Japonia e interesuar për ofertën e Koresë së Veriut mbi përmirësimin e marrëdhënieve

Bota

Japonia e interesuar për ofertën e Koresë së Veriut mbi përmirësimin e marrëdhënieve

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 18:28
Foto ilustrim

Japonia, pa dhënë detaje, të premten iu përgjigj shkurtimisht ofertës për t'i dhënë fund mosmarrëveshjeve nga Koreja e Veriut.

Tokio "po i kushton vëmendje", tha kryesekretari i kabinetit Yoshimasa Hayashi, duke iu referuar deklaratës së Kim Yo Jong, motrës së liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Në një lëvizje të papritur dhe të rrallë, Kim të enjten tha se të dy vendet mund të hapin "një të ardhme të re së bashku".

Hayashi nuk dha detaje, duke theksuar "ndikimin e mundshëm negativ në negociatat në lidhje me rrëmbimet e kaluara të shtetasve japonezë nga Pheniani", raportoi Kyodo News me bazë në Tokio.

Kim më herët tha se Pheniani do të jetë i hapur për përmirësimin e marrëdhënieve me Tokion, madje duke lënë të kuptohet për një ftesë të mundshme në të ardhmen në Phenian për kryeministrin japonez.

Deklarata e saj erdhi pasi kryeministri japonez, Fumio Kishida, javën e kaluar tha se kishte një "ndjenë të fuqishme" për të ndryshuar marrëdhëniet aktuale midis dy rivalëve të vjetër.

Në vitin 2002, Koreja e Veriut pranoi se kishte dërguar agjentë për të rrëmbyer 13 japonezë në vitet 1970 dhe 1980, duke i shtyrë ata që të shërbenin në trajnimin e spiunëve të saj për gjuhën dhe zakonet japoneze.

Ish-kryeministri i Japonisë, Junichiro Koizumi, bëri një vizitë historike në Phenian në vitin 2002 dhe takoi babanë e Kim, Kim Jong-il.

Vizita e tij çoi në kthimin e pesë shtetasve japonezë dhe një udhëtim të mëvonshëm nga Koizumi, por përpjekjet diplomatike u rrënuan shpejtë, pas pretendimeve të Tokios se Pheniani nuk ishte i qartë për viktimat e rrëmbimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat