulmeve të mundshme hakmarrëse nga forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që tani patrullojnë rrugën jetike ujore, veçanërisht pas një votimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mërkurën që dënonte sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare. Zyrtarët amerikanë dhe ata britanikë kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme nga sulmet.

Televizioni shtetëror i Iranit njoftoi mbi sekuestrimin e anijes cisternë të enjten, disa orë pasi njerëz të armatosur hipën në të.

Një njesi e ushtrisë britanike, e cila lëshon paralajmërime për marinarët në Lindjen e Mesme, tha se konfiskimi i anijes cisternë filloi herët në mëngjes të enjten në ujërat midis Omanit dhe Iranit. Zona ku u konfiskua anija cisternë është një rrugë ujore tranziti përmes së cilës anijet hyjnë dhe dalin nga ngushtica e Hormuzit, gryka e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon një e pesta e të gjithë naftës së tregtuar.

Uashtria britanike tha se u dëgjuan "zëra të panjohur përmes telefonit" kur ata u përpoqën të kontaktonin anijen. Ajo tha se përpjekjet e mëtejshme për të kontaktuar anijen nuk ishin të suksesshme dhe se burrat që hipën në anije ishin të veshur me "uniforma të zeza të stilit ushtarak dhe me maska të zeza".

Firma private e sigurisë “Ambrey” tha se "katër deri në pesë persona të armatosur" hipën në anije, të cilën e identifikoi si cisterna e naftës “St. Nikolas”. Firma “Ambrey” tha se personat e armatosur mbuluan kamerat e vëzhgimit ndërsa po hipnin në anije.

Anija ishte ankoruar në një port afër qytetit të Basrës në Irak, ku u ngarkua me naftë të papërpunuar për transport drejt Turqisë për firmën turke “Tupras”. Të dhënat satelitore të analizuara nga Associated Press për herë të fundit treguan se cisterna me flamurin e Ishujve Marshall ishte kthyer dhe ishte nisur drejt portit të Bandar-e Jaskut në Iran.

Anija “St. Nikolas”, e cila më parë quhej “Suez Rajan” është në pronësi të kompanisë greke “Empire Navigation”. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press, kompania “Empire Navigation” me bazë në Athinë pranoi se kishte humbur kontaktin me anijen cisternë. Sipas kompanisë greke, 18 anëtarë të ekuipazhit të anijes janë shtetas të Filipineve dhe një shtetas i Greqisë.

““Empire Navigation” nuk ka njohuri për një urdhër gjykate apo se anija e tyre është konfiskuar nga marina iraniane. Nuk na ka kontaktuar askush”, tha kompania greke.

Vëmendja filloi të përqëndrohej tej anija “Suez Rajan” në shkurt 2022, kur grupi Të Bashkuar kundër Iranit Bërthamor tha se dyshonte se cisterna mbante naftë nga Ishulli Khargh i Iranit, terminali i tij kryesor i shpërndarjes së naftës në Gjirin Persik. Fotot satelitore dhe të dhënat e transportit të analizuara në atë kohë nga Associated Press konfirmuan këtë njoftim.

Për muaj të tërë, anija u ankorua në Detin e Kinës Jugore në brigjet verilindore të Singaporit përpara se të lundronte papritmas drejt brigjeve të Teksasit pa asnjë shpjegim. Anija e shkarkoi ngarkesën e saj në një cisternë tjetër në gusht, e cila lëshoi naftën e saj në Hjuston si pjesë e një urdhri të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në shtator, “Empire Navigation” pranoi fajësinë për kontrabandë të naftës së papërpunuar iraniane, që ishte e ndaluar nga sanksionet ndëkombëtare dhe ra dakord të paguante një gjobë prej 2.4 milionë dollarësh.

Flota e 5-të e Marinës amerikane, e cila patrullon Lindjen e Mesme, nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi incidentin.

Pasi “Suez Rajan” u nis për në Amerikë, Irani konfiskoi dy cisterna pranë ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë një me ngarkesë për kompaninë amerikane të naftës “Chevron Corp”. Në korrik, komandanti i lartë i krahut detar të Gardës Revolucionare kërcënoi veprime të mëtejshme kundër kujtdo që shkarkonte ngarkesat me naftë të anijes “Suezin Rajan”.

Që nga prishja e marrëveshjes bërthamore të Iranit, në ujrat përreth ngushticës së Hormuzit janë konfiskuar një numër anijesh nga Irani, si dhe janë kryer sulme ndaj anijave, për të cilat Marina amerikane e ka fajësuar Teheranin. Irani dhe Marina amerikane gjithashtu kanë patur një sërë përballjesh të tensionuara në rrugët ujore, megjithëse së fundmi vëmendja është përqendruar në sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat