Guvernatori Christie dhe kandidati Trump

Bota

Guvernatori Christie dhe kandidati Trump

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 23:57
Chris Christie

Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie kishte dashur të ishte ai fituesi i emërimit republikan dhe të zgjidhte kandidatin për nënpresident.

Por mes shumë republikanëve që kandiduan, Christie u përpoq por pa sukses, duke përfunduar në vendin e dhjetë në shtetin e Iowas dhe në të gjashtin në zgjedhjet paraprake në New Hampshire. Pas këtyre rezultateve të dobëta në zgjedhjet paraprake aq të rëndësishme për të fituar emërimin e partisë, ai e tërhoqi kandidaturën.

Por ndryshe nga kandidatët e tjerë të pasuksesshëm si Jeb Bush, i cili vazhdoi të shprehte kundërshtimin e tij ndaj kandidatit të mundshëm Donald Trump, z.Christie shpalli mbështetjen e tij. Guvernatori iu bashkua z.Trump për aktivitete të fushatës dhe pranoi që të udhëheqë ekipin e tij presidencial të tranzicionit. Trump dhe Christie kanë rreth një dekadë miqësi.

Ish-presidenti George W. Bush e emëroi Christie-n prokuror federal në vitin 2001, post të cilin ai e mbajti deri sa vuri kandidaturën për guvernator të Nju Xhersit dhe fitoi më 2009.

53-vjeçari Christie - republikan nga një shtet përgjithësisht liberal - njihet si politikan i aftë për të punuar me legjislaturën Demokrate për të miratuar projektligje. Në vitin 2012, kur ishte në detyrë, stuhia e fuqishme Sandy shkatërroi bregdetin e Nju Xhersit dhe zoti Christie la mënjanë kundërshtimet e zakonshme politike duke mirëpritur dhe përqafuar presidentin Barack Obama gjatë një vizite pas stuhisë.

Z. Christie konsiderohej si një zgjedhje e mundshme për nënpresident për Mitt Romney-n, kur ai kandidoi kundër Barack Obamës në vitin 2012. Gjithsesi ai nuk u zgjodh, por iu dha nderi të mbante fjalimin kryesor në Kuvendin e Partisë Republikane ku Romney pranoi zyrtarisht emërimin nga partia.

Christie fitoi lehtësisht zgjedhjet për guvernator për herë të dytë, por atë vit administrata e tij u kritikua për një skandal që përfshiu një bllokim të një ure kryesore e cila lidh Nju Jorkun me Nju Xhersin. Anëtarët e stafit të tij kishin dhënë urdhra që disa korsi të urës të mbylleshin si hakmarrje ndaj kryebashkiakut të qyteti Fort Lee i cili nuk mbështeti kandidaturën e Christie-t. Guvernatori Christie mohoi se kjo kishte lidhje me mbylljen e korsive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat