LIVE: Macron befason me deklaratën për Krimenë – inteligjenca gjermane vjen me parashikim të fortë: Rusia mund ta sulmojë…!

Bota

LIVE: Macron befason me deklaratën për Krimenë – inteligjenca gjermane vjen me parashikim të fortë: Rusia mund ta sulmojë…!

Nga: Bota sot Më: 16 mars 2024 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 20:54 më 16.03.2024
Foto ilustrim

Rusia mund ta sulmojë ndonjë anëtare të NATO-s në vitin 2026, thotë inteligjenca gjermane

Shërbimet e inteligjencës gjermane kanë përgatitur për qeverinë një analizë të kërcënimit ushtarak nga Rusia, e cila parashikon se “nga viti 2026 e në vazhdim”, ajo mund të sulmojë territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

Kjo mund të sjell dyfishimin e fuqisë ushtarake të Rusisë gjatë pesë viteve të ardhshme në krahasim me ditët e sotme, veçanërisht në armët konvencionale.

“Nuk mund të përjashtohet më” që Rusia të sulmojë të paktën një pjesë të territorit të NATO-s “nga viti 2026 e tutje”, si në shtetet baltike apo Finlandë, thuhet në raportin e cituar nga Business Insider.

Aty theksohet se agjencitë gjermane ende nuk kanë bërë publikisht deklarata të tilla specifike.

Business Insider thotë se selia e NATO-s ndan gjithashtu shqetësimet për rritjen e aftësive ushtarake të Rusisë dhe konfrontimin e mëtejshëm, por nuk mendon se kjo do të shkaktojë një luftë.

Në veçanti, gazeta citon vlerësime nga shërbimet amerikane të inteligjencës, të cilat “në një periudhë afatmesme” nuk e shohin rrezikun e një sulmi rus ndaj NATO-s dhe besojnë se forcave të armatosura ruse do t’u duhen edhe pesë deri në tetë vjet për të rikthyer forcën ushtarake që kishin para pushtimit të Ukrainës.

Ndryshe, shtetet anëtare të aleancës më të fuqishme ushtarake këtë vit do të rritin investimet në ushtri.

Zgjedhjet presidenciale në territoret e pushtuara/ Rusia akuzon Ukrainën për sulme në qendrën e votimit në Zaporizhzhia

Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka hedhur një predhë nga një dron mbi një qendër votimi në rajonin e Zaporizhzhia, të kontrolluar nga forcat ruse.

Përveç kësaj, Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar Kievin për rritjen e “aktiviteteve terroriste” gjatë zgjedhjeve presidenciale ruse për të tërhequr më shumë ndihmë dhe armë nga Perëndimi, shkruan Sky News.

“Është e qartë se regjimi i korruptuar në Kiev ka intensifikuar aktivitetet e tij terroriste në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vazhdueshme në Rusi, në mënyrë që të demonstrojë aktivitetin e tij te Perëndimi dhe të lutet për më shumë ndihmë financiare dhe armë vdekjeprurëse”, tha ministria në një deklaratë.

Sipas mediave të huaja, ka pasur përçarje në qendrat e votimit pasi rusët votojnë për një president të ri, zgjedhje që Vladimir Putin është pothuajse e sigurt se do t’i fitojë.

Ai u zotua të ndëshkojë Ukrainën për përpjekjet e saj për të prishur procesin zgjedhor.

Lavrov: Krimea, pjesë e Rusisë. Kjo çështje është e mbyllur

“Krimea dhe Sevastopoli janë pjesë integrale e Rusisë dhe çështja e përkatësisë së tyre është mbyllur përgjithmonë”. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, rus Sergej Lavrov.

“Çështja e lidhjes së Krimesë dhe Sevastopolit është mbyllur. Gadishulli është pjesë përbërëse e Rusisë,” theksoi kryediplomati.

“Gjatë viteve të fundit, shumë probleme të trashëguara nga Ukraina janë zgjidhur. Me perspektiva të qarta të zhvillimit të tyre të mëtejshëm, banorët e Krimesë mund të shohin të ardhmen me besim dhe optimizëm,” shtoi ai.

Sipas Lavrovit, 10 vjet më parë, më 16 mars 2014, banorët e Krimesë përcaktuan të ardhmen e tyre në mënyrë të pavarur dhe të vetëdijshme, pasi u ribashkuan me Rusinë.

Armatime për Ukrainën, Stoltenberg thirrje vendeve anëtare të rrisin buxhetin

Gjatë prezantimit të raportit vjetor për shpenzimet e aleancës së atlantikut të veriut, për vitin 2023, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stontenberg, i bëri thirrje vendeve anëtarë që të rrisin edhe më shumë buxhetin e të ndihmojnë sa më shumë, në pajisje e furnizime ushtarake Ukrainën, në nevojë për armatime e municione sa më parë.

Stoltenberg theksoi nga zyrat qendrore në Bruksel, se “federate ruse është kërcënimi më i madh dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleancës, paqes dhe stabilitetit në zonën euro-atlantike”.

Shpenzimet ushtarake të NATO-s, në total për vitin 2023, përllogariten në 1.1 trilion dollarë, ku vërehet rritje e paprecedentë e shpenzimeve për mbrojtjen në Europë dhe Kanada, me 11%.

Rusia beson se NATO, veçanërisht Shtetet e bashkuara, e shohin Ukrainën thjesht si një mjet dhe promovon vazhdimisht përshkallëzimin e krizës atje, vetëm për interesat e saj.

“Ukraina duhet të rimarrë Krimenë”, Macron: Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa rikthimin e territorit

“Ukraina duhet të rimarrë kontrollin mbi të gjitha territoret që zotëronte dikur, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, në të kundërt një “paqe e qëndrueshme” nuk do të ndodhë kurrë.”

Kështu deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron në një intervistë, duke e përshkruar Rusinë si kundërshtarin e Francës.

Në të njëjtën kohë, ai këmbënguli se Parisi nuk ka qenë “duke bërë luftë kundër Rusisë”, por thjesht ka mbështetur Kievin në konflikt.

“Sigurisht, sot Rusia është një kundërshtar. Regjimi i Kremlinit është një kundërshtar”, tha Macron.

“Ne po bëjmë gjithçka që të mund ta vëmë Rusinë nën kontroll, sepse, do t’ju them shumë thjesht, nuk ka paqe të qëndrueshme nëse nuk ka sovranitet, një kthim në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë”, tha ai.

Politico zbardh planin e Navalnyt për dëmtimin e Putinit

Vetëm 15 ditë para vdekjes së tij, lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny nisi aksionin e fundit kundër presidentit Vladimir Putin.

Navalny i kaloi javët e fundit të jetës në një burg të rreptë në Rrethin Arktik, ku kushtet janë aq ekstreme sa janë të barasvlershme me torturën, kujton politico.

Për më shumë se një dekadë, Navalny ka qenë kundërshtari më i shquar dhe kërcënimi më i madh politik i presidentit rus. Vetëm dy javë para vdekjes së tij, Navalny hartoi një plan të ri kundër Putinit.

Më 1 shkurt, llogaria e Navalnyt në platformën X publikoi një ftesë për rusët që janë kundër 71-vjeçarit për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të mbajtura këtë fundjavë.

“Më pëlqen ideja që votuesit anti-Putin të shkojnë së bashku në qendrat e votimit në mesditë. Në mesditë kundër Putinit”, tha Navalny.

Sipas politico, kjo lloj proteste do të ishte e ligjshme dhe relativisht e sigurt.

“Çfarë mund të bënin? A do ti mbyllnin qendrat e votimit në mesditë? A do të organizojnë mitingje në mbështetje të Putinit në orën 10 të mëngjesit? A do t’i regjistrojnë të gjithë ata që erdhën në mesditë dhe do t’i vendosin në listën e njerëzve jo të besueshëm”, pyeti Navalny.

Politico thekson se ka kohë që është e qartë se zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk janë as të drejta dhe as të lira. Putini është, në fakt, i vetmi kandidat dhe të gjithë kundërshtarët e tij politikë ose janë të vdekur, ose të burgosur, ose në mërgim, ose janë penguar të kandidojnë.

Por, thjesht duke u paraqitur në të njëjtën kohë, rusët mund të shprehin protestën e tyre dhe të denoncojnë si mashtrim procesin zgjedhor që Kremlini e nisi pas agresionit kundër Ukrainës.

Vdekja e Alexei Navalny në mesin e muajit të kaluar u dha një shtysë të re rusëve me mendje opozitare. Ndërsa autoritetet zyrtare shtetërore pretendojnë se Navalny vdiq për shkaqe natyrore, familja dhe mbështetësit e opozitarit të ndjerë janë të bindur se Kremlini e ka vrarë. Mijëra rusë dolën në një ditë të ftohtë për të marrë pjesë në funeralin e Navalnyy dhe për të bërë nderimet e tyre.

Gruaja e Alexey Navalny, Yulia u kujtoi bashkatdhetarëve të saj fushatën elektorale të krijuar nga bashkëshorti i saj i ndjerë.

“Alexei i ftoi njerëzit të marrin pjesë në këtë protestë dhe kjo është arsyeja pse ajo është e një rëndësie ekstreme për mua personalisht”, tha Navalnya në një video në të cilën ajo u bëri thirrje rusëve t’i bashkohen protestës “për Navalny”.

Ndryshe, Navalny prehet në varrezat e Borisovo të Moskës, por mbetet kundërshtari më i fuqishëm i Putinit. 

Zelensky zotohet se do t’i kundërpërgjigjet Rusisë për vrasjen e 20 njerëzve në Odesa

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse që e sulmuan të premten qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi, Odesa, do të marrin “përgjigje të drejtë” nga forcat e Kievit.

Rusia e sulmoi Odesën me raketa dhe me dronë të premten, duke i vrarë 20 njerëz dhe duke i plagosur mbi 70 të tjerë, tha Shërbimi Shtetëror Emergjent i Ukrainës.

Dy raketa ruse Iskander-M, të shkrepura nga Krimea e uzurpuar nga Rusia, e goditën një zonë banimi në Odesa, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper.

Disa nga të vdekurit ishin mjekë dhe shpëtimtarë, të cilët u vranë nga një raketë e dytë, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes për t’i mjekuar të plagosurit nga raketa e parë, tha Kiper.

Zelensky e dënoi këtë sulm si “tinëzar” dhe i quajti “fundërrinë” forcat ruse që e kryen sulmin.

Rusia i ka shpeshtuar sulmet në qytetin jugor ukrainas në javët e fundit, duke lëshuar dronë dhe raketa mbi të pothuajse çdo ditë këtë muaj.

Sulmi i së premtes ishte ndër më vdekjeprurësit në javët e fundit.

“Rusia po vazhdon ta terrorizojë Odesën”, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.

Autoritetet ukrainase e kanë nisur një hetim dhe e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

Zelensky u takua me komandantët e ushtrisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, dhe tha më vonë në Telegram se zyrtarët e tij i kanë identifikuar “vendet më të cenueshme” të armikut.

Ai tha se sa më i shtrenjtë çmimi që Rusia duhet ta paguajë për agresionin e saj, “aq më afër do të jetë fundi i drejtë i kësaj lufte”./REL

Evropa do t’i përdorë asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën

Mbështetësit evropianë të Ukrainës do t’i përdorin mjetet e fituara nga asetet e ngrira ruse, për ta financuar blerjen e armatimit për Kievin.

Kështu tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Scholz, Macron dhe Tusk e ritheksuan mbështetjen e tyre për Ukrainën gjatë atij takimi.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Scholz tha se përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Evropë, do të përdoren për blerjen e armëve.

Mbështetja evropiane për Ukrainën është bërë tepër e rëndësishme, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, po e ka të vështirë ta bindë Kongresin amerikan ta miratojë një paketë prej 60 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.

Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën.

Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel.

Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji. Disa në bllok kanë ende dyshime, megjithatë, dhe Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se marrja e aseteve të ngrira ruse duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me fuqitë e G7-ës./REL

Ukraina sulmon me dron rafinerinë e naftës në Rusi

Guvernatori i rajonit të Samara të Rusisë tha të shtunën se dronët ukrainas kishin goditur dy rafineri të naftës që i përkisnin gjigantit shtetëror të naftës Rosneft. Nuk raportohet për viktima por objekti është përfshirë nga flakët.

“Këtë mëngjes ka pasur një sulm në rafinerinë e naftës Syzran dhe një tentativë sulmi në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk. Si rezultat, një njësi e përpunimit të produkteve të naftës ka marrë flakë në territorin e rafinerisë së naftës Syzran. Tentativa për sulm në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk u ndalua dhe nuk pati viktima”, tha shërbimi për shtyp i guvernatorit.

Ukraina javët e fundit ka shënjestruar rëndë infrastrukturën e naftës të Rusisë.

Guvernatori i provincës kufitare të Belgorodit, nën sulm pothuajse të vazhdueshëm muajt e fundit, tha se pesë persona, përfshirë një fëmijë, ishin plagosur në një sulm me dron në një makinë që udhëtonte pranë kufirit me Ukrainën.

Putin kërcënoi për luftë bërthamore/ Emmanuel Macroni i përgjigjet: Jemi gati!

Presidenti francez Emmanuel Macron, duke iu përgjigjur kërcënimeve të reja të liderit rus Vladimir Putin për gatishmërinë e Rusisë për luftë bërthamore, ka thënë se Franca është “fuqi bërthamore” dhe se është e papërshtatshme të bëhen kërcënime të tilla kur “keni armë bërthamore”.

“Para së gjithash, ne duhet të ndihemi të mbrojtur, sepse jemi fuqi bërthamore. Ne jemi gati; kemi një doktrinë për përdorimin e armëve bërthamore”, ka thënë Macron.

Ai është shprehur se kur bëhet fjalë për armët bërthamore, “nuk ka nevojë të mburremi, sepse kjo imponon një përgjegjësi që të mos përshkallëzohet kurrë”.

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia është teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse SHBA-ja dërgon trupa në Ukrainë, kjo do të shihet si përshkallëzim i rëndësishëm i luftës.

New York Times raportoi më 10 mars se Shtetet e Bashkuara po përgatitnin një përgjigje “jo bërthamore” në fund të vitit 2022 nëse Rusia përdorte armë bërthamore kundër Ukrainës.

Më 29 shkurt, Putin iu drejtua Asamblesë Federale Ruse, duke folur, ndër të tjera, për “gatishmërinë e plotë” të forcave bërthamore dhe paralajmëroi për pasojat nëse NATO-ja vendos trupa në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat