LIVE: Avantazhet ushtarake, Irani kundër Izraelit – SHBA mohon përfshirjen

Bota

LIVE: Avantazhet ushtarake, Irani kundër Izraelit – SHBA mohon përfshirjen

Më: 19 prill 2024 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 19:54 më 19.04.2024
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se goditjet kanë rënë në një vend në Iran

Sulm i dyshuar izraelit ndaj Iranit, SHBA mohon përfshirjen

Izraeli ka sulmuar Iranin, sipas disa njoftimeve, megjithëse Izraeli nuk ka komentuar zyrtarisht. Media shtetërore iraniane njoftoi mëngjesin e të premtes se forcat e vendit kishin shkatërruar dronët me të cilët dyshohet se Izraeli kreu sulmin nga brenda Iranit duke u përpjekur të minimizonte pasojat. I vetmi zyrtar ndërkombëtar që konfirmoi publikisht se Izraeli qëndron prapa sulmit afër një centrali bërthamor në Isfahan të Iranit ishte kryediplomati italian, Antonio Tajani. Ai drejtoi sot një takim me homologët e shtatë vendeve më të zhvilluara të botës të cilët thanë se janë angazhuar për të shtensionuar situatën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken që gjithashtu mori pjesë në takim nuk e mohoi deklaratën e homologut italian, por refuzoi të jepte detaje.

Autoritetet izraelite duket se kanë vendosur të mos e konfirmojnë zyrtarisht sulmin në orët e para të mëngjesit të së premtes, por Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani i cili në mëngjes udhëhoqi një takim të G7-ës në ishullin italian Kapri, tha se Uashingtoni u njoftua nga autoritetet izraelite për sulmin.

“Shtetet e Bashkuara u njoftuan në minutën e fundit. Këtë informacion Shtetet e Bashkuara nuk e ndanë me ne, ishte thjeshtë një informacion që u dha. Kemi lajme që nuk ka të lënduar, por po e ndjekim ngjarjen”, tha zoti Tajani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili mori pjesë në takimin e G7-ës, nuk e kundërshtoi këtë, por nuk pranoi ta komentojë më tej. Ai megjithatë e bëri të qartë një gjë:

“Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në asnjë operacion sulmues. Ajo në të cilën ne dhe G7-a jemi përqëndruar dhe kjo reflektohet në deklaratën tonë, është puna jonë për të shtensionuar situatën nga çdo konflikt i mundshëm”, tha zoti Blinken.

Zyrtarë evropianë dhe të vendeve të tjera si Rusia dhe Kina, nuk kanë pranuar të komentojnë sulmin në Iran, por gjithashtu kanë bërë thirrje për shtensionimin e situatës.

Zyrtarisht asnjëra palë, ajo izraelite dhe iraniane, deri më tani nuk kanë pranuar të komentojnë për atë që ndodhi, por agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Teherani momentalisht nuk ka në plan të kundërpërgjigjet.

I vetmi që shkroi në rrjete sociale për sulmin ishte ministri izraelit Itamar Ben Gvir i cili është përfaqësues i të djathtës së skajshme. Me një fjali që përkthehet “i dobët” (feeble), ministri u akuzua nga kundërshtarët politikë se e turpëroi Izraelin duke thënë se shteti kreu një sulm të dobët ndaj vendit armik, Iranit.

Media shtetërore iraniane njoftoi për shpërthime pranë një baze ushtarake duke aluduar se sulmi nuk duket të jetë kryer nga një vend i jashtëm pasi dyshohet se dronët që u rrëzuan, ishin lëshuar nga brenda Iranit.

Raportet e medias shtetërore iraniane thanë se objektet bërthamore pranë qytetit Isfahan, për të cilat perëndimi dyshon se janë të përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore, nuk u dëmtuan. Raportimet e vazhdueshme të tyre janë munduar gjithashtu të minimizojnë pasojat e sulmit.

Incidenti ndodhi disa ditë pasi Irani gjuajti qindra dronë dhe raketa ndaj Izraelit si hakmarrje për sulmin ndaj ambasadës iraniane në Damask në Siri.

Shumica e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të arrinin në territorin izraelit.

Një analist për Lindjen e Mesme nga universiteti i Tel Avivit tha të premten se sulmet e fundit midis Izraelit dhe Iranit kanë nxjerrë në shesh një luftë të gjatë në hije midis armiqve dhe kanë ndryshuar strukturën gjeopolitike në rajon.

“Ne shohim se lufta që deri tani është zhvilluar në hije midis Iranit dhe Izraelit, po kthehet në një luftë të hapur. Kjo ndryshon panoramën gjeopolitike të Lindjes së Mesme”, tha profesor Uzi Rabi nga Qendra ‘Moshe Dayan’ për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Afrikane në Universitetin e Tel Avivit.

Ai sqaroi se sulmi iranian i së shtunës ka nxitur ndërtimin e koalicionit mes Shteteve të Bashkuara dhe shteteve arabe në përkrahje të Izraelit kundër Iranit, duke krijuar një rend të ri gjeopolitik.

Profesori Rabi megjithatë beson tha se Izraeli mund të përdorë sulmin e kufizuar ndaj Iranit, i cili me gjasë mund të zbus tensionet e drejtpërdrejta me Teheranin, për të forcuar mbështetjen për veprimet izraelite kundër Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut në Liban./VOA

Irani kundër Izraelit: Kush është në avantazh ushtarak?

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme dhe kërcënime ndaj njëri-tjetrit në javët e fundit, duke rritur shqetësimet për mundësinë e një lufte të plotë në mes të armiqve të përbetuar.

Izraeli ka nisur sulme kundër Iranit më 19 prill, pothuajse një javë pas sulmeve të pashembullta të Teheranit me raketa dhe dronë drejt tokës izraelite.

Sulmi i Iranit ka qenë kundërpërgjigje për një sulm ajror që ka vrarë shtatë komandantë iranianë në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill. Irani e mban përgjegjës Izraelin për atë sulm, por ky i fundit as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar diçka të tillë.

Në rast të ndonjë konflikti të madh të drejtpërdrejtë, Izraeli do të ishte në avantazh ushtarak, si në aspektin e mbrojtjes, ashtu edhe të sulmit, vlerësojnë ekspertët.

Por, ata besojnë se edhe kërcënimi që përbën arsenali iranian me dronë dhe raketa, nuk duhet të nënvlerësohet.

Duke qenë nën sanksione që disa dekada, Irani ka investuar tejet shumë në zhvillim të programeve të brendshme të armëve, çka ka rezultuar me dronë të lirë dhe efektiv, por edhe raketa të avancuara balistike.

John Krzyzaniak, hulumtues në Projektin Uiskonsin për Kontrollin e Armëve Bërthamore, ka thënë se raketat e Iranit “përbëjnë kërcënim serioz” për Izraelin.

Ndërkohë, dronët luftarakë dhe vetëvrasës të Iranit “mund të bëjnë kërdinë në popullsinë civile”, nëse lëshohen në numër të madh, ka thënë ai.

Prapëseprapë, Izraeli është në përparësi.

Përveç avantazhit të Izraelit ndaj Iranit, në aspektin operacional dhe atë të inteligjencës, ky vend ka edhe pajisje për mbrojtje prej sulmeve bërthamore, kanë thënë ekspertët.

Izraeli besohet se posedon edhe armë bërthamore, dhe sipas Iniciativës për Kërcënim Bërthamor, me bazë në Uashington, vlerësohet se ky vend i ka 90 koka bërthamore.

Përgjatë sulmit të 13 prillit, Irani i ka lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit.

Teherani ka pretenduar se nuk i ka përdorur disa prej armëve më të avancuara të shtetit. Sulmi besohet të ketë qenë i menduar mirë, ashtu që të mos ketë dëme të mëdha në civilë apo në infrastrukturë.

Izraeli ka thënë se pothuajse të gjithë dronët dhe raketat iraniane janë rrëzuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Jordanisë.

Disa prej raketave i kanë depërtuar mbrojtjes izraelite dhe e kanë goditur një bazë ajrore, duke shkaktuar dëme shumë të vogla, sipas Forcës Mbrojtëse të Izraelit.

Fabian Hinz, hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka thënë se vendimi i Iranit për t’i lansuar më shumë se 100 raketa balistike, ka qenë “goxha i madh”, për shkak të logjistikës dhe burimeve njerëzore të përfshira.

“Në fakt nuk jam i sigurt që ka ndodhur diçka e tillë më parë nga ana e Iranit dhe më bën të hamendësoj sa larg do të mund të shkonte”, ka thën Hinz për Shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë.

Sistemet mbrojtës të Izraelit kanë “performuar mirë” kundër raketave iraniane, ka thënë Jeremy Binnie, specialist i mbrojtjes për rajonin e Lindjes së Mesme, në kompaninë e inteligjencës në fushën e mbrojtjes, Janes.

Mirëpo Binnie ka thënë se qëndrueshmëria e armëve iraniane besohet të ketë luajtur rolin më të madh.

Inteligjenca amerikane ka vlerësuar që gjysma e raketave iraniane ose kanë dështuar që të nisen, ose kanë pësuar dështime gjatë fluturimit.

Aeroplanët e avancuar të Izraelit i ofrojnë këtij shteti një tjetër avantazh në hapësirën ajrore.

Mirëpo, Izraeli përballet me pengesa të shumta, vlerësojnë ekspertët, duke përfshirë mungesën e cisternave ajrore të karburantit.

Izraelit, po ashtu, i duhet të marrë leje prej disa shteteve, që pajisjet e tij të kalojnë nëpër disa hapësira ajrore, para se ato të arrijnë në Iran.

Ekspertët besojnë që nëse shpërthen lufta, Izraeli ka shumë mundësi të nisë raketa me rreze të gjatë kundër Iranit.

Në anën tjetër, mbrojtja ajrore e Teheranit nuk është e testuar në fushëbetejë.

Ekspertët kanë thënë se duke marrë parasysh avantazhin ushtarak të Izraelit, Irani ka shumë mundësi të vazhdojë luftën jokonvencionale me kapacitete asimetrike.

Kjo përfshin angazhimin e “Boshtit të Rezistencës”, rrjetit të grupeve militante të përkrahura nga Irani, të cilat e kundërshtojnë dhe me raste luftojnë Izraelin.

Hannah Kaviani, prej Shërbimit iranian të REL-it, ka kontribuuar në këtë material./REL

Sulmi izraelit, iranianët pretendojnë se “shpërthimet ishin si fishekzjarre”

Në një intervistë për televizionin shtetëror, një banor i Isfahanit i përshkroi shpërthimet në orët e para të mëngjesit si “asgjë më shumë fishekzjarre”.

Dhe ky përshkrim tregon se Irani, me gjasë, ka dashur që të minimizojë ndikimin e sulmit të fundit nga Izraeli.

Ky vlerësim mund të nxirret edhe nga fakti se një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se Teherani nuk planifikonte një përgjigje tani.

Mediat iraniane duket se kanë minimizuar rëndësinë e sulmeve, gjithashtu.

Në deklaratat zyrtare, pothuajse nuk përmendej se Izraeli – ose siç thotë zakonisht “entiteti sionist” – qëndronte pas tij.

Televizioni shtetëror transmetoi analistë dhe ekspertë të tjerë, të cilët dukeshin të gjithë mospërfillës për shkallën e sulmit.

“Ka pasur një trillim të jashtëzakonshëm për të ekzagjeruar shkallën e incidentit”, citohet të ketë thënë agjencia “gjysmë zyrtare” e lajmeve ISNA.

Edhe presidenti iranian Ebrahim Raisi zgjodhi të mos e shkurtojë udhëtimin e tij në provincën qendrore të Semnanit, duke treguar se vendi nuk ishte në gatishmëri të lartë.

Ndërkohë siç vlerësojnë ekspertët, reagimi i Iranit dukej gjithashtu se sinjalizonte se nuk dëshironte që “shkëmbimi” të shkonte më tej.

“Kjo duket se tregon se Irani po kërkon të minimizojë ndikimin e sulmit dhe ndoshta të zbresë përsëri në shkallën e përshkallëzimit nga këtu”, ka thënë Jonathan Lord, kreu i programit të sigurisë në Lindjen e Mesme në “Center for a New American Security”, një institut amerikan.

Ndryshe, sulmi i dukshëm ishte i fundit në një raund veprimesh të nisura nga vrasja e shtatë oficerëve iranianë në një sulm në një kompleks të ambasadës në Damask, që ka ngjallur frikën e një konflikti më të gjerë rajonal që rrjedh nga lufta në Gaza.

Edhe pse Izraeli nuk e ka pranuar kurrë se ishte pas sulmit të 1 prillit, Irani lëshoi një valë qindra dronësh dhe raketash në përgjigje që u shmang me sukses nga mbrojtja ajrore e Izraelit dhe aleatëve të tij.

Në anën tjetër, ushtria izraelite dhe ministritë e jashtme refuzuan të komentojnë dhe nuk pati deklarata të menjëhershme publike nga politikanë të lartë, përveç ministrit të linjës së ashpër të sigurisë, Itamar Ben Gvir, i cili dërgoi mesazhin me një fjalë “I dobët!” në platformën e mediave sociale X.

Por siç vë në pah Reuters, Izraeli ka një traditë të gjatë të mbajtjes së paqartësisë mbi çështje si armët bërthamore dhe operacionet e inteligjencës dhe heshtja dukej se ishte pjesë e mesazheve të tij.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit kanë qëlluar “një objekt të dyshimtë”, ka njoftuar një komandant iranian

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit kanë qëlluar “një objekt të dyshimtë” në qytetin qendror të Isfahanit, ka njoftuar një komandant i lartë i ushtrisë.

Gjenerali iranian Siavash Mihandoost ka deklaruar se sulmi i fundit izraelit “nuk ka shkaktuar fare dëme”.

“Zhurma e madhe e dëgjuar sot në mëngjes në Isfahan nuk ishte shpërthim, ishte mbrojtja jonë e fuqishme ajrore që gjuajti një objekt të dyshimtë”, tha gjenerali.

Ndryshe, sulmi izraelit vjen një javë pasi Teherani nisi një sulm me dronë dhe raketa mbi Izraelin, shkruan skynews.

Menjëherë pas aksionit ushtarak, Izraeli ishte zotuar se do t’i kundërpërgjigjej sulmit të paprecedentë të Iranit, duke e lënë rajonin të përgatitur për përshkallëzim të mëtejshëm pas muajsh luftime në Gazë.

Megjithatë, ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi sulmin e sotëm.

Shkaku i sulmit të sotëm, rreziku për një konflikt më të gjerë vetëm sa vjen e rritet.

Scholz i bën thirrje Izraelit dhe Iranit të mos përshkallëzojnë konfliktin

Kancelari gjerman Olaf Scholz të premten i bëri thirrje Izraelit dhe Iranit që të mos e përshkallëzojnë më tej krizën.

“Të gjithë duhet të sigurojnë tani dhe në një afat të afërt që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm,” tha Scholz gjatë një konference partiake të socialdemokratëve të tij.

Ai nënvizoi se Gjermania dhe aleatët e saj ndajnë këtë qëndrim të përbashkët, por nuk elaboroi më tej sulmin e raportuar në provincën iraniane të Isfahanit.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit tha se Berlini tani pret nga të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe të kontribuojnë në de-përshkallëzimin e situatës.

Autoritetet iraniane i minimizuan raportimet dhe thanë se zhurma e shpërthimeve të dëgjuara në Isfahan ishte rezultat i sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane që gjuanin në “objekte të dyshimta”.

Tensioni midis Iranit dhe Izraelit u përshkallëzua të shtunën pasi Teherani nisi një sulm me dron dhe raketa në përgjigje të sulmit të 1 prillit në konsullatën e tij në Siri, i cili vrau shtatë oficerë ushtarakë iranianë, duke përfshirë dy komandantë të rangut të lartë. 

Irani po “ndihmon” Izraelin t’i japë fund luftës në Gaza

Përveç zbulimit të dështimit të fuqisë ushtarake të Iranit, pushtimi i Izraelit ndihmoi shtetin hebre të dilte nga izolimi ndërkombëtar i paprecedentë, siç raporton historiani Ran Halevi, drejtor i kërkimit në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Francës (CNRS)dhe profesor në Qendrën Raymond Aron për Studime Sociologjike dhe Politike.

Dështimi më i madh i sulmit iranian ndaj Izraelit në fakt i ofron shtetit hebre një mundësi për të përfunduar, në rrethana më pak të vështira, fazën aktuale të luftës kundër Hamasit.

Siç vlerëson historiani Ran Halevi, qeveria e Teheranit arriti qëllime më pak të rëndësishme sesa donte duke lëshuar qindra raketa dhe drone në territorin izraelit.

Por kjo bastisje është edhe më e ndërlikuar pasi regjimi i mullahëve e mbulon në mënyrë delikate egërsinë e tij në mënyrë diskrete. Në luftën në hije që është përfshirë me shtetin hebre për vite me rradhë, regjimi në Teheran preferoi të mobilizonte Houthis, Hezbollah, Hamas.

Dhe shmangi çdo provokim frontal, edhe pse shërbimet izraelite rritën shpërthimet në objektet bërthamore, sulmet kibernetike dhe atentatet në shënjestër të inxhinierëve në tokën e tij.

Këtë herë, sulmi në Damask, në një konsullatë iraniane, ku dhjetë anëtarë të Gardës Revolucionare u vranë, duke përfshirë komandantin e forcës Al-Quds në Liban dhe Siri, çoi në një përgjigje të menjëhershme, masive që rrezikoi t’i vinte flakën të gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.

Iranianët pretendojnë se armiku ka shkatërruar një ndërtesë diplomatike. Argumenti i Teheranit duket komik nga një regjim që ka pushtuar ambasadën amerikane në Teheran për muaj të tërë.

Dhe se ata u kundërpërgjigjën, ata donin të godisnin bazën ushtarake Nevatim në Negev si një paralajmërim. Pa dyshim se ata synonin shumë më tepër. Megjithatë, iranianët nuk mund të parashikonin që 99% e këtyre dronëve do të kapeshin, disa edhe mbi Jerusalem.

Kjo bastisje zbuloi dështimet e sistemit ushtarak të Iranit, një shtet që mund të shndërrohej në një fuqi bërthamore, megjithëse ka një pajisje ushtarake konvencionale të vjetëruara dhe të pamjaftueshme.

Dështimi iranian zbuloi gjithashtu efektivitetin mbresëlënës të bashkëpunimit strategjik midis Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe forcave amerikane, britanike, franceze dhe jordaneze.

Gjithashtu kontribuoi në daljen e Izraelit nga izolimi ndërkombëtar i paprecedentë, në rivendosjen e aleancës së dëmtuar së fundmi midis Jerusalemit dhe Uashingtonit, si dhe në konsolidimin e bashkëpunimit të shtetit hebre me partnerët e tij arabë.

Sulmi iranian tregoi përfitimet e paçmueshme të një aleance strategjike, në të cilën presidenti i SHBA-së Joe Biden ka vazhduar të nxisë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që t’i bashkohet.

Këto janë pasuri të paçmueshme gjeopolitike që Izraeli rrezikon t’i humbasë duke iu përgjigjur pa vonesë një sulmi iranian. Përveç kësaj, Izraeli ka emergjenca të tjera si dhe mundësi për të menaxhuar. Duke filluar me situatën në Rripin e Gazës.

Lufta kundër Hamasit duhet të përfundojë. Me tërheqjen e shumicës së forcave izraelite, kërcënimi i një sulmi të afërt në Rafah nuk është në planet e afërta të Tel Avivit.

Ne duhet të përballemi me faktet ashtu siç janë: Izraeli ka dështuar të arrijë plotësisht qëllimet që vendosi një ditë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi: të eliminojë organizatën sunite palestineze si forcë politike dhe ushtarake, të shpëtojë 133 personat që vazhdojnë të mbahen peng.

Ushtria izraelite ka dëmtuar rëndë krahun ushtarak të Hamasit, por pa e zvogëluar apo dobësuar aftësinë e tij për të diktuar kushtet e një armëpushimi të pritshëm.

Dhe nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të zbutur krizën e paimagjinueshme humanitare që ka përfshirë Rripin e Gazës.

Në vetë Izraelin, dhjetëra mijëra refugjatë nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Megjithatë, qeveria duket ende e pasigurt për pasojat ushtarake dhe politike të kësaj lufte.

Për më tepër, ironia e çështjes është se Netanyahu nuk ka as mjetet politike për të bërë atë që ka në mendje.

Sulmi i kufizuar i Izraelit ndaj Iranit duket të jetë menduar për shtensionimin e konfliktit

Izraeli ishte zotuar se Irani do të paguante për sulmin e paprecedentë me dronë dhe me raketa ndaj tij, më 13 prill.

Por, përgjigja e dyshuar ushtarake e Izraelit, në orët e hershme të 19 prillit, u duk se ishte e kufizuar për nga pesha dhe shtrirja, dhe se kishte për qëllim uljen e tensioneve me Iranin.

Teherani tha se ka rrëzuar tre dronë jashtë qytetit qendror të Isfahanit, ku ndodhen objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se Izraeli përdori raketa në kuadër të sulmit.

Ekspertët thonë se përdorimi i dronëve të vegjël, të cilët nuk mund të udhëtojnë në distanca të gjata, sugjeron se sulmi u krye nga brendësia e territorit iranian.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Isfahan. Por, ekspertët thonë se përgjigja e supozuar izraelite i ka dërguar Teheranit një mesazh të qartë.

Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, në Izrael, ka thënë se përdorimi i dronëve nga Izraeli, nëse konfirmohet, sugjeron se qëllimi i tij ka qenë “ekspozimi i brishtësisë së forcave iraniane të sigurisë” në territorin e tyre.

Zimmt ka thënë se sulmi, megjithatë, ka bartur rreziqet e veta, por se nga të gjitha opsionet e mundshme për Izraelin, ai mbase ka qenë më i parrezikshmi.

“Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë, dhe unë, sigurisht, shpresoj se nuk do ta marrë”, ka thënë ai. “Në këtë fazë, mohimi është vendimtar për të ulur rreziqet, sepse... ai do ta bënte më të vështirë, por jo të pamundur, reagimin e iranianëve”.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar një zyrtar të paidentifikuar iranian të ketë thënë se Teherani “nuk e ka ndërmend të kundërpërgjigjet menjëherë”.

Izraeli është akuzuar për sulme të mëparshme ndaj objekteve ushtarake në Isfahan, nëpërmjet dronëve të vegjël. Në janarin e vitit 2023 ishte goditur një fabrikë ushtarake. Tre muaj më vonë, Irani njoftoi për pengimin e një sulmi me dronë ndaj një kompleksi të Ministrisë së Mbrojtjes, në qytet.

Farzin Nadimi, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Uashingtonit, i ka thënë Shërbimit iranian të Radios Evropa e Lirë – Radio Farda – se nëse Izraeli ka gisht prapa sulmit në Isfahan, ai e ka kryer atë në një mënyrë që “ka bartur rrezikun më të vogël për një hakmarrje iraniane”.

Sulmi i Iranit më 13 prill ishte përgjigje ndaj sulmit të dyshuar izraelit ndaj Ambasadës iraniane në Damask, më 1 prill, i cili vrau shtatë komandantë iranianë, përfshirë dy gjeneralë.

Teherani ka thënë se sulmi i tij ka vënë në pah një “ekuacion të ri”, dhe se Irani nuk do të heshtë karshi sulmeve izraelite ndaj interesave iraniane jashtë vendit.

Por, në ditën e njëjtë kur ndodhi sulmi në Isfahan, Izraeli u akuzua për sulme ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore në Siri, e cila është aleate e rëndësishme e Teheranit dhe ku mban prani Garda Revolucionare Islamike e Iranit.

Zimmt ka thënë se Izraeli ka dashur të dërgojë mesazhin se “fillimisht, ne u kundërpërgjigjëm, dhe, e dyta, ne sulmuam në Siri e jo vetëm në Iran, që do të thotë se ne nuk jemi gati ta pranojmë këtë të ashtuquajtur ‘ekuacion të ri’, për të cilin iranianët po përpiqen të na mbajnë përgjegjës”./REL

​Raportohet se ShBA ka konfirmuar sulmin e Izraelit ndaj Iranit

Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, thotë një zyrtar amerikan për CNN, në një lëvizje që kërcënon ta shtyjë rajonin më thellë në konflikt.

Objektivi nuk është bërthamor, tha zyrtari.

Përpara sulmit izraelit të premten (sipas orës lokale), pritshmëria e SHBA ishte se ata nuk do të synonin objektet civile ose bërthamore, tha një zyrtar tjetër i lartë amerikan për CNN.

CNN ka raportuar më parë se Izraeli i tha SHBA-së se përgjigja e tij do të ishte e kufizuar në shtrirje. Inteligjenca amerikane kishte sugjeruar se Izraeli po konsideronte një sulm të ngushtë dhe të kufizuar brenda Iranit, sepse ata mendonin se duhej të përgjigjeshin me një veprim kinetik të një lloji duke pasur parasysh shkallën e paprecedentë të sulmit iranian.

Gama e objektivave "nuk ishte specifikuar kurrë në terma të saktë, por vendndodhjet bërthamore dhe civile nuk ishin qartësisht në atë kategori", shtoi zyrtari i dytë.

SHBA i ka kërkuar Izraelit të mos përgjigjet ndaj sulmit iranian të fundjavës së kaluar, të cilin presidenti Joe Biden të enjten e quajti "të paprecedentë". SHBA "nuk i dha dritën jeshile" një përgjigje izraelite, tha zyrtari i dytë.

Kina kundërshton çdo sjellje që mund të përshkallëzojë më tej tensionet në Lindjen e Mesme

Kina u shpreh kundër çdo përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme pasi Irani u shënjestrua nga një sulm ajror.

“Kina kundërshton çdo sjellje që mund të përshkallëzojë më tej tensionet,” tha Lin Jian, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Ai kështu u shpreh në një konferencë të rregullt për shtyp të premten në Pekin, raporton CNN.

Izraeli kreu sulmin e së premtes, tha një zyrtar amerikan për CNN. Izraeli nuk ka komentuar dhe Irani nuk e ka identifikuar burimin e sulmit.

Von der Leyen dhe Tajani bëjnë thirrje për përmbajtje pas sulmit izraelit ndaj Iranit

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani kanë bërë thirrje për përmbajtje pas një sulmi ndaj Iranit.

Izraeli kreu sulmin e së premtes, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar dhe Irani nuk e ka identifikuar burimin e sulmit.

Një “përpjekje diplomatike” nga anëtarët e BE dhe G7 tashmë është duke u zhvilluar për të shuar tensionet në rajon pas goditjes, u tha Tajani gazetarëve.

Ai këto i tha në margjinat e një samiti të ministrave të jashtëm të G7 në Itali.

“I bëjmë thirrje të gjithëve të jenë të kujdesshëm për të shmangur një përshkallëzim në zonë”, tha Tajani, duke përsëritur thirrjen e Italisë për një armëpushim në Gaza.

Von der Leyen bëri thirrje gjithashtu për de-përshkallëzimin, duke thënë se është “absolutisht e nevojshme” që Lindja e Mesme të qëndrojë “stabile”, duke u kërkuar të gjitha palëve “të përmbahen nga veprime të mëtejshme”.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që të gjitha palët të përmbahen nga përshkallëzimi në atë rajon”, theksoi von der Leyen gjatë një udhëtimi në Finlandë të premten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat