Lufta e Izraelit në Gazë dhe ndikimi mbi Shtetet e Bashkuara

Bota

Lufta e Izraelit në Gazë dhe ndikimi mbi Shtetet e Bashkuara

Më: 19 janar 2024 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Trysnia ndaj Izraelit dhe aleatit kryesor të tij, Shteteve të Bashkuara, po vazhdon të rritet, ndërsa numri i viktimave në Gazë ka arritur në mijëra. Zyrtarët humanitarë thonë se sistemi shëndetësor në enklavën palestineze po shembet dhe Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për armëpushim.

Ndërsa udhëheqësit e “Vendeve të Paangazhuara”, lëvizjes së 120 vendeve të palidhur me ndonjë prej blloqeve të Luftës së Ftohtë, përgatiten për një takim të nivelit të lartë, korrespondentja e Zërit të Amerikës në Uashington Anita Powell njofton mbi ndikimin e luftës Izrael-Hamas mbi Shtetet e Bashkuara.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Izraelin, që po vazhdon opreacionin e tij ushtarak për shkatërrimin e Hamasit, ka pasur pasoja globale.

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë që kërkon armëpushim të përhershëm, me kusht që grupi militant i Hamasit të pushojë së funksionuari dhe pengjet të lirohen.

Presidenti Biden, i cili u ka rezistuar thirrjeve për një armëpushim, tha dje se konflikti do të ketë një rrugë të gjatë.

Megjithëse presidenti izraelit e pranoi se operacioni ka goditur ashpër 2 milionë banorët e Gazës, ai thotë se vendi i tij nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë.

“Nuk po e mohoj tragjedinë njerëzore në Gazë. Por doni të dini diçka? Ne kujdesemi. Është e dhimbshme për ne që fqinjët tanë po vuajnë kaq shumë. Por si mund të mbrohemi ndryshe nëse armiqtë tanë janë angazhuar në një fushatë terrori në një shkallë të pabesueshme”, thotë Presidenti Isaac Herzog.

Analistët thonë se mbështetja e Uashingtonit për operacionin e Izraelit, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën mijëra viktima, ka zbehur pozitën globale të Shteteve të Bashkuara.

“Sot, për shkak të Gazës, Shtetet e Bashkuara janë edhe më të izoluara në OKB, në Asamblenë e Përgjithshme, sesa Rusia dy vjet më parë”, thotë Trita Parsi nga Instituti Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme.

Kjo ka penguar përpjekjet amerikane në fusha të tjera, si për shembull mbledhjen e aleatëve për të vepruar kundër rebelëve Houthi, të cilët po sulmojnë anijet tregtare në Detin e Kuq.

“I vetmi vend i madh që ngeli në koalicion ishte Mbretëria e Bashkuar. Vendet tjera si Franca, Spanja, Italia u larguan. Kjo tregon se sa është dobësuar fuqia mobilizuese e Amerikës, për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike midis Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të ngushtë të saj”, thotë zoti Parsi.

Kjo ka nxitur ata që janë ankuar prej kohësh për hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara, si Afrika e Jugut, e cila në fillim të këtij muaji paditi Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Ne dënojmë ashpër masakrën dhe gjenocidin e tmerrshëm të popullit palestinez në Gazë dhe Bregun Perëndimor”, tha Cyril Ramaphosa, President i Afrikës së Jugut.

Gjatë ditëve në vijim, Afrika e Jugut do të jetë në mesin e 120 vendeve që do të takohen në Ugandë me delegacionet e “Vendeve të Paangazhuara”, një lëvizje e shteteve që nuk ishin zyrtarisht të lidhura, me ndonjë prej blloqeve të fuqive të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë. Analistët thonë se kjo dëmton Shtetet e Bashkuara.

“Duke treguar se është e gatshme të ndryshojë kursin e vullnetit global kur është e interesuar të mbrojë Izraelin, Shtetet e Bashkuara në fakt delegjitimojnë këto institucione, duke përcjellë mesazhin se këto institucione nuk janë asgjë më shumë sesa një mjet i politikës së fuqive të mëdha”, thotë Anjali Dayal nga Universiteti Fordham.

Ndërkohë, ndërsa debatet vazhdojnë, Gaza është nën rrënoja./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat