BE, hetim ndaj kompanive kineze të turbinave për ndikimin e subvencioneve në ofertat e tyre

Bota

BE, hetim ndaj kompanive kineze të turbinave për ndikimin e subvencioneve në ofertat e tyre

Më: 10 prill 2024 Në ora: 00:24
Komisionerja e BE Margrethe Vestager

Komisioni Evropian njoftoi të martën një hetim ndaj furnizuesve kinezë të turbinave të prodhimit të energjisë me erë për të përcaktuar nëse subvencionet e huaja u kanë dhënë atyre një avantazh të padrejtë në tregun evropian.

Komisionerja e BE Margrethe Vestager tha të martën se kushtet e zhvillimit do të kontrollohen për qendrat e prodhimit të energjisë nga era në Spanjë, Greqi, Francë, Rumani dhe Bullgari.

Komisionerja Vestager tha se Bashkimit Evropian do t'i duhet një qasje më sistematike, hetimi i secilit rast veçmas, e jo një hetim i përgjithshëm.

“Duhet ta bëjmë ketë para se të jetë tepër vonë”, tha ajo.

"Ne nuk mund të lejojmë atë që ndodhi me panelet diellore të përsëritet me automjetet elektrike, turbinat e prodhimit të energjisë nga era apo mikroprocesorët", shtoi zonja Vestager, duke iu referuar dominimit kinez në tregun evropian të paneleve diellore.

"Sot më pak se 3% e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Evropë", tha zonja Vestager.

Ajo shpjegoi se hetimet “nuk kanë për qëllim të kufizojnë suksesin e Kinës. Ato kanë për qëllim të rivendosin drejtësinë në marrëdhëniet tona ekonomike.

Hetimi bazohet në rregulloren e vitit 2023 për subvencionet e huaja, e cila nga viti i kaluar lejon vlerësimin ndikimit të subvencioneve të huaja për kompanitë, që paraqesin oferta publike në vendet e BE-së, që mund të jenë shumë më të favorshme se rivalët e tyre.

Kjo pason dy hetime të tjera, që mbaruan javën e kaluar, duke nxjerrë përfundmin se kompanitë kineze, që kishin fituar një kontratë për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë diellore në Rumani, përfituan në mënyrë jo proporcionale nga subvencionet.

Një tjetër hetim për ndikimin e subvencioneve të huaja filloi në tetor të vitit të kaluar ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike nën dyshimin se subvencionet i lejuan firmat kineze të mbanin çmime të ulëta dhe të fitonin një avantazh të padrejtë në treg.

Kina i ka quajtur më parë shqetësimet perëndimore për subvencionet e kompanive elektrike "të pabaza" dhe ka pohuar se suksesi i vendit në tregun ndërkombëtar është arritur falë novacionit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat