FBI e shqetësuar lidhur me mundësinë e një sulmi të koordinuar në SHBA pas masakrës në Rusi

Bota

FBI e shqetësuar lidhur me mundësinë e një sulmi të koordinuar në SHBA pas masakrës në Rusi

Më: 12 prill 2024 Në ora: 00:25
Foto ilustrim

Byroja Federale e Hetimeve është e shqetësuar lidhur me mundësinë e një sulmi të organizuar në Shtetet e Bashkuara, të ngjashëm me masakrën në sallën e koncerteve në Rusi muajin e kaluar, tha drejtori i FBI-së përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten.

Shtetet e Bashkuara përballen me kërcënime të sigurisë publike dhe kombëtare, tha përpara ligjvënësve drejtori i FBI-së Christopher Wray gjatë një seance për buxhetin.

Masakra e 22 marsit në një sallë koncertesh në periferi të Moskës la të paktën 144 të vrarë, sulmi më vdekjeprurësi në Rusi në 20 vjet. Një degë e grupit militant të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, por Presidenti Vladimir Putin ka kërkuar ta fajësojë Ukrainën pa ofruar prova.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimet lidhur me mundësinë e një sulmi të kryer nga një individ apo grup i vogël i frymëzuar nga lufta në Gazë midis Izraelit dhe Hamasit. Por FBI-a ka shqetësime në rritje lidhur me një sulm të koordinuar pas masakrës në Rusi.

Në fund të vitit fiskal 2023, FBI-a kishte të hapura 4000 hetime ndërkombëtare për terrorizëm, sipas dëshmisë me shkrim nga zoti Wray.

Shqetësim në rritje "është potenciali për një sulm të koordinuar brenda vendit, i ngjashëm me sulmin e ISIS-K që ndodhi në Rusi disa javë më parë”, tha për ligjvënësit zoti Wray.

Zoti Wray përmendi shqetësimet e agjencisë në lidhje me terrorizmin në përpjekje për të bindur ligjvënësit për të shtuar fondet për FBI-në, megjithëse ka të ngjarë të përballet me një kundërshtim të fortë nga ligjvënësit republikanë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat