Shefi i OKB-së: Bllokimi i ndihmave në Gazë është fyerje morale

Bota

Shefi i OKB-së: Bllokimi i ndihmave në Gazë është fyerje morale

Më: 23 mars 2024 Në ora: 14:23
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres gjatë vizitës në Rafah.

Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ku njerëzit janë duke u përballur me uri, përbën fyerje morale, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përgjatë një vizite në pikëkalimin në Rafah, të shtunën.

Ai ka thënë se është koha që Izraeli të zotohet për lëshimin e ndihmave në Gazë dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë.

Ai u ka thënë gazetarëve se OKB-ja do të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të mundësuar depërtimin e ndihmave në brendësi të Gazës.

“Prej kësaj pike kufitare ne e shohim situatën zemërthyese. Një rend i gjatë me kamionë të bllokuar në njërën anë të kufirit, një rend i gjatë i njerëzve të uritur në anën tjetër”, ka thënë ai.

“Kjo është më shumë sesa tragjike, është fyerje morale”.

Guterres e ka zhvilluar këtë vizitë teksa Izraeli përballet me presion global për të mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë, rajon që është shkatërruar pas më shumë se pesë muajve luftë në mes të Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Izraeli është duke kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shumë afër kufirit me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër një sulmi të tillë.

Shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë duke u strehuar në dhe rreth qytetit Rafah.

Grupet për ndihma kanë paralajmëruar për uri të thellë në Gazë, në rast se nuk lëshohen ndihmat.

Teksa janë zbehur shpresat për arritje të armëpushimit në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhe pas përkeqësimit të situatës humanitare, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera kanë nisur të lëshojnë ndihma prej ajrit në Gazë.

Megjithatë, grupet për ndihma vlerësojnë se palestinezet e kanë pranuar vetëm një të pestën e ndihmës që u duhet.

Ushtria izraelite e ka nisur ofensivën tokësore dhe ajrore në Gazë, pas militantët e Hamasit i kanë vrarë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe i kanë marrë rreth 240 pengje.

Autoritetet shëndetësorë në Gazë kanë thënë që më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë qysh prej nisjes së ofensivës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat