Orban përshkruan ‘planet e detajuara’ të Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Bota

Orban përshkruan ‘planet e detajuara’ të Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Më: 11 mars 2024 Në ora: 08:04
Viktor Orban dhe Donald Trump

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili u takua me kandidatin presidencial amerikan Donald Trump më 8 mars, ka pohuar se Trump ka “plane mjaft të detajuara” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Por sipas tij, Trump nuk do të japë “asnjë qindarkë” për të luftuar agresionin rus në Ukrainë, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas Orban, Trump ka “plane mjaft të detajuara” se si t’i japë fund luftës ruso-ukrainase dhe planet e tij përputhen me interesat e Hungarisë.

“Ai ka një vizion shumë të qartë me të cilin është e vështirë të mos pajtohesh. Ai thotë si vijon: së pari, ai nuk do të japë asnjë qindarkë për luftën ruso-ukrainase. Kjo është arsyeja pse lufta do të përfundojë, sepse është e qartë se Ukraina nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta. Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë së bashku me evropianët, lufta do të përfundojë. Dhe nëse amerikanët nuk japin para, atëherë evropianët nuk do të mund të financojnë vetëm këtë luftë. Dhe atëherë lufta do të përfundojë”.

Çështja është, shtoi Orban, se SHBA nuk dëshiron të financojë sigurinë e Evropës.

“Nëse evropianët kanë frikë nga rusët ose duan të kenë një nivel të lartë sigurie në përgjithësi, ata duhet të paguajnë për këtë. Ose duke ndërtuar ushtrinë e tyre dhe pajisjet e tyre, ose nëse përdorin amerikanët për këtë, duke paguar amerikanët një çmim, çmimin e sigurisë. Kështu që ai [Trump] po flet drejtpërdrejt dhe qartë”, tha kryeministri hungarez.

Orban gjithashtu vuri në dukje se Trump ishte “presidenti i parë në një kohë të gjatë që nuk filloi një luftë gjatë mandatit të tij”.

Ndryshe, Orban u takua me Trump në Florida më 8 mars.

Të dy diskutuan “një gamë të gjerë çështjesh që prekin Hungarinë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë rëndësinë kryesore të kufijve të fortë dhe të sigurt për të mbrojtur sovranitetin e çdo kombi”.

Orban ishte edhe një herë plot lëvdata për Trump pas takimit, duke pretenduar se “bota do të ishte një vend më i mirë” nëse ai do të kthehej në pushtet.

Trump, nga ana tjetër, e komplimentoi Orbanin, duke e quajtur atë një “lider fantastik”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat