Ligjvënësit britanikë kërkojnë hetim për dosjen për Donald Trumpin

Bota

Ligjvënësit britanikë kërkojnë hetim për dosjen për Donald Trumpin

Më: 14 janar 2017 Në ora: 00:52
Ligjvënësit britanikë kërkojnë hetim për dosjen për Donald Trumpin

Ligjvënësit britanikë po kërkojnë një hetim për të përcaktuar nëse agjenci britanike të sigurisë kanë luajtur rol dhe cili është ky rol në përpilimin e një dosjeje të debatueshme me informacione zbulimi, të përgatitur nga një ish-anëtar i shërbimeve sekrete të vendit.

Në Londër po shtohen shqetësimet se akuzat e papërshtatshme të përfshira në dosjen me 35 faqe për Presidentin e zgjedhur amerikan, republikanin Donald Trump mund të ndikojnë tek marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ligjvënësit thonë se komisioni i zbulimit i Parlamentit britanik, duhet të hapë një hetim për të gjetur nëse shërbimet e zbulimit dhe ministrat, përfshirë kryeministren Theresa May, e kishin parë dokumentin e përgatitur nga Christopher Steele, një ish-anëtar i shërbimit britanik të zbulimit të huaj, MI6.

Ata duan të dinë gjithashtu nëse qeveria e kishte shqyrtuar dosjen, që përfshin informacion të papërshtatshëm dhe komprometues që mund të ishte përdorur për të diskredituar zotin Trump, nëse do të ishte i vërtetë, para se t’ia kalonin FBI-së.

Zoti Steele, bashkëpronar i një firme private të zbulimit me qendër në Londër u punësua me kontratë gjatë garës presidenciale amerikane nga kundërshtarët politikë të zotit Trump për të hetuar lidhjet e miliarderit me Rusinë. Zyrtarë të qeverisë britanike, kanë konfirmuar për Zërin e Amerikës ish agjenti i MI6, foli me zyrtarë të zbulimit britanik lidhur me hetimin e tij dhe kërkoi autorizimin e agjencisë, si çështje kortezie, para se t’ia dorëzonte FBI-së përfundimet e tij dhe të takohej me zyrtarë amerikanë të rendit për t’I diskutuar ato./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat