Fitorja e Trump-it mund të ndikojë në marrëdhëniet Japoni – SHBA

Bota

Fitorja e Trump-it mund të ndikojë në marrëdhëniet Japoni – SHBA

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 07:46
Donald Trump, Abe Kawai

Japonia dëshiron të ruajë statuskuonë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por fitorja shokuese e Donald Trump si president i SHBA-së mund të ofrojë mundësi të reja për shtetet aziatike që të krijojnë rrugën e tyre.

Mund të thuhet se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të martën e kaluar tronditi kryeministrin japonez, Shinzo Abe dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Ndërkohë që rezultatet shpalleshin, Abe, i cili po ndiqte mbulimin e zgjedhjeve amerikane në televizion, thuhet se i ka thënë stafit të tij se “kjo është më afër nga sa pritej”.

Disa orë më vonë, kur fitorja e Trumpit ishte pothuajse e sigurt, Abe thirri këshilltarin, Katsuyuki Kawai në zyrë dhe i kërkoi atij të udhëtojë drejt SHBA-së javën e ardhshme.

“Kam nevojë që ju të takoni të gjithë personat që janë të lidhur me zotin Trump. Dua të them të gjithë!”, i tha Abe Kawai-t, sipas gazetës së përditshme japoneze të biznesit, Nikkei.

Ndryshimi i akorduar i Abes është i dukshëm, edhe pse i parashikueshëm.

Gjatë vizitës në SHBA në muajin shtator, kryeministri japonez u takua me kandidaten demokrate për president, Hillary Clinton, por nuk organizoi takim me Trump-in.

Ndërkohë Abe shpreson se takimi i nesërm mes tij dhe Trumpit në Nju Jork, i pari mes një udhëheqësi kombëtar dhe presidentit të ri të zgjedhur, mund të lehtësojë shqetësimet e Tokios.

“Takimi i kryeministrit japonez me Trumpin, ndonëse pothuajse asgjë nuk është vendosur, është menduar të jetë kuptimplotë”, deklaroi Akikazu Hashimoto, profesor i shkencave politike në Universitetin e “JF Oberlin”, në Tokio.

“Por qeveria japoneze nuk i ka paraqitur aspak vizionet dhe idetë e saj”, tha ai.

Minoru Morita, një analist politik tha se “është koha e duhur që Japonia të hedhë një hap”.

“Japonia do të shërbejë si një vartëse edhe nëse kanë një lider të ri në SHBA”, u shpreh Morita.

“Unë besoj se shfaqja e Trump tregon se vetë bota është në një periudhë ndryshimesh dhe Japonia mund të shikojë një ndryshim themelor në marrëdhëniet dypalëshe nën udhëheqjen e Trumpit”, shtoi ai.

Sfondi i takimit të nesërm i Abesë me Trump-in është mbushur me tensione të reja, që shihen rrallë mes partnerëve të cilët tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të forta.

Në aspektin ekonomik, qëndrimi proteksionist i Trump-it shqetëson liderët japoneze të biznesit, duke qenë se ai ka deklaruar që do të reduktoj importet në SHBA dhe do të mbështesë prodhuesit në vend.

Të hënën, Abe pranoi se “fitorja e Trump-it mund të rrezikojë marrëveshjen e tregtisë ‘The Trans Pacific Partnership (TPP)’”, të miratuar nga presidenti amerikan aktual, Barack Obama, duke qenë se presidenti amerikan i zgjedhur, Trump e ka quajtur marrëveshjen “një katastrofë”.

Në shkurt, 12 shtetet që kufizohen nga Oqeani Paqësor, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë, Malajzinë dhe Japoninë, nënshkruan paktin.

“Për të qenë i sinqertë, unë e pranoj se marrëveshja e tregtisë (TPP) ndodhet në rrethana të vështira”, tha të hënën kryeministri japonez në një komision parlamentar.

Kur është fjala për mbrojtjen, ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë gjithashtu ndryshime në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Japoni.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump është shprehur se “Japonia mund të përballet me presionin për të paguar më shumë për mbajtjen e trupave ushtarake amerikane në vend, sidomos pas rritjes së kërcënimeve bërthamore nga ana e Koresë së Veriut dhe rritjes së fuqisë ushtarake kineze”.

“Aleatët tanë nuk po paguajnë në mënyrë të drejtë pjesën e tyre”, ka thënë Trump, gjatë një fjalimi në muajin prill.

Japonia paguan rreth 200 miliardë jen (1.85 miliardë dollarë) në vit dhe zyrtarët e qeverisë në Tokio besojnë se është më se e mjaftueshme.

Në të njëjtën kohë, banorët në ishullin japonez të Okinauas, rreth 1 600 kilometra në jugperëndim të Tokios, do të ishin të lumtur të shikonin largimin e trupave ushtarake amerikane.

Rreth gjysma e 53 000 ushtarakëve amerikanë të dislokuar në Japoni ndodhen në këtë ishull.

Që prej fitores së zgjedhjeve të Trumpit, guvernatori  i Okinauas, Takeshi Onaga tha se “ka në plan të vizitojë SHBA-në në muajin shkurt”.

Shumica e banorëve të Okinauas i janë kundërvënë me forcë ndërtimit të një baze të re ushtarake amerikane në ishull, që mund të marrë përsipër funksionet e një bazë të madhe amerikane atje.

Shumë udhëheqës japoneze janë kritikuar gjatë viteve për ndjekjen e ritmit të Uashingtonit dhe Abe mund të fillojë të ketë më shumë kujdes.

Profesori i shkencave politike, Akikazu Hashimoto beson se “fitorja e Trumpit mund të ofrojë një mundësi për Japoninë që të vendosë marrëdhëniet Japoni-SHBA në një bazë të re dhe të marrë në konsideratë politikën e saj të jashtme më vete”.

“Japonia nuk ka bërë asgjë përveç se i është vardisur, servilosur SHBA-së dhe unë  nuk besoj se mund ta bëjmë këtë me Trump-in”, tha Hashimoto./ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat