LIVE: “Moska po luan me jetët e njerëzve”, raporti i fundit ngre alarmin: Rusia mund të përdorë armë bërthamore!

Bota

LIVE: “Moska po luan me jetët e njerëzve”, raporti i fundit ngre alarmin: Rusia mund të përdorë armë bërthamore!

Nga: Bota sot Më: 25 janar 2024 Në ora: 06:35 Përditësuar në ora: 18:47 më 25.01.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Reagimi i Ukrainës për rrëzimin e aeroplanit: Nuk kemi marrë asnjë kërkesë me shkrim apo verbale nga Rusia për sigurimin e hapësirës ajrore rreth Belgorodit

Zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov ka thënë për Radio Svoboda, se Ukraina nuk ka marrë asnjë kërkesë me shkrim e as verbale nga Rusia për të siguruar hapësirën ajrore rreth zonës së Belgorodit, ku u rrëzua një aeroplan transportues ushtarak rus.

Rusia njoftoi më parë se aeroplani ushtarak Ilyushin Il-76 transportonte 65 ushtarë ukrainas të zënë rob dhe akuzoi Kievin për rrëzimin e tij.

Ndërkaq Yusov tha se Kievi nuk ka prova të mjaftueshme për ta besuar këtë.

Ai shtoi se dy aeroplanë të tjerë transportues ushtarakë rusë An-26 dhe An-72, ishin në hapësirën ajrore në të njëjtën kohë, raporton Reuters.

“Për fat të keq, ne mund të supozojmë skenarë të ndryshëm, duke përfshirë provokimin, si dhe përdorimin e të burgosurve ukrainas si mburoja njerëzore për të transportuar municione dhe armë”, tha ai.

Yusov përsëriti se aeroporti në Belgorod përdorej në mënyrë aktive nga Rusia për furnizime ushtarake.

Gjatë shkëmbimit të fundit të të burgosurve, kur u përdor transporti ajror, Rusia i kërkoi Ukrainës të sigurojë hapësirën ajrore, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ndodhi këtë herë.

Ukraina do të fillojë ndërtimin e katër reaktorëve bërthamorë këtë vit

Ukraina pret të fillojë punën e ndërtimit në katër reaktorë të rinj të energjisë bërthamore këtë verë ose vjeshtë, ka thënë ministri i energjisë, pasi vendi kërkon të kompensojë kapacitetin energjetik të humbur në luftë.

Njësitë, dy të bazuara në pajisje të prodhimit rus dhe dy duke përdorur teknologji perëndimore, do të ndërtohen në termocentralin bërthamor Khmelnytskyi në perëndim të Ukrainës, shkruan Sky News.

Bëhet e ditur se tre termocentrale bërthamore në territorin e kontrolluar nga Ukraina prodhojnë më shumë se 55 për qind  të nevojave të vendit për energji elektrike.

Por Kievi dëshiron të zgjerojë sektorin për të ndihmuar në kompensimin e humbjes së Zaporizhzhia, centralit bërthamor më të madh në Evropë, ndaj ushtrisë ruse.

Zelenskyy akuzon Rusinë se “luan me jetët e njerëzve” pas rrëzimit të aeroplanit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Moskën se po “luan me jetët e të burgosurve ukrainas”, pas rrëzimit të avionit në Rusinë perëndimore.

Ai ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar për aksidentin që ndodhi të mërkurën që vrau të gjithë 74 personat në bord.

Rusia pretendon se pasagjerët ishin të burgosur lufte ukrainas të nisur për një shkëmbim, shkruan Euronews.

Avioni Il-76 u rrëzua të mërkurën në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën, me 65 të burgosur ukrainas, gjashtë ekuipazh rus dhe tre shoqërues në bord.

Moska ka bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për incidentin, duke akuzuar Kievin për rrëzimin e tij.

Videot e rrëzimit të avionit të shpërndara në mediat sociale tregojnë se avioni bie nga qielli në një zonë rurale me dëborë. Një flakë e madhe mund të shihet duke u ngritur nga vendi ku u rrëzua avioni.

Raporti: Rusia mund të përdorë armë bërthamore jostrategjike pas humbjeve ushtarake në Ukrainë

Humbjet e mëdha të Rusisë gjatë agresionin kundër Ukrainës nënkuptojnë që Moska tani po i sheh armët taktike bërthamore si gjithnjë e më të rëndësishme për të frenuar dhe mundur NATO-n, thuhet në një raport të ri nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, IISS, me seli në Londër, i cili paralajmëron se Perëndimi duhet të zgjohet nga kërcënimi bërthamor në rritje.

Më 24 shkurt 2022, teksa tanket e para ruse kaluan kufirin ukrainas duke shënuar fillimin e sulmit, Presidenti Vladimir Putin mbajti një fjalim televiziv duke paralajmëruar botën për “pasoja me të cilat nuk jeni përballur kurrë në historinë tuaj”, nëse dikush do të përpiqej ta ndalonte Rusinë, një kërcënim i parë gjerësisht si demonstrim i forcës bërthamore nga Kremlini.

Raporti i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, IISS, thotë se frika nga përshkallëzimi me Rusinë ka bërë që Perëndimi të hezitojë për të furnizuar Kievin me armë.

Por gati dy vjet më vonë, një raport i zbulimit amerikan i deklasifikuar muajin e kaluar, vlerëson se Rusia ka humbur rreth 315,000 trupa në Ukrainë që nga fillimi i sulmit, ose gati 90% të forcave të saj të paraluftës, pjesa më e madhe nga armët e dhuruara nga Perëndimi.

“Rusia tani ka më pak besim në aftësitë e saj konvencionale për shkak të gjithçkaje që ka humbur në luftën me Ukrainën”, thotë William Alberque, autor i raportit dhe Drejtor i Strategjisë, Teknologjisë dhe Kontrollit të Armëve në IISS.

Kjo do të thotë që armët bërthamore të Moskës me rreze më të shkurtër veprimi, të njohura si amë bërthamore jostrategjike ose NSNW – të prodhuara për përdorim në fushën e betejës – po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për Kremlinin, sipas zotit Alberque.

“Rusia ka raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, që lëshohen nga ajri, toka dhe deti, të afta për të goditur rajonin me mbushje bërthamore dhe në gjendje për të rrezikuar të gjithë NATO-n. Aleancës i mungon aftësia për ta balancuar kërcënimin rus”, thotë ai. 

Përpjekjet parandaluese

Rusia ka vendosur armë bërthamore jostrategjike në territorin e Bjellorusisë aleate, vend fqinj me disa shtete të NATO-s. Javën e kaluar, Bjellorusia njoftoi se kishte miratuar një doktrinë të re ushtarake.

“Vendosja e armëve bërthamore taktike në territorin e Bjellorusisë është një komponent i rëndësishëm i frenimit të kundërshtarëve të mundshëm nga një agresion i armatosur kundër Bjellorusisë”, tha Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin, më 20 janar.

Raporti i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, përmend gjithashtu analizën e publikuar në qershor nga analisti i njohur politik dhe ushtarak rus Sergei Karaganov, kreu i Këshillit për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes në Moskë, në të cilën ai rekomandon goditjen me një armë taktike bërthamore të një vendi evropian që përkrah Ukrainën, në mënyrë që të rivendoset politika e frenimit kundër NATO-s.

Në analizën e titulluar “Një vendim i vështirë, por i domosdoshëm”, analisti Karaganov shkruan se: “Është e nevojshme të zgjohet instinkti i vetëpërmbajtjes që Perëndimi e ka humbur dhe të bindet se përpjekjet për të dobësuar Rusinë, duke armatosur ukrainasit janë kundërproduktive për vetë Perëndimin. Ne do të duhet ta bëjmë frenimin bërthamor përsëri një argument bindës, duke ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore”.

“Moralisht, kjo është një zgjedhje e tmerrshme, pasi ne do të përdorim armën e Zotit, duke e dënuar kështu veten me humbje të rënda shpirtërore. Por nëse nuk e bëjmë këtë, jo vetëm që Rusia mund të vdesë, por ka shumë të ngjarë, që e gjithë bota e qytetëruar të pushojë së ekzistuari. Duke thyer vullnetin e Perëndimit për të vazhduar agresionin, ne jo vetëm që do të shpëtojmë veten dhe përfundimisht do ta çlironim botën nga zgjedha pesëshekullore perëndimore, por do ta shpëtojmë edhe njerëzimin”, shkruante analisti Karaganov.

William Alberque vë në dukje se pas publikimit të analizës së zotit Karaganov, në debatin bërthamor, janë përfshirë edhe disa politologë të tjerë të njohur rusë. Madje edhe presidenti rus ka dhënë pëlqimin për analizën. 

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë një konference vjetore politike në Valdai, një qytet buzë liqenit midis Moskës dhe Shën Petersburgut, vetë Putini iu drejtua analistit Karaganov, që ishte i pranishëm në sallë.

“I kam lexuar të gjitha shkrimet e tua”, i tha Presidenti Putin analistit Karaganov. “Mendoj se nuk kemi nevojë ta godasim NATO-n, por mendoj se kam nevojë për alternativa shtesë kur flitet për përshkallëzim me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për të ruajtur politikën e frenimit”, thotë zoti Alberque, duke shtuar se këto alternativa përfshijnë gjithnjë e më shumë armët bërthamore jostrategjike.

“Ata mendojnë vazhdimisht se çfarë lloj doze armësh bërthamore do t'u duheshin për të na bërë të pajtohemi, për të na bërë në thelb të kërkojmë paqe, pa e përshkallëzuar konfliktin jashtë kontrollit të tyre, ku ne në fakt fillojmë të godasim objektiva thellë brenda Rusisë. Pra, në thelb, si të na pengojnë që të godasim Moskën? Si të mbahet konflikti në një zonë të caktuar?”

​“Mendoj se ata besojnë se përdorimi i armëve të vogla bërthamore mund të mbahet nën kontroll dhe ato mund të jenë të dobishme për Rusinë. Pra, kjo është ajo që ne do ta konsideronim përdorim i armëve bërthamore për të fituar betejën, për t’i mbajtur Shtetet e Bashkuara jashtë hyrjes në luftime, për shembull, duke mos na lejuar të merrnin përforcimet e Shteteve të Bashkuara nga përtej oqeanit”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Alberque.

Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se përdorimi i çdo lloj arme bërthamore nga Rusia në Ukrainë do ta "ndryshonte rrënjësisht natyrën e konfliktit" dhe do të kishte "pasoja".

Rusia beson se NATO-ja nuk e ka vendosmërinë për t'u përgjigjur me armët e veta bërthamore, sipas raportit nga IISS, i cili thotë se është jetike që Perëndimi ta rikalibrojë strategjinë e frenimit bërthamor.

“A duhet të kemi edhe ne gati të njëjtat sisteme armësh bërthamore jostrategjike? Apo do t’ia bëjmë të pamundur Rusisë përdorimin e tyre përmes një sistemi më të mirë dhe të integruar të mbrojtjes ajrore dhe nga raketat? Këto janë ato që duhet të zgjidhim. Kjo është një dilemë e re, apo, ndoshta një dilemë, të cilën e kemi injoruar për një kohë kaq të gjatë”, thotë zoti Alberque për Zërin e Amerikës.

‘Të mjaftueshme për ta shkatërruar planetin shumë herë’ – sasia e armëve bërthamore që posedojnë SHBA-ja dhe Rusia

SHBA-ja dhe Rusia posedojnë afërsisht 90 për qind të armëve bërthamore në botë, mjaftueshëm për të shkatërruar planetin shumë herë.

Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka një inventar total të kokave bërthamore prej 5,977, derisa SHBA-ja posedon 5,428 sosh.Sidoqoftë, këto shifra janë të diskutueshme, duke qenë se ekspertët thonë se numri i saktë i kokave dhe armëve nuk dihet saktësisht për shkak të fshehtësisë që rrethon strategjitë dhe shqetësimet e sigurisë.

Kështu, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë thotë se arsenali rus përfshin 4,447 koka bërthamore, nga të cilat 1,588 janë të vendosura në raketa balistike dhe në baza të rënda bombarduese.

Këtë vit, kjo organizatë jofitimprurëse me bazë në Çikago ka vendosur në alarm paralajmërimet për rreziqet katastrofale që mund të ndodhin në botë, duke pozicionuar akrepat e “Orës së Kijametit” në 90 sekondat e fundit para mesnatës.

Kjo do të thotë se bota, nuk ka qenë që moti më afër katastrofave globale, duke i atribuuar rasteve sikurse të konfliktit të Ukrainës dhe Rusisë, kërcënimit të kësaj të fundit me armë bërthamore si dhe luftën midis Izraelit dhe Gazës.

Vetëm javën e fundit, paralajmërime ka pasur nga ana e NATO-s si dhe nga vetë vendi anëtar siç është Gjermania, se aleanca mund të përfshihet brenda disa viteve në një luftë me Rusinë, duke ngritur shqetësimet për siguri.

Presidenti rus Vladimir Putin vazhdimisht ka aluduar se do të përdorë armë bërthamore “nëse rrezikohet integriteti territorial i Rusisë”.

Duke mos mjaftuar konflikti që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës dy vende të pozicionuara gjeografikisht në Evropë, një krizë është “ringjallur” edhe në disa vende të Lindjes së Mesme.

Më 7 tetor, nisi konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, grupi militant palestinez në Rripin e Gazës që sulmoi Tel Avivin dhe komunitetet jugore në Izrael. Kështu, ky i fundit nisi bombardimin e rajonit palestinez, ku mbetën të vrarë mbi 25 mijë palestinezë.

Duke mos mjaftuar kjo, krisje pati edhe mes forcave amerikane dhe britanike dhe forcave të grupit Houthi në Jemen, të cilët sulmuan anijet komerciale amerikane në Detin Kuq. Kjo ka bërë që SHBA-ja dhe Britania e Madhe të bombardojnë objektivat e këtij grupi në Jemen.

Megjithatë, këto dyja nuk janë përplasjet e fundit në Lindjen e Mesme.

“Përgatituni për luftë” - shefi i ushtrisë britanike paralajmëron qytetarët

Kreu i ushtrisë britanike ka paralajmëruar qytetarët britanikë që të përgatiten për një luftë të mundhsme me Rusinë, duke nënvizuar se ata vetë mund të kenë nevojë të mobilizohen.

Duke folur në ekspozitën ndërkombëtare të automjeteve të blinduara në Londër, gjenerali Sir Patrick Sanders tha se pushtimi rus i Ukrainës është një shenjë e gjërave që do të vijnë.

Gjenerali theksoi se mësimet e luftërave të mëparshme duhet të mbahen mend përpara se të jetë tepër vonë.

Ai paralajmëroi se të gjithë qytetarët duhet të jenë të përgatitur, jo për mobilizim të plotë por për një mobilizim civil, që nuk është parë në Evropë që prej vitit 1945.

Gjenerali  kërkon stërvitjen e civilëve dhe pajisjen e tyre për formimin e një “ushtrie qytetare” me dhjetra mijëra anëtarë, në rast se Britania detyrohet të shkojë në luftë me Rusinë.

Sanders shton se brenda tre vjetëve duhet të krijohej një ushtri e gjerë me 120 000 ushtarë, rezerviste dhe një “rezervë strategjike”që besohet se mund të formohet me thirrjen e ushtarakëve të larguar.

Zhvillimi vjen pas një retorike të ngjashme nga anëtarë të tjerë të NATO në Evropë, si ministri i Jashtëm gjerman, i cili bëri paralajmërime të njëjta për përgatitje lufte.

Rusia: SHBA, Kore e Jugut dhe Japonia po përgatiten për luftë me Korenë e Veriut

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, akuzoi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë se përgatiten për luftë me Korenë e Veriut.  Lavrov mbajti një konferencë për media në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York dhe tha se ky bllok i ri ushtarak i bashkuar nga SHBA ka rritur aktivitetet e tij dhe ka kryer stërvitje në shkallë të gjerë.

Retorika e Koresë së Jugut papritur “ka marrë një trajtë edhe më armiqësore kundër Phenianit”, njoftoi Lavrov, i cili tërhoqi vëmendjen se edhe nga Japonia kanë ardhur “retorika agresive” kundrejt këtij vendi.

Qëllimi i bllokut ushtarak në fjalë është shprehur qartë, vlerësoi Lavrov, duke shtuar: “Mënyra e të shprehurit është goxha e paqartë, thanë një gjë të tillë si bashkëpunimi bërthamor, por ata po përgatiten për luftë me Korenë e Veriut”.

Pasi më tej tha se edhe marrëdhëniet e tyre me Korenë e Veriut po “përparojnë mirë dhe po zhvillohen në mënyrë goxha aktive”, Lavrov shtoi se “ata shohin që Koreja e Veriut po përpiqet të jetë e pavarur dhe se nuk po shkon pas drejtimit të askujt”.

SHBA dhe disa ish fuqi koloniale Perëndimore “duhet të përballen me realitetet e botës së sotme” theksoi Lavrov, duke shtuar se “nuk duhet të mendoni se jeni kaq të fuqishëm vetëm sepse keni dollarë”.

Koreja e Jugut reagim ndaj deklaratave të Lavrov

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, Lim Soo-suk tha se deklaratat e Lavrov pasqyrojnë “pretendimet e gabuara dhe të shtrembëruara të Koresë së Veriut për hedhjen e fajit ndaj botës së jashtme teksa ajo zhvillon raketa dhe armë bërthamore”.

Lim akuzoi Korenë e Veriut për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit me paraqitjet e armëve të tilla si testimet e raketave që zhvilloi këtë muaj dhe goditjet me artileri pranë kufirit të diskutueshëm detar me Jugun.

Zëdhënësi Lim ndër të tjera tha se “qeveria jonë ka shprehur vazhdimisht dëshirën për krijimin e dialogut pa ndonjë parakusht me Korenë e Veriut”.

Koreja e Veriut thotë se ka testuar një raketë të re strategjike lundrimi

Nga: A.Sh

Koreja e Veriut tha se kishte kryer teste të raketës së saj të re strategjike lundrimi, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA më 25 janar, duke konfirmuar atë që ushtria e Koresë së Jugut tha një ditë më parë.

Koreja e Veriut, e cila vazhdon të zgjerojë aftësitë e saj ushtarake, kreu testin më 24 janar. Në fillim të këtij muaji, Pheniani testoi tashmë armën bërthamore nënujore Haeil-5-23 dhe një raketë balistike me rreze të mesme veprimi me një kokë lufte të drejtuar nga hipersonik.

Koreja e Veriut dyshohet se është bërë furnizuesi kryesor i armëve të Rusisë, duke nxitur pushtimin rus në shkallë të plotë të Ukrainës. Pheniani dyshohet se i ka dërguar Moskës më shumë se 1 milion fishekë artilerie dhe duket se i siguron Moskës raketa balistike për të sulmuar qytetet e Ukrainës.

Raporti i fundit thotë se emri i raketës së re të lundrimit është Pulhwasal-3-31. Detajet, të tilla si sa larg fluturoi raketa, nuk u dhanë, por KCNA vuri në dukje se Pulhwasal-3-31 është ende në "fazën e saj të zhvillimit".

Sipas agjencisë së lajmeve, lëshimi i Pulhwasal-3-31 është pjesë e përditësimit të sistemit të armëve të shtetit dhe nuk ka "asgjë" të bëjë me situatën rajonale.

Të shqetësuara për kërcënimin e Koresë së Veriut, SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë filluar të forcojnë bashkëpunimin e tyre.

Shefat e Përbashkët të Shtabit të Seulit (JCS) tha më 24 janar se Koreja e Veriut lëshoi "disa" raketa lundrimi drejt Detit të Verdhë në orën 7 të mëngjesit me orën lokale, njoftoi Agjencia e Lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap.

Ishte lëshimi i parë i njohur i një rakete lundrimi nga Koreja e Veriut që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u kryen testet e dy raketave strategjike të lundrimit me rreze të gjatë me koka bërthamore të rreme. Sipas Phenianit, raketat udhëtuan në orbita fluturimi në formë tetë prej 1500 kilometrash.

Testet e para të raketave të lundrimit të Koresë së Veriut me aftësi të mundshme sulmi bërthamor u bënë në shtator 2021, kur u lëshuan Hwasal-1 dhe Hwasal-2.

Ukraina thotë se goditi rafinerinë e naftës

Nga: A.Sh

Ukraina ka konfirmuar se goditi një rafineri ruse të naftës në Tuapse me drone, pas raportimeve tona të mëparshme për një zjarr në fabrikë.

Një burim me shërbimin e sigurisë SBU tha se Kievi do të vazhdojë të sulmojë objektet që ofrojnë karburant për ushtrinë ruse.

“SBU godet thellë në Federatën Ruse dhe vazhdon sulmet ndaj objekteve që nuk janë vetëm të rëndësishme për ekonominë ruse, por gjithashtu ofrojnë lëndë djegëse për trupat armike”, tha burimi për Reuters.

Fabrika është e vetmja rafineri e madhe e naftës në Rusi e vendosur në brigjet e Detit të Zi.

Ajo mund të prodhojë 12 milionë tonë metrikë në vit dhe furnizon karburant kryesisht në Turqi, Kinë, Malajzi dhe Singapor.

Pamjet/ Zjarr masiv në një rafineri në Rusi

Një zjarr  masiv shpërtheu të mërkurën në një rafineri në qytetin jugor rus të Tuapse, i cili laget nga Deti i Zi, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen ta vënë nën kontroll.

Sipas informacioneve paraprake nuk raportohet për viktima.

Disa raportuan se rafineria ishte sulmuar nga dronët ukrainas ndërsa vazhdojnë hetimet.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat